Ngjarje

’21 Janari’, Gjykata e Strasburgut jep vendimin për Aleks Nikën: Ka dy shkelje, e vrau shteti dhe nuk zbardhi krimin

Gazeta Si - Gjykata e Strasburgut ka gjetur dy shkelje në vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar të vitit 2011, ku u vranë 4 persona gjatë një proteste opozitare kundër qeverisë Berisha para selisë së kryeministrisë.

Në  vendimin e dhënë sot nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut, thuhet se vrasja dhe mungesa e zbardhjes së vrasjes, janë dy shkelje të kryera nga shteti. Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata ka gjetur mangësi në ligjin për përdorimin e armëve në operacionet e kontrollit të turmës. Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës. 

Gjykata e Strasburgut vë në dukje se Prokuroria e Përgjithshme është përballur me një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Fokusi duhet të jetë në përgatitjen e ndjekjeve penale kundër ata që dyshohen se kanë kryer krime. Duhet pranuar se disa nga aktet e kryera këtë ditë duhet të konsiderohen si krime, pavarësisht nga klima politike dhe pavarësisht se kush e nisi dhunën.

"Ligji i kohës dhe plani i masave të Gardës ishin me shkelje që nuk garantonin jetën. Pra, shteti ka përgjegjësi për vrasjen. Gjithashtu, moszbardhja e ngjarjes është shkelje. Nuk ka dëmshpërblim, sepse nuk ka dashur Mark Nika që e ndoqi vetë çështjen. Hetimi duhet të bëhet dhe dënohet fajtori, kushdo qoftë, si dhe duhet kontrolluar ligji i ri për armët, nëse i përmbush standardet”, thotë Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj.

"Ekziston nevoja për hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat ndodhën më 21 janar 2011", - thuhet më tej.

"Ata që janë përgjegjës për dhunën aktet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është e nevojshme në për vendosjen e drejtësisë por edhe për të parandaluar zhvillime të tilla serioze në të ardhmen", - vëren Gjykata.

Gjykata ka analizuar mungesën e ekspertizës së autoriteteve. "Zyra e Kryeministrisë nuk ofroi të gjitha video incizimet ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet që do të ishin provë e vlefshme për hetimin".

Fakti që një pjesë e madhe e video incizimeve u fshinë pas ngjarjes, ngre dyshime nëse fshirja e tyre mund të ketë qenë e qëllimshme dhe me qëllim fshehjen e së vërtetës.

Për pasojë, thotë Gjykata, "hetimi i kryer nuk mund të konsiderohet si një efektiv në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve".

Gjykata po ashtu vë në dukje se Garda Kombëtare dhe policia nuk po përballeshin me një organizim të paplanifikuar, pasi opozita kishte marrë leje disa ditë më parë për organizimin e tubimit.

Sipas Gjykatës, vendimet e saj janë deklarative dhe sugjerohet se autoritetet duhet të vazhdojnë punën për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës. Megjithatë, familjarët e Nikës janë të zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa janë shprehur “Prokuroria po zvarrit dosjen, ndaj, ata iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut.

I riu nga Lezha u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi në një spital. 

Familjarët akuzojnë Shqipërinë për një mungesë hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit e vrarë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në vitin 2011 nga Garda e Republikës gjatë protestës së opozitës që drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama.

Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj. Partia Socialiste akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve të protestuesve.

Asokohe, Berisha e cilësoi “21 janarin” si një tentativë për grusht shteti, duke deklaruar se garda ka mbrojtur institucionin shtetëror dhe se ka zbatuar vetëm ligjin.

Pak ditë më parë, kjo Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit, një tjetër ngjarje tragjike para 15 vitesh, që është marrë në dorë nga SPAK.

Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.

(Dokumenti i plotë) Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë