Art dhe Kulture

10 muzetë që duhen vizituar të paktën një herë në jetë

Muzetë, përveç që presin vepra të mrekullueshme, shpesh janë vetë vende magjepsëse. Qofshin arkitekturë apo mobilie, muzetë janë vepra të vërteta arti. Me rastin e Javës së Muzeut 2021, ja 10 muzetë më të bukur në botë për t’u vizituar të paktën një herë në jetë sipas “BBC”.

MUSEE D'ORSAY, Francë

I vendosur në bregun e majtë të Senës, ky muze u krijua në vitin 1986, duke zëvendësuar një stacion të vjetër treni dhe një hotel. Veçanërisht karakteristik është, në sajë të strukturës origjinale, përdorimi dhe efekti i dritës që vjen nga dritaret e tavanit. U krijua për të kapërcyer hendekun midis Muzeut të Luvrit dhe Qendrës Pompidou. Ai strehon koleksionin më të madh të pikturave Impresioniste dhe Post-Impresioniste.

GUGGENHEIM, Spanjë

Rezultati i një bashkëpunimi të rëndësishëm midis autoriteteve Baske dhe Fondacionit Solomon R. Guggenheim gjatë periudhës së rigjenerimit të qytetit të Bilbao, ky muze u përurua në tetor 1997. Gjeometritë mbresëlënëse të ndërtesës - vepër e arkitektit Frank Gehry - lindin në zonën e vjetër industriale të qytetit, në fund të lumit Nerviòn. 

MUZEU OSCAR NIEMEYER, Brazil

U hap midis 2002 dhe 2003 dhe me nofkën “syri”, muzeu u krijua nga arkitekti legjendar brazilian emrin e të cilit mban, i cili e pa atë të përfunduar në moshën 95 vjeç. Sipërfaqja prej rreth 186 metra katrorë pret vepra të shumta të artit ndërkombëtar dhe pjesë nga vetë Niemeyer.

MUZEU BRITANIK, Angli

Thelbi i muzeut u krijua nga arkitekti Robert Smirke me një stil neo-klasik të frymëzuar fuqimisht nga Greqia e Lashtë dhe hapi dyert në vitin 1852. Në vitin 2000 arkitektët e Fosters an Partners krijuan një Oborr të Ri në oborrin e madh të brendshëm të muzeut i cili, me çatinë e saj të pabesueshme prej xhami, e bëri atë hapësirën më të madhe të mbuluar në Europë.

MUZEU ROYAL ONTARIO, Kanada

Ky muze është më i madhi në vend dhe mburret me një koleksion prej më shumë se 6 milionë copë. Ndërtesa origjinale që daton nga shekulli i njëzetë u rinovua me ndërtimin e një fasade të re të projektuar nga Studio Daniel Libeskind përuruar në vitin 2007 dhe e përcaktuar si simboli i ri i qytetit.

MUZEU SOUMAYA, Meksikë

I themeluar në vitin 1994, muzeu privat përbëhet nga dy vende që shtrihen midis Plaza Loreto dhe Plaza Carso. Pjesa e dytë, përuruar në 2011, u projektua nga arkitekti Fernando Romeo dhe karakterizohet nga një strukturë e lartë 46 metra e mbuluar me 16,000 pllaka alumini gjashtëkëndëshe. Gjashtë katet e muzeut përmbajnë vepra me origjinë kryesisht meksikane dhe europiane - përfshirë koleksionin më të madh të pikturave të Rodin jashtë Francës.

MUZEU HERMITAGE, Rusi

Është një nga muzetë më të mëdhenj dhe më të vjetër në botë, i cili u hap në 1764 nga Perandoresha Katerina e Madhe dhe strehon më shumë se 3 milionë pjesë arti. Kompleksi muzeal përbëhet nga një seri ndërtesash duke përfshirë Pallatin e Dimrit - kryesisht të projektuar nga italiani Francesco Bartolomeo Rastrelli.

MUZEU I ARTIT ISLAMIK, Katar

Projektuar nga arkitekti IM Pei, fitues i Çmimit Pritzker, i cili në moshën 91 vjeç udhëtoi nëpër vendet më të rëndësishme arabe në mënyrë që të merrte frymëzimin e duhur për projektin e tij. Struktura prej guri gëlqeror qëndron në tokën e rikuperuar me pamje nga bregu i Doha dhe strehon pesë kate të artit islam për më shumë se 1.400 vjet.

MUZETË E VATIKANIT, Itali

Muzetë e Qytetit të Vatikanit u hapën nga Papa Julius II në shekullin e 16-të. Kompleksi përmban 52 galeri dhe është një nga muzetë më të mëdhenj në botë; koleksionet e skulpturave dhe pikturave fetare përmbajnë vepra nga Raphael, Titian dhe Caravaggio. Dhoma e fundit e itinerarit të muzeut është Kapelja e mrekullueshme Sistine, tavani i famshëm i të cilit u afreskua nga Mikelanxhelo dhe ambientet e brendshme të të cilit u dekoruan nga artistë të mëdhenj si Perugino dhe Botticelli.

MUZEU KOMBËTAR I ARTIT, Japoni

Pas prishjes së ndërtesës origjinale në vitin 1970, César Pelli projektoi strukturën e re, e cila u përurua në vitin 2004. Pjesa më e madhe e muzeut është nën tokë. Pika e fortë e këtij muzeu është faktori frikë; Studio Pelli ka krijuar një hyrje të bërë nga një ndërthurje qelqi dhe çeliku e krijuar për t’i ngjarë një kallami bambu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë