Politike

17 orët e Ramës në Prishtinë që nuk sollën takim me Kurtin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u duk jo pak qejfmbetur që nuk u prit ditën e djeshme në takim nga homologu i tij në Kosovë, Albin Kurti. Megjithatë, ai hodhi poshtë pretendimet për një krisje të marrëdhënieve mes tyre.

Përpjekjet 17 orëshe të Ramës (arriti në Prishtinë të enjte në orën 16:00) për të ‘siguruar’ një takim me Kurtin zunë fill që mëngjesin e djeshëm nga Rinasi (6 korrik) kur ai deklaroi se kishte dërguar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës 13 marrëveshjet që kishin ngelur pezull nga mbledhja e dy qeverive e cila nuk u mbajt dot në Gjakovë më 14 qershor.

Kjo për shkak se Kurti insistoi që nuk do të kishte një takim bilateral me Ramën nëse nuk do të mbahej mbledhja e përbashkët e dy qeverive. Megjithatë, ndonëse Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi se kishte pranuar marrëveshjet, nga kabineti i Kurtit nuk pati asnjë reagim.

Heshtje pati sërish edhe kur Rama ndërsa po zhvillonte një konferencë për shtyp në Shkup sëbashku me homologun Dimitar Kovaçevski tha se kishte shpresa që Kurti nuk e kishte harruar kanunin “që kur vjen dikush në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera”.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ku u diskutuan proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, ai u prit më tej nga kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili tha se vendimi i Kurtit duhej respektuar dhe e konsideroi si “lëndim” anulimin e mbledhjes së dy qeverive.

“Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë sepse pa arsye madhore anuloi mbledhjen e shumëpritur të qytetareve të Kosovës. Nuk është acarim i raporteve aq sa mos të takohen fare. Unë do e kisha përdorur shprehjen lëndim, ne u lënduam nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive, po jo aq sa mos ta presim Ramën”, deklaroi Konjufca i cili pati një koment edhe për Asociacionin.

Ndonëse tha se Rama e kishte garantuar se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Konjufca nënvizoi se propozimi i tij përkon me një autonomi të serbëve në veri.

Por Rama u përgjigj me ironi se ata nuk e dinë çfarë përmban Asociacioni.

“Këta se kanë lexuar, nga e dinë këta, apo më shohin mua në portret dhe më shikojnë filxhanin”, tha ai.

Ndërsa Rama zhvillonte paralelisht takimet me Osmanin e Konjufcën, Kurti la zyrën e kryeministrisë në Prishtinë dhe refuzoi t'u përgjigjej gazetarëve të cilët e pyetën nëse do mbahej një takim.

Kurti duke u larguar nga kryeministria ndërsa Rama ishte në takim me Konjufcën

Më tej në mbrëmje, në një intervistë për Klan Kosova, Rama thekoi se nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga Kosova për mosmbajtjen e takimit me Kurtin, duke shtuar se të gjitha shtetet e Ballkanit i kanë kthyer përgjigje për vizitat që po kryen në kuadër të turit rajonal.

Rama e priti një përgjigje sa në godinën e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë e sa në hotel, pasi u fol për një darke me Kurtin ose mëngjes pune, në mungesë të takimit zyrtar.

“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që ‘shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’. Dhe kur thuhet ‘miku’, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt", tha ai ndërsa theksoi se nuk ka asgjë personale me Kurtin por nuk pajtohet me politikën që ai po bën së fundmi.

Megjithatë ai sërish insistoi në rëndësinë e mbajtjes së takimit duke shtuar se ishte i nevojshëm për shkak të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në tetor.

“As në rininë time nuk i kam shku mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim, edhe për takimin e mëparshëm. Nuk e konceptoja dot që në raportin që do bëjmë për Berlinin të shkruajmë nga Kosova s’kemi ndonjë material, propozim se s’kemi arritur të kontaktojmë. Më ka ngel hatri”, tha Rama në Klan Kosova.

So t(7 korrik) Rama është larguar nga Prishtina ku në ditën e dytë të turit ballkanik, do të ndalet në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe Serbi.

"Me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon", shkroi Rama në facebook dhe fluturoi drejt Bosnjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë