Politike

16 shkurti? Çfarë na kujton 21 janari…

Opozita dhe Qeveria janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për protestën e së shtunës. E para në përpjekje për të masivizuar sa më shumë pjesëmarrjen dhe përfundimin me sukses në misionin që i ka vënë vetes për të larguar Edi Ramën, e dyta për ta ndalur këtë mision.

Mes tyre qëndrojnë qytetarët shqiptarë, një pjesë si protestues dhe një pjesë si garantues të sigurisë të veshur me uniformën e policisë. Ata do të jenë përballë njëri-tjetrit duke nisur që nga ora 11:00 e paradites së të shtunës, pa ndonjë afat të sigurtë deri kur.

E në frymën e këtyre përgatitjeve nga të dyja palët është shpërfaqur edhe gjuha e përdorur. Me terma të ndryshëm dhe në përpjekje për t’u treguar të kujdesshëm për të mos nxitur dhunën, ajo që në të vërtetë duket se po bëjnë të dyja palët është shtimi i dozave të pasigurisë për qytetarët e tjerë.

PD dhe LSI përjashtojnë njëzëri skenarët e dhunës, por gjithmonë këto deklarata përjashtuese të këtyre skenarëve shoqërohen me një “por”. “Por”-i i parë kushtëzon praninë ose mungesën e dhunës me sjelljen e Edi Ramës. Sali Berisha nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI kanë kërkuar publikisht nga Qeveria që “të mos provokojë protestuesit”.

Pikërisht ky term mund të gjejë një interpretim të zgjeruar. Ajo që për protestuesit e opozitës mund të cilësohet si provokim, për Qeverinë mund të jetë zbatim i ligjit. Ky është një indikator që sinjalizon përplasje në protestën e së shtunës, por jo i vetmi.

Historiku i gjuhës së përdorur nga klasa politike me deklarata dhe kundërdeklarata para protestës së 21 janarit 2011 na vjen në ndihmë. Edi Rama, në atë kohë në opozitë, fliste ditët para protestës për një tubim pa fjalime e ku populli do të merrte fatet në dorë. Ai përballë kishte Sali Berishën si Kryeministër dhe Lulzim Bashën si ministër të Brendshëm.

Sot, pak më shumë se 8 vite më vonë, po në emër të popullit flet edhe Lulzim Basha. Protestën pa fjalime ai e paralajmëroi që në një takim me fermerët në Qarkun e Fierit. “S’kam ç’të them më!”, deklaronte ai. Ndërkohë, një javë më parë lëshonte një ultimatum për mazhorancën nga salla e Kuvendit.

“Kjo sallë s’ka lidhje me hallet e njerëzve. Vendi është në një krizë totale. Të vetmit që qëndrojnë në luks janë një grup politikanësh të kamur e të vjetër. Thirrini mendjes! Jepini rrugëzgjidhje politike kësaj rruge, ndryshe që prej 16 shkurtit, qytetarët do ta marrin në dorë fatin e tyre, duke nisur me këtë sallë, me heqjen zvarrë”, deklaronte ai.

Ndoshta nisur edhe nga kjo deklaratë e Lulzim Bashës, por me gjasa edhe nga informacionet e grumbulluara në terren, Policia e Shtetit ka dalë me disa deklarata. Në të parën kujtonte se nuk do të lejonte protestuesit që të grumbulloheshin në lulishten që ndan Piramidën me godinën e Kryeministrisë dhe në rrugën mes Hotel Rogner dhe Kryeministrisë.

Këtu, Policia e Shtetit bie ndesh me një prej skenarëve të përfolur të Partisë Demokratike, skenari që në varësi të numrit të protestuesve të rrethohet e gjithë godina e Qeverisë, si formë presioni ndaj Edi Ramës.

Sa u takon sinjaleve të siguruara nga terreni, një rol të jetik luan Shërbimi Informativ Shtetëror. Në vitin 2011, në krye të këtij shërbimi ishte Bahri Shaqiri. Mes akuzave për puç shteti ndaj Prokurorisë, Presidentit Bamir Topi, Sali Berisha në atë kohë akuzonte edhe SHISH se nuk kishte sinjalizuar Qeverinë për protestën e dhunshme.

Bahri Shaqiri, emër i propozuar së fundmi nga Presidenti Ilir Meta për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, por të rrëzuar nga socialistët, u pasua nga Visho Ajazi-Lika. Ky i fundit dha dorëheqjen papritur për t’u emëruar ambasador i Shqipërisë në NATO. Për të plotësuar vendin e lënë bosh, Edi Rama propozoi Helidon Bendon, zëvendësin e Ajazi-Likës. Pas një viti pezull, Presidenti Meta e dekretoi emërimin e këtij të fundit.

Ashtu si më 21 janar, edhe në këtë rast SHISH ka një rol thelbësor në sigurimin e informacionit për mbarëvajtjen e protestës, por a ja ka përcjellë këto informacione Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës? Nga deklaratat e Policisë mund të thuhet që po.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Policia thotë se ka të dhëna që në protestë do të marrin pjesë persona me rekorde kriminale, ndaj dhe fton qytetarët që nuk janë pjesë e protestës që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset ku ajo do të zhvillohet dhe kërkon mirëkuptim e bashkëpunim përgjatë kontrolleve të shtuara, që thotë se është e detyruar të zhvillojë në disa akse kryesore rrugore.

Një tjetër sinjal mbërrin nga terreni. Në 2011 Kryeministria ishte e rrethuar me kangjella, që u hoqën përmes një prej vendimeve të para të Edi Ramës kur erdhi në pushtet. Por, që prej mbrëmjes së të enjtes, dera kryesore e Kryeministrisë dhe kërpudha e famshme në oborrin e saj janë mbuluar me skela. Zyrtarisht nuk jepet asnjë arsye për këto masa, por nënkuptohen qartësisht se janë masa sigurie për t’i paraprirë protestës.

Një indicie e tërthortë që parashikon trazira mund të merret edhe nga deklaratat e përfaqësive ndërkombëtare. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën thirrje për shmangien e dhunës sa herë që në Tiranë paralajmërohen protesta, por këtë herë kësaj ambasade u janë bashkuar edhe përfaqësi të tjera, si ajo e Bashkimit Europian, e Britanisë së Madhe, apo zyra e OSBE-së.

Pas 21 janarit, Rama u akuzua se çoi qytetarët si “mish për top”. A rrezikon që të përballet me të njëjta akuza edhe Lulzim Basha pas 16 shkurtit, nisur nga kjo përmbledhje e shkurtër krahasimore mes atmosferës politike e publike para 21 janarit dhe atmosferës para 16 shkurtit?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë