Ndeshje e mrekullueshme në Kazan: 7 gola, Mpape i jashtëzakonshëm dhe Franca në çerekfinale, pas fitores 4-3. Merr fund “agonia” e Argjentinës dhe Mesit, që në këtë Botëror nuk dha asnjëherë shenjat e një ekipi të madh. Futbolli është lojë kolektive dhe nuk mjafton të kesh në ekip një nga lojtarët më të mirë në planet, pse jo më të mirin.
Kilian Mbape, 20-vjeçari “supersonik” i Francës, është personazhi i ditës dhe ndoshta edhe i gjithë këtij Botërori. Më i miri në fushë është numri 10, por jo Mesi. Sulmuesi i Francës shënoi dy gola dhe fitoi penalltinë e golit të parë, pas një galopimi prej më shumë se 60 metrash. Në ditën kur Mesi dhe Ronaldo kishin “aktin” e radhës në përballjen e pafundme mes tyre, djaloshi 20-vjeçar i Francës merr skenën, ndërsa Franca e tij më në fund shfaqet në lartësinë që pritej, një skuadër e denjë për titullin botëror.
Ndeshja është zhvilluar shumë e bukur dhe në fund ka trishtim tek Argjentina, jo vetëm për eliminimin. Lionel Mesi, sipas të gjitha gjasave, ka luajtur sot ndeshjen e fundit me kombëtaren e tij. Luajti vërtet keq, e kërkoi topin në gjithë fushën, si një numër 9 më fals se kurrë, sikur të mos kishte besim tek asnjëri nga shokët e ekipit. Kur një gjuajtje e tij u devijua nga Merkado dhe Argjentina kaloi në avantazh, u duk se ndeshja ndryshoi, por ishte vetëm një iluzion. Një asist për Agueron në minutën e 3-të shtesë dhe kaq. Argjentina vërtitet rreth tij dhe, ashtu si në ndeshjet e grupit, u shfaq mediokre, pa kampionë në fushë. Pavon, një nga më të dobëtit në fushë, lë në stol emra si Higuain, Dibala e Aguero, por nuk është faji i tij.
Franca e nisi mirë ndeshjen dhe dominoi në lojë. Pas 11 minutash gjeti golin. Mbape bën një sprint prej 60 metrash dhe Roho detyrohet ta ndalë me force në zonë. Penallti dhe Grizman nuk gabon. Argjentina ia del me fat të mbetet në lojë, ndërsa Di Maria i jep zemër me një gol shumë të bukur nga distanca 5 minuta para fundit të pjesës së pare, duke barazuar rezultatin. Me nisjen e së dytës, Merkato devijon gjuajtjen e Mesit dhe Argjentina e sheh veten për herë të parë në avantazh. Por Franca është shumë e fortë.
Kthesa e francezëve vjen edhe pak rastësisht. Lukas Hernandez kroson nga e majta dhe Pavard, mbrojtësi i krahut të djathtë, realizon një eurogol me një gjuajtje të bukur. 2-2 dhe pastaj mendon Mbape, që tregon gjithë klasin e tij. I lirë në zonë, ai shënon me të majtën dhe më pas shënon edhe golin e 4-t për Francën, duke mbyllur me shpejtësi një aksion që kalon nga këmbët e Loris, Kante, Grizman, Matuidi dhe Zhiru. Një gol skuadre dhe tani Franca vërtet tremb.Në çerekfinale do të ndeshet me fituesin e çiftit Uruguai-Portugali.
Për Argjentinën tani fillon “gjyqi”, pasi shumë gjëra nuk shkojnë në skuadrën e Lionel Mesit. Rrjetet sociale ndërkohë kanë nisur talljet në masë Maradonën, i cili edhe këtë herë dha spektaklin e tij në tribunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.