Njerez

20 vite burg për vrasje, citon Kafkën dhe flet hebraisht: Kush është udhëheqësi i pazakontë i Hamasit

Nga Gazeta 'Si' - “Është njeriu më mizor që kam takuar ndonjëherë. Mendon gjatë gjithë kohës se si të vrasë hebrenjtë. Ka sytë e një vrasësi, nuk është një psikopat, por një njeri shumë besimtar që e njeh  mirë Kuranin, dhe që nuk do të largohet kurrë Gaza, përveçse i vdekur.

Gjatë marrjes në pyetje, më tha se gjëja më e mirë ishte të vrisnin hebrenjtë me hanxhar, ndërsa më 7 tetor militantët përdorën thikat. E pyeta: Ti je 28 vjeç, pse nuk krijon familje? M’u përgjigj: ‘Hamasi është gruaja ime, Hamasi është djali im’. Pas 180 orë marrje në pyetje, mendoj se e njoha më mirë sesa e ëma e tij”.

Kështu shprehet Micha Koubi, kreu i marrjes në pyetje të të dënuarve në burgjet izraelite, mbi udhëheqësin e Hamas, Yahiya Sinwar. Pas lirimit nga burgu, Sinwar nxori kokën nga dritarja e një autobusi të veshur me bezen e gjelbër të Hamasit, një shenjë e qartë e qëllimit të tij për t’u kthyer menjëherë në luftë.

Që nga lirimi nga burgu, Sinwar është martuar dhe tani ka 9 fëmijë. “Kur e pyetën pse nuk e lë pak ‘pushim’ gruan e tij, Sinwar u përgjigj:”Tre prej fëmijëve të mi do të vriten, tre do të burgosen, tre do të vazhdojnë luftën. Ndaj unë kam nevojë akoma më shumë fëmijë”- thotë Gershon Baskin, izraeliti që ndërmjetësoi lirimin e nëntetarit Gilad Shalit, në këmbim të lirimit të 1 mijë terroristëve palestinezë.

Por 5 vjet më parë, udhëheqësi i Hamasit dukej ndryshe. Sinwar i dërgoi një mesazh të shkruar në hebraisht ndërmjetësve egjiptianë për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. “Me një armëpushim, ju do të përballeni me një rrezik të kontrolluar”- shkroi Sinwar.

Pas sulmeve të 7 tetorit, kupola izraelite e organeve të sigurisë, po e sheh në një këndvështrim të ri atë shënim: Sinwar donte të krijonte iluzionin se Hamasi kishte hequr dorë nga Xhihadi për t’u fokusuar në qeverisja e enklavës.

“Sinwar e lexoi shumë mirë psikologjinë e izraelitëve”- thotë Michael Milshtein, ish-kreu i kërkimit mbi palestinezët në shërbimin sekret ushtarak të Izraelit.

“Ai donte që Izraeli të besonte se Hamasi po fokusohej tek stabiliteti në Gaza, duke promovuar çështjet civile. Ia doli ta nxisë këtë keqkuptim në mendjet e izraelitëve”- shtoi ai. Tani supozohet se Sinwar fshihet thellë në një tunel, “si një Hitler i vogël në një bunker” tha së fundmi Netanyahu.

Sinwar dhe izraelitët e kanë vëzhguar dhe analizuar njëri-tjetrin për dekada. I lindur në Khan Younis, Gazën Jugore, Sinwar themeloi krahun ushtarak të Hamasit në fund të viteve 1980, ndërsa ishte duke u zhvilluar Intifada e parë palestineze. Kur ishte i ri, luante futboll së bashku me Mohammed Dahlan, liderin e lëvizjes radikale Fatah, që tani jeton në mërgim në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më vonë mori përsipër detyrën për të zhdukur bashkëpunëtorët palestinezë të Izraelit, dhe ishte përgjegjës për vrasjen e 12 prej tyre me duart e tij. Në dallim nga Haniyeh, Meshaal, Yassin dhe Rantisi, Sinwar nuk urdhëroi vetëm masakrat, ai i ndoti vetë duart e tij me gjak. Për këtë arsye konsiderohet si një hero nga arabët.

Autoritetet ushtarake izraelite, të cilat kishin në atë kohë kontrollin e plotë të Gazës, e dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 1989. Prapa hekurave të burgut, Sinwar punoi shumë për të fituar një kuptim të thellë të shoqërisë hebraike dhe izraelite duke lexuar gazetat dhe librat e armikut. Koubi thotë:“Unë takova në atë kohë një njeri shumë inteligjent, i cili besonte vërtet tek gjithçka që bënte”. Helal Jaradat, i dënuar për vrasjen me thikë të ushtarëve izraelitë dhe që kaloi vite në burg bashkë me Sinwar, thotë:“Ai donte gjithmonë të dinte se çfarë po ndodhte në Izrael. Ndiqte të gjitha zhvillimet ushtarake dhe politike”.

“Të qenit një lider në burg, i dha atij përvojë në negociata dhe dialog. Ai e kuptoi mentalitetin e armikut dhe mënyrën se si të ndikonte tek ata”- thotë Anwar Yassine, një libanez që kaloi 17 vjet në burgjet izraelite, ku shumicën e kohës e ndante me Sinwar.

Dhe teksa ishte në burg, Sinwar vazhdoi urdhëronte vrasjen e “bashkëpunëtorëve” të armikut. Betty Lahat punonte në atë kohë në burgun ku vuante dënimin Sinwar:“Ai vazhdonte të fliste për ditën që do të lirohej. I thashë se nuk do të dilte kurrë prej andej. Ai tha se ka një datë, dhe atë e di Allahu”.

Dhe në fakt pati një datë. Më 18 tetor 2011, kur Izraeli shkëmbeu 1 mijë terroristë palestinezë për ushtarin izraelit Gilat Shalit. Në mesin e të liruarve ishte edhe Sinwar. Tek e fundit, ishte ai që e hartoi listën e atyre që duhej të liroheshin nga burgu. Për të rikthyer Shalit në shtëpi, Izraeli fali 924 dënime të përjetshme.

Në mesin e tyre kishte terroristë tashmë të moshuar si Nail Barghouti, në burg që nga viti 1978 për pjesëmarrje në një sulm që i mori jetën një ushtari izraelit, dhe Abed Al Hadi Ganaim, i cili në vitin 1989 hodhi një autobus izraelit në greminë, duke vrarë 16 njerëz etj.

Në një konferencë të vitit 2021 të mbajtur në Gaza me titull “Premtimi i Fundit të Ditëve”, Sinwar shpjegoi se çfarë donte të bënte me ekspertët izraelitë pasi të mposhtej ky vend:“Mbani për një kohë gjallë hebrenjtë shkencëtarë dhe ekspertët në fushën e mjekësisë, inxhinierisë, teknologjisë, industrisë civile dhe ushtarake, dhe mos i lini të ikin me njohuritë dhe përvojën e tyre”.

Madje Sinwar kishte punuar përmes ndërmjetësve për ta bindur Izraelin për qëllimet e mira të grupit të tij. Dhe ai kishte negociuar lejet e punës për 18.000 banorë të Gazës, që i lejuan ata të punonin çdo ditë në Izrael. Ishin disa nga këta punëtorë, që vizatuan hartat e komunitetit dhe përpiluan listat me familjet e zonës për të orientuar militantët e Hamasit përpara sulmit të 7 tetorit.

Në vitin 2018, Izraeli duhej ta kishte kuptuar se Sinwar nuk kishte ndryshuar, kur ai tha në një tubim në Gaza:“Ne do ta shembim kufirin, dhe do t’ua shqyejmë zemrat atyre (izraelitëve). Por në të njëjtën kohë, ai dha një intervistë për gazetën izraelite Yedioth Ahronoth, ku ndër të tjera tha:“Izrael, edhe pse je më i fortë se ne me armë, në përmasa që nuk kanë të krahasuar, nuk do të fitosh asnjëherë”.

Më pas, “kasapi i Khan Younis” tregoi për leximet e tij në burg:“Dikur ishin hebrenj si Frojdi, Kafka, Ajnshtajni. Ata ishin të famshëm për matematikë, filozofi. Sot janë të njohur për ekzekutimet pa gjyq”. Familja e Sinwar vjen nga Majdal, ose siç e quajnë arabët ende Ashkelon, i themeluar nga fenikasit, i banuar nga filistinët dhe i aneksuar nga arabët, i pushtuar nga kryqtarët në vitin 1102 para se të binte në duart e Saladinit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, OKB-ja e caktoi Majdalin si pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez. Por kur mbërritën izraelitët, shumica e banorëve u larguan prek andej. Sot ajo ka më shumë se 100 mijë banorë, dhe është bërë objektiv i Sinwar. Por ky i fundit mund ta ketë studiuar keq psikologjinë e izraelitëve, duke menduar se ata nuk do të ndërhynin në Gaza nga toka, nga frika e pagimit të një çmimi të lartë si në rastin e Shalit.

Sinwar u tha miqve të tij se jeta e tij do të përfundonte në mënyrë të dhunshme, por ai nuk kishte frikë sepse pas vdekjes do të jetë një Shehid, dëshmor. “Por përpara atij momenti ka disa gjëra që dua t’i arrij në tokë”. Ai nuk do ta mbyllë jetën në Majdal, por në tunelet e Hamasit ose në burg.

Marrë me shkurtime nga ll Foglio/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë