Kosova

Muaji i acarit mes Ramës e Kurtit

Nga Megi Iskurti - Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës duket se kaluan “në një nivel delikat” kur më 13 qershor, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të anulohej mbledhja e dy qeverive e cila ishte parashikuar të mbahej një ditë më vonë, në Gjakovë.

Me arsyetimin se situata në veri të Kosovës po agravonte me orë me bashkësinë euroatlantike (Prishtina rrezikonte sanksione nga BE-ja) Rama deklaroi se i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit një takim kokë me kokë, në një format më të ngushtë për të diskutuar zgjidhjen e krizës në veri.

Por ky i fundit nuk e kishte pranuar këtë ndryshim të beftë të planeve dhe sipas Ramës kishte insistuar sërish në realizimin e mbledhjes.  

Megjithatë, diskutimet për një “krisje” të raportit mes të dyve kishin nisur të zienin përpara 13 qershorit.

Më 8 qershor, në një konferencë urgjente për tensionet në veri, Rama bëri të ditur se i kishte dërguar Presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz një dokument konfidencial për draft-statutin e Asociacionit.

“E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do Asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën me lloj lloj arificesh.

Besoj se krijimi i Asocacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afrimit ndërkombëtar të Kosovës. Është një draft i punuar nga ekspertë  të pavarur amerikanë dhe evropianë prej kohësh", tha Rama ndërsa shtoi se për të nuk ishte konsultuar me Kurtin.

Por disa ditë me vonë, jo pa ironi, gjatë një konference për shtyp me gazetarët Kurti u përgjigj se nuk e kishte lexuar draftin e Ramës por do të ishte më mirë që atë të ia prezantonte Vuçiçit për shqiptarët e Preshevës.

“Besoj se propozimi i tij është i mirë. Duke qenë kështu atëherë krejt çka unë propozoj është që Rama këtë draft statut t’ia prezantojë presidentit të Serbisë në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë. Kushtetuta e Shqipërisë thotë se duhen mbrojtur të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit”, deklaroi Kurti.

Pas kësaj, Rama deklaroi se ai nuk ishte prekur nga komentet e kryeministrit të Kosovës megjithatë në 32 vjetorin e PS në 12 qershor ai shtoi se me Kurtin kanë qëllime të njëjta por pranoi se rrugët e tyre janë gjithmonë e më të ndara.

Më 27 qershor ai hodhi idenë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë teksa bisedoi për këtë çështje në Bruksel me disa zyrtarë të lartë europianë, përfshirë edhe presidentin e KiE, Charles Michel (i cili deklaroi se e mbështeti këtë ide).

Por Albin Kurti u tregua i prerë kur gjatë një vizitë në Prizren e hodhi poshtë me skepticizëm këtë ide.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit.

Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të implementohet marrëveshja bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë të drejtë e të balancuar. Kjo duhet të bëhet”, deklaroi ai.

Të enjte pak dita pasi Rama njoftoi të mbyllur nismën aq shumë të debatueshme të ‘Ballkanit të Hapur’ (1 qershor), për të cilën Rama dhe Kurti nuk kanë qenë kurrë në një mendje, shefi i qeverisë shqiptare pritet të nisë turin e tij në rajon, ku do të takohet me krerët e pesë shteteve, por këtë herë në kuadër të procesit të Berlinit.

Iniciativa e Ballkanit të Hapur, të cilës Kurti nuk pranoi kurrë që t’i bashkohej, ka qenë ngahera një çështje që ngjallte diskutim mes dy kryeministrave të cilët nuk lëvizën kurrë asnjë milimetër nga qëndrimet e tyre.

Por në një konferencë për media (5 qershor), Albin Kurti e refuzoi sot takimin bilateral me Ramën (i cili nesër 6 korrik, do të vizitojë Prishtinën) duke deklaruar se do e takonte vetëm nëse do të mbahej mbledhja e dy qeverive.

“Në rast se nuk mbahet mbledhja për firmosjen e 13 marrëveshjeve që kanë ngelur në sirtar, nuk do të ketë takim tjetër”, citoi Kurti duke ngritur sërish jo pak pikëpyetje për raportet mes tyre.

A po shkohet njëmend drejt një ‘krize’ të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë ndërsa një krizë aktuale është ende e nxehtë në komunat veriore me shumicë serbe?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë