Biznes

1 mld lek për projektin e Portit tregtar në Porto Romano

Autoriteti Portual i Durrësit ka hapur tenderin 1 mld lek për projektin e Portit të Ri tregtar të Integruar në Porto Romano, pa TVSH.

Porti i ri do të jetë vetëm për mallrat, pasi projekti i portit të Durrësit nga Emiratet e Bashkuara, është planifikuar të jetë në funksion të turizmit dhe pasagjerëve, prandaj përpunimi i mallrave do të zhvendoset në një port tjetër.

Afati i për përgatitjen e ofertave është deri më datë 9 korrik 2021 dhe konsulenti do të asistojë projektin për 8 muaj.

Vetë autoritetet portuale janë shprehur më herët që një ndryshim i tillë do të jetë shumë sfiduese për ato.

Presidenti Ilir Meta e pati kthyer për rishqyrtim në Kuvend shtesën e kontratës së koncesionit të Porto Romanos, miratuar në seancën e 30 prillit nga Parlamenti, duke deklaruar se ajo shkelte parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”.
Shtesa ishte një kërkesë e kompanisë koncesionare, që iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës që në muajin shkurt. Kjo e fundit e dorëzoi në Kuvend dhe pas miratimit në Komisione ndryshimi i kontratës u votua nga deputetët.
Sipas objektit të kësaj shtese kompania synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, marrjen e masave për parandalimin e ndotjes detare gjatë operacioneve të ngarkimit dhe shkarkimit të karburanteve, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Por, pika që ka bindur Presidentin Ilir Meta që ta rikthejë në Parlament këtë ligj është pika 5. Sipas kontratës ekzistuese, shoqëria “Porti MBM – Porto Romano” ka të drejtë që të ngarkojë dhe shkarkojë vetëm anijet që transportojnë hidrokarbure. Në pikën pesë të shtesës së kontratës, ajo kërkon që ta zgjerojë shërbimin duke ofruar edhe trajtimin e anijeve që transportojnë mallra të tjera ndaj klientëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë