Politike

Rama: I kam dorëzuar draft për Asociacionin Macronit dhe Scholzit. Situata alarmante. Në lojë është fati i Kosovës, s’mund të rri spektator

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama në një konferencë për tensionet në veri të Kosovës ka bërë të ditur se i ka dërguar Presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz një dokument konfidencial për draft-statutin e Asociacionit.

“Unë jam këtu për të ndarë një fakt të panjohur deri më sot. E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do Asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën me lloj lloj arificesh.

Besoj se krijimi i Asocacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afrimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në OKB dhe forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.

Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit gjerman Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Presidentin e KE si dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë  të pavarur amerikanë dhe evropianë prej kohësh", tha Rama ndërsa shtoi se uron që ky dokument të vlejë për të çuar dialogun në një tjetër nivel.

"Nuk mund të qëndroj spektator duke parë se si tkurret Kosova në sytë e atyre që e krijuan si shtet", tha ai.

Sipas tij, nëse forcat e huaja marrin nën kontroll veriun, Kosova do të kthehet pas në bisedime.

“Unë nuk kam marrë përsipër që të hyj në mes të askujt, nuk është kjo detyra ime. Kam marrë përsipër që të kontribuoj në dialog përmes kumbarëve të dialogut. Ju takon Macron dhe Scholz që të bëjnë këtë kontribut. Tani ishte gati për t’u bërë dhe kushtet për t’u bërë duke parë se në vend që të ulen në tryezë, njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtri në kufi me Kosovën.

Të dy e dinë se as njëri apo tjetri nuk është aty për të zgjidhur problemin që është Asociacioni, thelbi i kësaj marrëveshje.

Ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe shumëçka që kanë hyrë në atë shtëpi. Nëse ndërkombëtarët i kthejnë shpinën asaj shtëpie, ajo futet në ditët e saj më të zeza. Nuk jam këtu për të bërë komente për Albin Kurtin. Ai është kryeministër i Kosovës, e kam mbështetur në procesin e dialogut. E kam mbështetur dhe kur disa qorra u ngritën që ta sulmonin si tradhtar me presidentin e Serbisë, pasi ajo është rruga. Për njohjen e ndërsjellët punojmë të gjithë. 5 vende në mes të Europës nuk e njohin akoma. Ajo që mund të ndodhë është shumë e rëndë.

Nëse trupat e huaja do të marrë veriun e Kosovës, çështja do të kthehej në tryezë kushedi pas sa vitesh. Ky është ai moment në historinë politike ku minuta bën vitin, ora dekadën dhe dita shekullin”, deklaroi Rama i cili tha se drafti që ai ka propozuar nuk do të bëhet publik.

 I pyetur nëse e ka konsultuar draftin e tij të propozuar për Asociacionin me Albin Kurtin, Rama e mohoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë