Ngjarje

Papa kundër Papës: Si konflikti i nxehtë mes Françeskut dhe Benediktit mund ta ndajë kishën


JohnCornwell/ Vanity Fair – Mbi një pjatë fetuccine me dy vezë dhe dy shishe “ChiantiAntinori” në tratorinë tonë të zakonshme,  në qytetin e lashtë të Romës, monsinjori i Vatikanit bën thashetheme mbi të ndjerin Papa Gjon Palin e II: sesi hidhte pasrroje “Penhaligon” nga Harrods i Londrës; sesi kur ishte peshkop në Poloni, Papa i ardhshëm bënte kamping me shoqen e tij filozofe Anna-Teresa Tymieniecka. Tani, po më rrëfen sesi Gjon Pali, me tallje, bëri një përshëndetje të përmbajtur naziste, pas shpinës së një grupi peshkopësh gjermanë, që po largoheshin. “Kur ngrita vetullat duke mosmiratuar sjelljen e tij groteske”, thotë monsinjori, “ai më goditi fort në krah. Më dhembi!” Ai është Deep Throat-iim, Sotto Voce-ja, furnizuese i pëshpëritjeve të paatribuueshme, në manastiret e Vatikanit. Një anëtar i nivelit të mesëm,  të burokracisë së Vatikanit, i njohur si Oborripapal, ai gjestikulon butë me kyçet e duarve, duke shfaqur manshetat krejt të bardhë me tokëza të florinjta. “Ky vend”, thotë me një buzëqeshje vetëdijshëmironike, “pluskon në një det ligësie!”

Para pak, ai po qahej rreth Papa Françeskut: Është i butë me homoseksualët, lesbiket dhe transeksualët. Dhe si guxon ai të kritikojë Oborrin papal, të na akuzojë për Alzhaimer shpirtëror?! Vetëm sepse papati i tij është duke u shthurur.” Sotto Voce-ja është i inatosur për fshikullimin që Papa Françesku u bëri kardinalëve kurialë, katër vjet më parë, rreth  “sëmundjes së rëndë” të thashethemeve. Papa pat thënë: “Vëllezër, le të ruhemi kundër terrorizmit të thashethemeve”. Afërmendsh që,  Papa Françesku do të zhvoshkë tregtarët e thashethemeve, pasi është shpesh objekti i gjuhëve të tyre të mprehta. Sot, Kisha Katolike, është e përçarë nga një garë shkatërrimtare pushteti mes konservatorëve dhe liberalëve që rivalizojnë betejën e engjëjve të eposit të Miltonit,  “Parajsa e Humbur”. Kush janë pushtetet e dritës? Kush janë pushtetet e errësirës? Varet cilën anë merr në sulmet e teksteve, tweet-eve dhe blogjeve, si edhe trumbetimin e medies katolike. Në Regjistrin Kombëtar Katolik, shkrimtari i mirënjohur katolik, Vittorio Messori ,e akuzoi Françeskun se po krijonte një Kishë, në të cilën “gjithçka është e paqëndrueshme dhe e ndryshueshme”. Në Reporterin Kombëtar Katolik, studiuesja e studimeve  katolike, Nancy Enright, ka vëzhguar se Papa Françesku i shëmbëllen “Jezuit në përçimin e vështrimit të mëshirës tek miliona njerëz, në nevojë për të.”

Papa Benedikti XVI, me këpucë të kuqe rubini dhe mantelin e kuq, në vizitën e parë shtetërore të një Pape, në Britani, Londër, shtator, 2010. Fotografia: Stefan Wermuth/Getty Images.

Kur u tërhoq, ultra-konservatori Papa Benedikti XVI, pritej të largohej nga horizonti, duke i hapur rrugën pasardhësit liberal, Françeskut, për të pastruar shtëpinë, në Vatikanin dukshëm të korruptuar. Por ndryshe nga sa pritej, ai qëndroi, duke ngritur skenën për një mosmarrëveshje destabilizuese mbi moralin, teologjinë dhe trashëgiminë e frikshme të Kishës me abuzimin seksual.

Ajo çka e bën këtë perspektivë ndarjeje brenda Kishës më të ashpër dhe shumë më me rrezik, sesa grindja e zakonshme, është prania e dy Papëve, të dy banues në Vatikan, secili me ndjekësit e vet besnikë dhe të potershëm. Liberalët kanë Françeskun, por konservatorët kanë pararendësin e tij, Benediktin XVI. Nëse Françesku është Papa i gjallë dhe sundues, Benedikti është hija e tij, i pakalluri Papë Emeritus.

Më 2013-ën, Benedikti u dorëhoq beftë nga papati i tij. Ishte i pari Papë që e bënte këtë,  në pothuajse 600 vjet. Pas kësaj, ai, siç shumë e pritën, nuk u largua drejt manastirit në hije, të Bavarisë. Ai qëndroi, duke pranuar ende titullin “Shenjtëria e Tij”, ende duke mbajtur kryqin pektoral të Peshkopit të Romës, ende duke botuar, duke dërguar mesazhet e regjistrimeve të tij, ende duke takuar kardinalë, ende duke bërë deklaratë, ende i angazhuar. Ekzistenca e tij siguron inkurajim për kritikët konservatorë, që duan të minojnë sundimin e Françeskut.

Merrni shembull Matteo Salvinin, zëvendëskryeministri populist i Italisë dhe kreu i Partisë së ekstremit të djathtë, Lega. Salvini ka bërë thirrje për kontroll të emigracionit dhe bllokimin e emigrantëve të paligjshëm dhe kritikon nxitjen e Papës për të mirëpritur të gjithë refugjatët. Salvini, i cili është miqësor me Steve Bannon dhe kardinalin anti-Françesk Raymond Burke, është fotografuar teksa mban një bluzë me shprehjen IL MIO PAPA È BENEDETTO ( Papa im është Benedikti”) dhe një imazh me pamje të dëshpëruar të Françeskut.

Papa Françesku dhe ambasadorët në Selinë e Shenjtë, në Kapelën Sistinë, Janar, 2017. Foto nga Vatican Pool/Getty Images.


Armiqësitë arritën lartësi të reja gushtin e shkuar, kur Françesku vizitonte Irlandën. Arqipeshkvi Carlo Maria Viganò, nunci zyrtar papal në Uashington dhe, një konservator i njohur, publikoi  një letër që, akuzonte Françeskun se, kishte mbyllur njërin sy ndaj abuzimit seksual dhe i bëri thirrje të dorëhiqej si Papë. Akuza më e rëndë e Viganò-s ishte se, Françesku kishte hedhur poshtë sanksionet që Benedikti kishte vendosur për kardinalin amerikan Theodore Mçarrick, i akuzuar për abuzim seksual me seminaristë të rritur, si edhe me djemtë e altarit. (McCarrick e mohon këtë.) Iu desh Vatikanit gjashtë javë t’i përgjigjej kësaj letre, megjithëse Viganò ishte i sigurt se po fliste rreth tij, kur u kërkoi katolikëve t’i luteshin Shën Mërisë dhe Shën Mikel Kryeengjëllit të “mbronin kishën nga djalli, që kërkon gjithnjë të na ndajë nga Zoti dhe nga njëri-tjetri.” Në kohën që, Vatikani lëshoi një deklaratë që dënonte akuzat e Viganò -s si “të rreme” “blasfemuese” “të neveritshme” dhe të motivuara politikisht, popullariteti i Françeskut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kish rënë me 51 përqind, 19 pikë më poshtë se kishte qenë në janar të 2017-ës.

Është e vështirë të fajësohen mbrojtësit e Françeskut se, kishin këndvështrim skeptik ndaj zemëratës konservatore mbi menaxhimin që,  papati i bëri abuzimit seksual. Françesku kishte shkuar edhe më tej, se Gjon Pali II dhe Benedikti, për të bërë me dije se Kisha Katolike mban përgjegjësi të turpshme për skandalet e abuzimeve seksuale që kanë shpërthyer në botë, në dekadat e fundit. E megjithatë, instinkti për dhembshuri i Françeskut – dhe ndoshta, urrejtja e tij ndaj thashethemeve – e çoi drejt një sërë gabimesh të detyruara.

Në gusht, një juri e madhe e Pensilvanisë raportoi prova të një mbulimi të gjerë të abuzimit seksual nga udhëheqësit e Kishës, përfshirë Kardinalin Donald Wuerl, Arqipeshkvin e Uashingtonit. Françesku u përgjigj duke pranuar dorëheqjen e Wuerl-it, po, por gjithashtu duke e lëvduar këtë të fundit për “fisnikërinë” e tij dhe, duke i kërkuar të vijonte me drejtimin e Arqidioqezës, derisa të gjendet zëvendësuesi. Më herët këtë vit, Françesku, u ngut në mbrojtjen e peshkopit kilen, i akuzuar për mbulim të abuzimit seksual, vetëm për të kundërshtuar veten pas raportit prej dymijetreqind faqesh që,  kishte porositur e që kishte pikturuar një tablo të pagabueshme shkeljesh. Shkoklavitja e kësaj trashëgimie turpi mund të ishte sfidë e mjaftueshme për një Papë, i cili nuk po ruante shpatullat nga pararendësi i tij.

Papa Emeritur, Benedikti  XVI dhe Papa Françesku

Me ç’mund të krahasohet kjo rrethanë dy Papësh? Jemi në sferën e arketipave dhe miteve. Mendoni Mbretin Lir, i cili dha gjithçka e megjithatë mbeti në kontroll, katastrofik apo Fantazma e Hamletit. Vetëm prania e një ish-Pape,  ka qenë e mjaftë për të testuar karakterin dhe pavarësinë e Françeskut, nga dita e parë.

A do të kishte nisur reformimin e Koncilit të Dytë të Vatikanit i gëzueshmit Gjoni XXIII, nëse Piu XII, pararendësi i tij autokrat, do të kishte vështruar ngrysur nga një dritare aty ngjitur? Dhe a do të kishte shkundur Gjon Pali II, pemën e kalbur të Bashkimit Sovjetik, nëse nguruesi, i ankthshmi, Pali VI, i cili kishte parashikuar një marrëveshje të Vatikanit me Moskën, do ta  përgjonte pas shpine? Cilido qoftë drejtimi i papatit, i majtë a i djathtë, për të mirë a për të keq, është epërsia unike, ekskluzive e një Pape në kohën e vet që i dorëzon autoritet të epërm dhe pushtet postit të tij. Besnikëria në kohë të mira e të liga e një Prifti të Lartë në të gjallë të tij, është sekreti i hapur i unitetit katolik.

Por, në vend të kësaj, përçarja mes besnikëve të Françeskut dhe kryengritësve të Benediktit kërcënon të provokojë ndarjen më të madhe në Kishën Katolike, qysh prej Reformimit të shekullit të 16-të, kur Martin Luteri dhe reformatorë të tjerë fetarë udhëhoqën revoltën protestante kundër Vatikanit. Ashtu siç Diarmaid MacCulloch, profesor i historisë së Kishës, më thotë: “Dy Papët janë recetë për skizma.”

Një figurë kyçe në rivalitetin e Papëve binjakë është një arqipeshkv i pashëm, Georg Gänswein, i njohur për aftësitë në ski, tenis dhe bella figura-n e tij në rrobaqepësi. Ai është shumë i njohur si “I mrekullueshmi Georg”. Ai është sekretari dhe kujdestari i Benediktit dhe jeton me Papën Emeritus, në një manastir të rinovuar me shumë dhoma, pas një gardhi të madh me kangjella të larta në kopshtet e Qytetit të Vatikanit.

Në mëngjesin e 11 shtatorit të 2018-ës, Gänswein mbajti një fjalim në bibliotekën e Dhomës së Deputetëve të Italisë përpara një mbledhjeje të studiuesve të politikave. Ai promovoi vizionin e Benediktit për Kishën Katolike. Rasti ishte prezantimi i botimit në gjuhën italiane i “Opsioni i Benediktit” , nga Rod Dreher, një redaktor i vjetër në revistën “Konservatorët Amerikanë” dhe një “konservator zhurmëmadh” i vetëcilësuar. Në libër, Dreher, lëvdon murgun e shekullit të gjashtë, Shën Benediktin,  për ruajtjen e kulturës së krishterë në manastiret e largët gjatë Epokës së Errët. Kriza klerikale me abuzimin seksual, u shpjegoi Gänswein grupit, është Epoka e Errët Kishës – 11 shtatori i botës katolike.

Fjalimi i Gänswein-it u interpretua, jo të paktën nga Dreher-i vetë, se kishte domethënien se shpëtimtari i kësaj Epoke të sotme të Errët, nuk ishte tjetër veç Papës Emeritus, Benedikt. Qysh prej vitevesi Kryerojë doktrinar i Katolicizmit, duke nisur nga 1981-shi, Benedikti, i njohur asokohe si Kardinali Joseph Ratzinger, kishte advokuar formacionin e një Kishe më të vogël, të pastruar nga papësosmëritë. Vizioni papal i Françeskut shkon diametralisht kundër.

Ai përkrah një kishë me një çati të madhe, të mëshirshme me mëkatarët, mikpritëse me të huajt,e respektueshme dhe tolerante me besimet e tjerë. Ai kërkon t’u japë zemërdyshuesve, të ngushëllojë të abuzuarit dhe të pajtojë të përjashtuarit prej orientimit të tyre. Ai e ka përafruar  Kishën me një “spital fushor” për të sëmurët dhe të lënduarit në shpirt. Kundër sfondit të një Kishe, në luftë me veten ndaj abuzimit klerikal, Gänswein ka dalë si promovuesi i agjendës alternative papale të Benediktit. Më 20 maj të 2016-ës,ai deklaroi se Françesku dhe Benedikti, së bashku, përfaqësonin një post papal të vetëm, të “shtrirë” me një anëtar “aktiv” dhe një “soditës”. Françesku e refuzoi atë nocion duke thënë: “Ka vetëm një Papë.”

Qysh atëherë, marrëdhënia Françesk-Benedikt duke se është përkeqësuar. Në korrik të 2017-ës, Gänswein lexoi një letër nga Benedikti, në funeralin e kardinalit konservator Joachim Meisner, arqipeshkv emeritus i Kolonjës, Gjermani. Letra kishte një rresht që mund të lexohej si thellësisht destabilizues i pontifikatit të Françeskut. Benedikti, përmes Gänswein-it, tha se Meisner ishte i bindur se “Perëndia nuk e braktis Kishën e Tij, edhe nëse varka ka futur shumë ujë sa të jetë në prag të përmbysjes.” Varka e Kishës është një metaforë e fuqishme, antike. Papa i gjallë është kapiteni në barkën e Shën Pjetrit. Benedikti u duk sikur tha, në fjalë të tjera, se Kisha nën komandën e Papa Françeskut po mbytet.

Papa Franceku, në daljen e parë si Papë, 2013

Rojtarët e Papës vunë re se Meisner ishte një nga katër kardinalët që kishte ngritur dyshime teologjike rreth Amoris Laetitia (“Gëzimi i Dashurisë”), një letër e rëndësishme pastorale e shkruar nga Françesku drejtuar botës dhe u botua në prill të 2016-ës. Papa kish kërkuar të inkurajonte simpatinë për katolikët e divorcuara dhe të rimartuar – që, sipas mësimeve të Kishës, ndalohen për të marrë Kungim. Katër kardinalët kundërshtuan çdo ndryshim në mësime. Duke pasur parasysh se 28 përqind e katolikëve të martuar amerikanë divorcohen, dhe shumë kërkojnë të martohen sërish, kjo do të thotë se një masë e konsiderueshme po “jetojnë në mëkat.” Françesku u lut për një ndryshim që do t’i sillte katolikët prapë në grigjë. Letra e Benediktit për Kardinalin Meisner mund të jetë marrë si një shenjë se Papa Emeritus, gjithashtu, nuk bie dakord me liberalizmin e Françeskut.

Çështja e divorcit dhe rimartesës është një nga pikat më domethënëse të grindjes, mes liberalëve të Françeskut dhe konservatorëve të Benediktit. Në fund të fundit, ashtu siç tregojnë konservatorët, Jezui e ndaloi divorcin – është në Ungjijtë. Një katolik mund të kërkojë divorc civil, por mëkati qëndron tek rimartesa dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale. Kisha e konsideron këtë kurorëshkelje. Historiani katolik, Richard Rex, profesor i historisë së Reformacionit në Kembrixh, ndërsa shkruante në një revistë konservatore “First Things”, e dënoi kërkesën e Françeskut për shpirtbutësi me pasoja shkatërrimtare: “Një konkluzion i tillë, mund të hedhë në erë përfundimisht çdo pretendim për autoritetin moral nga ana e Kishës. Një kishë, e cila mund të ishte aq e gabuar, për shumë kohë, në një çështje aq themelore për mirëqenien njerëzore dhe lumturinë,  vështirë se mund të mbështetej tek ndershmëria e jo më tek pagabueshmëria.”

Një tjetër përplasje thelbësore është përmbi shkaqet e abuzimit seksual të klerikëve. Konservatorët deklarojnë se duhet fajësuar homoseksualizmi. Në nisje të papatittë tij, më 2005-ën, Benedikti urdhëroi që gay-t të ndaloheshin nga seminaret dhe priftëria. Françesku ka pikëpamje më tolerante. I  pyetur rreth homoseksualizmit gjatë një konference për shtyp më 2013 –ën, ai tha “Kush jam unë për të gjykuar?” Që shumë seminare kanë pranuar gay kjo është përtej dyshimit. Eksperti mbi seksualitetin priftëror, i ndjeri A. W. Richard Sipe, ishte një psikoterapeut, një ish-prift dhe liberal. Ai karakterizohet në mënyrë të gabuar, në filmin “Spotlight” si një“ish-prift hippie që bën qejf me një murgeshë.” Sip, konsideronte se vetëm  50 përqind e priftërinjve amerikanë janë të qashtër dhe se,  të paktën një e treta janë gay dhe mes 6 dhe 9 përqind e priftërinjve janë pedofilë.

Sotto Voce-ja im do të më bënte të besoja se seminari dioqezian i Baltimorës, Shën Mëria, njohur edhe në fjalor rruge si “Pallati Rozë”, ishte “bari gay” më i madh në shtetin e Merilendit. Më 2016-ën, Arqipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin, nuk çoi më studentë në seminarin më të vjetër të vendit, Shën Patrik, Majnuth, pas pretendimeve për ngacmime seksuale. U raportua gjithashtu se priftërinjtë stazhierë po përdornin aplikacionin e takimeve “Grindr” për të dhunuar betimet e tyre të beqarisë dhe se,  seminaristët që ankoheshin, përziheshin.

Kam një përvojë vetjake abuzimi si një seminarist rishtar. Kur isha 17 vjeç, një prift që e quanim Atë Ylberi më ftoi të merrja kungatën e rrëfimit – jo në kutinë e errët të rrëfimit por në privatësinë e dhomës së tij, të ulur pranë njëri-tjetrit,  në karrige. Ai më ofroi një gotë likeri “Tia Maria” dhe një cigare “Sweet Afton” dhe e çoi bisedën drejt temës së masturbimit. Ai më pyeti nëse mund të vëzhgonte penisin tim dhe ta trazonte me duar, “në rast se” ishte i keqformuar dhe pazakonshëm i prirë drejt ereksioneve. U largova nga dhoma menjëherë, i pakunguar. Ai u largua më pas nga peshkopi – dhe u vendos si  kapelan në një shkollë përgatitore për djem edhe më të rinj. E megjithatë, nuk ka fakte që mbështesin pikëpamjen konservatore se homoseksualizmi çon drejt abuzimit seksuale. Marie Keenan, autore e librit autoritar  “Abuzimi Seksual i Fëmijëve dhe Kisha Katolike”, ka shkruar se “kombinimi i të dhënave që po dalin tashmë tregon qartë drejt faktit se orientimi seksual ka pak ose fare peshë në abuzimin seksual të fëmijëve apo mbi përzgjedhjen e viktimave.” Abuzuesit kanë shënjestuar si djem ashtu edhe vajza, gjatë spektrit të zhvillimit fëminor: pubertet, pas-pubertet madhe edhe foshnjëri.

Liberalët e shtrijnë fajin për abuzim brenda Kishës tek “klerikalizmi”;  një kulturë priftërore që i trajton klerikëtsi shpirtërisht  të ndarë, të lartësuar, me të drejta dhe pa përgjegjësi. Procesi i klerikalizmit, thonë ata, nis në seminare, ku priftërinjtë stazhierë izolohen nga bota dhe në fund trajtohen si foshnja. Françesku ka thënë se për shkak të trajtimit të keq, Kisha rrezikon të krijojë priftërinj “përbindësha të vegjël”, të cilët janë më të shqetësuar rreth karrierave të tyre sesa në shërbimin ndaj njerëzve. Katolikët liberalë duan t’i japin fund ligjit të beqarisë, që u mohon priftërinjve martesën. Ata kritikojnë mungesën e priftërisë së grave. Klerikalizmi, thonë ata, inkurajon marrëdhënie të pabarabarta pushteti, që çojnë në abuzimin seksual me të mitur. Kur një prift gabon, prirja është të ruhet sekreti dhe të shtypet çdo skandal që do të zvogëlonte qëndrimin e tij mes popullit.

Papa Françesku përshëndet Papa Emeritusin Benedikt në rezidencën e re të Benediktit,  në Vatikan, nën syrin vrojtues të të “Mrekullueshmit Georg” Gänswein, 23 dhjetor, 2013. Fotografia nga Maurix/Gamma-Rapho/Getty Images.


Ironia e homofobisë së tradicionalistëve, sipas liberalëve, është se shpesh manovrohet  nga klerikët e mbyllur, armiqësia e të cilëve shtypet me mohim dhe turp. Katolicizmi konservator shoqërohet, thuajse me përkufizim, me ritualet e vjetër, si Mesha në Latinisht dhe një dashuri për rrobën tradicionale fetare. Në Europë, priftërinjtë liberalë, me tallje, u referohen jakave romake si “prezervativ i vogël” dhe veladonit si “prezervativi i madh”. Benedikti, si Papë, zgjodhi këpucët e kuqe rubini dhe mantelin me gëzof të kuq. I mrekullueshmi Georg, i njohur gjithashtu me nofkën “Bel Giorgio,” ka qenë frymëzimi përkoleksionin “klerik” të dimrit 2007-2008 të Donatella Versace-s. Françesku nuk do të kishte asnjë nga këto. Ai vesh këpucë të thjeshta, në ngjyrë të zezë dhe, një veladon të bardhë që thuhet se, është prej leshi.

Benedikti shtroi terrenin për një tërheqje të angazhuar më herët. Në fillim të 1990-ës, Gjon Pali II, ndërtoi një rezidencë në kopshtet e Vatikanit, me një kapelë të atashuar, për të strehuar një komunitet prej 12 murgeshash medituese, të angazhuara në lutje të heshtura në mbështetje të papatit. Benedikti, katër muaj përpara dorëheqjes, dhe pa sinjalizuar qëllimin, urdhëroi rinovimin e kuvendit, tani pa murgeshat, për të krijuar një shtëpi pensioni,  të përshtatshme në Vatikan, zyrë dhe faltore, me hapësira të bollshme edhe për kujdestarin e tij. Njerëzit i referohen si “manastiri”. Ngjan më shumë me një pallat.

Në korrik të 2012-ës, ai caktoi peshkopin konservator Gerhard Ludwig Müller si kreun e ri të policisë ortodokse, i njohur zyrtarisht si Kongregacioni për Doktrinën e Besimit. Benedikti do ta ketë ditur, edhe në atë pikë, se po planifikonte dorëheqjen dhe po ngarkonte pasardhësin me një rojtar të linjës së fortë doktrinore, që do të ishte vështirë të zëvendësohej. (Françesku e zëvendësoi Müller-in, vitin e kaluar.) Në një tjetër manovër mbresëlënëse para-dorëheqjeje, Benedikti caktoi Gänswein-in, jo vetëm si sekretari i tij personal, por edhe që të qëndronte si kreu i shtëpisë së papatit. Kjo do të thoshte se Gänswein do të mund të drejtonte apartamentet dhe zyrat e Papës,  në Pallatin Apostolik, ku Papët kishin banuar dhe punuar për qindra vite. Kjo do ta poziciononte Gänswein-in të monitoronte bisedat dhe takimet e Papës së ri. Dhe duke qenë se ky ishte caktimi i fundit, i madh, i Benediktit përpara dorëheqjes, do të ishte e vështirë për Papën e ri, të anulonte urdhrin pa u dukur sikur po tregonte mungesë respekti.

Françesku, në një përpjekje të dukshme për t’ia hedhur Benediktit dhe Gänswein-it, zgjodhi të mos jetonte në apartamentet papale nën kontrollim e Gänswein-it, por në Casa Santa Marta, një bujtinë për klerikët vizitorë, pranë Bazilikës së Shën Pjetrit, ku ka një apartament modest dhe një zyrë të improvizuar. Ai e lejon Gänswein të caktojë dëgjesat në apartamentet papale me figura të mëdha, si mbretër apo krerë shtetesh, por ushqehet në kafene në me vetëshërbim dhe e merr kafenë nga një makinë me monedha.

Stili i thjeshtë i jetës së Papa Françeskut, në kontrast me ekstravagancën e disa prej kardinalëve të tij, është legjendar. Dikush mund të imagjinojë sesi është ndjerë ai rreth 500 mijë dollarëve që ndërruan rrugë më 2014-ën, nga një spital fëmijësh në pronësi të Vatikanit për të rinovuar apartamentin, prej 400 metrash katrorë, të Kardinalit Tarcisio Bertone dhe tarracën në Vatikan. Apo vila prej 2.2 milionë dollarësh e arqipeshkvit amerikan Wilton Gregory, ndërtuar për veten, në Atlanta, më 2014-ën. (Gregory kërkoi falje dhe, më vonë, shtëpia u shit.) Apo 43 milionë dollarët për rinovimin e ndërmarrë, më 2013-ën, nga peshkopi gjerman Franz-Peter Tebartz-van Elst, i njohur edhe si Peshkopi i Blingut (Tebartz-van Elst dha dorëheqjen më 2014-ën.)

Në zgjedhjen e tij, më 1963-shin, Pali VI, shkroi një shënim rreth gjendjes unike të solipsizmit papal: “Kjo ndjesi vetmitare bëhet e plotë dhe e mrekullueshme...detyra ime është të planifikoj: të vendos, të marr çdo përgjegjësi për tëudhëhequr të tjerët, edhe kur duket e paarsyeshme dhe ndoshta absurde. Dhe të vuaj vetëm... Unë dhe Zoti.” Për  Françeskun, ekuacioni ka qenë shumë më i ndërlikuar: Unë, Zoti dhe Benedikti. Dhe ndërhyrja është bërë edhe më e dhimbshme nga faktise, të dy Papët nuk mund të ishin më të ndryshëm se kaq.

Kur ishin të rinj, Benedikti dhe Françesku bënë lëvizje vendimtare në drejtime të kundërta. Të dy ishin jashtëzakonisht inteligjentë dhe u spikatën menjëherë në sferat e zgjedhura të priftërisë. Joseph Ratzinger u lind në Marktl am Inn, Bavari, i biri i një oficeri policie. Ai ishte i detyruar t’i bashkohej Rinisë Hitleriane në moshën 14-vjeçare, por nuk mori pjesë në takime. Ai studioi për priftëri dhe u shugurua më 1951-shin. Akademik nga formimi, teologjia e tij ishte në fillim progresive. Ai u bë profesor në Universitetin e Tübingen-it, kur demonstratat studentore të 1968-ës nxitën një kthim ideologjik. Ai nisi të besojë se refuzimi rinor i autoritetit çon drejt kaosit dhe se,  idetë liberale në Kishë mund të rezultonin në humbje të besimit.

Më 1981-shin, Gjon Pali II, e caktoi Ratzinger-in si kreun e Kongregacionit për Doktrinën e Besimit – më parë e njohur si Kongregacioni i Shenjtë i Postit të Shenjtë dhe përpara kësaj si Inkuizicioni i Shenjtë Roman dhe Universal – ku u përpoq të ruante linjën strikte të mësimeve katolike. Si Gjon Pali i II ashtu edhe Ratzingeri ishin të patundur në moralin seksual, të cilit Gjom Pali i referohej si “seksologji”. Pavarësisht se brezat e rinj të katolikëve jetonin bashkë përpara martesës, duke praktikuar kontraceptivin, duke dalë hapur si gay dhe lesbike, duke u shkurorëzuar dhe rimartuar. Papa dhe përforcuesi i tij doktrinar predikonin moralin seksual të epokave të mëparshme, duke refuzuar edhe të falnin përdorimin e kondomëve për katolikët afrikanë me HIV. Vetëkontrolli ishte rekomandimi i tyre shkatërrimtar. Vetëm më 2013-ën, sëmundjet e lidhura me AIDS-in morën jetët e 1.1 milionë njerëzve në Afrikën sub-Sahariane’ 74 përqind e së përgjithshmes globale.

 “Reformimii Romës është si pastrimi i sfinksit të Egjiptit me një furçë dhëmbësh”- Papa Françesku

Gjatë papatit të tij 8-vjeçar, Benedikti dëshmoi me tmerr atë që e kishte përkufizuar si “pisllëku” në Oborrin Papal. Dokumentet e rrjedhura kanë ekspozuar korrupsion financiar, shantazhe dhe skema të pastrimit të parave. Lajmet e zinxhirit të seksit në Vatikan dolën në dritë. Në Mars të 2010-ës, një 29-vjeçar, anëtar i korit të Bazilikës së Shën Pjetrit, u pushua sepse akuzohej se kishte siguruar prostituta meshkuj, përfshi edhe një seminarist, për një pritje zotërinjsh papnorë.

Në maj të 2012-ës, gazetari italian Gianluigi Nuzzi botoi një libër me titullin “Shenjtëria e Tij: Letrat Sekrete të Benediktit XVI”, që përfshinte zbulimin e letrave dhe shënimeve të Papa Benediktit, Gänswein-it dhe të tjerëve. Pallati Apostolik u ekspozua si një strofull gjarpërinjsh zilie, skemash dhe luftërash. Ka detaje të financave personale të Papës, përfshi ryshfetet e tentuara për dëgjesa papale. Në janar të 2013-ës, banka qendrore e Italisë pezulloi të gjitha pagesat bankare brenda Vatikanit për dështimin e Kishës në legjislacionin “kundër pastrimit të parave”.

Benedikti porositi një raport në gjendjen e Oborrit të Papatit nga tre kardinalë të besuar. Iu dorëzua në shkrimore në dhjetor të 2012-ës dhe dorëheqja e tij erdhi dy muaj, më pas. Kjo ishte gjendja e pazareve që Kardinali Arqipeshkv Jorge Bergoglio trashëgoi më 13 mars, 2013. Kur ai u shfaq së pari në ballkonin e Vatikanit, ai mbante veshur vetëm veladonin e tij të bardhë: ai kishte refuzuar të vishte mantelin tradicional në të kuqe të ndezur, zbukuruar me gëzof dhe e mbajti petrahilin papal për vetëm pak çaste. Ai përshëndeti me dorë turmën dhe tha thjesht “Buonasera”. Më pas i kërkoi turmës të lutej për të dhe të bënte gjumë të qetë. Më pas, ai shkoi në hotel, ku kishte qëndruar, për të mbledhur plaçkat e për të paguar faturën. Ky ishte një stil i ri i papatit dhe Oborri nuk e pëlqeu.

Jorge Bergoglio u lind në Buenos Aires më 1936-ën, i biri i emigrantëve në rajoni i Piemontes në veriperëndim të Italisë. Gjyshja e tij kishte mbërritur me anije në të nxehtin e një vere argjentinase e veshur me peliçe, lidhur me paratë e mbledhura nga shitja e shtëpisë dhe biznesit në Itali. Jorge, ishte një djalë i vogël gjatë diktaturës së Juan Perón, një regjim që u kufizua në fashizëm ndërsa i referohej vetes si socialist. Pasi u diplomua në shkollën teknike me një diplomë në kimi, Jorge-ja, mendoi të studionte mjekësi. Por pas periudhës së Damaskut gjatë sakramentit të rrëfimit, ai hyri në një shkollë jezuite, duke nisur kështu një trajnim 15-vjeçar priftërie.

Nga mosha 36-vjeçare, ai u caktua kreu i Jezuitëve të Argjentinës. Në një ndryshim të Benediktit nga progresiv në konservator, Françesku nisi si një i disiplinuar, duke ngulmuar në veshjen korrekte klerike dhe studimet e ngushta tradicionale në latinisht. “Lufta e pistë” në të cilën qeveria argjentinase u ngrit kundër disidentëve dhe armiqve të dyshuar, e ndryshoi atë. Shumë priftërinj u burgosën dhe u vranë, dhe shumë anëtarë të famullisë së tij u zhdukën. Ai u akuzua se nuk bëri mjaftueshëm, për të luftuar regjimin, e megjithatë mbrojtësit e tij sigurojnë se ai jetonte një jetë të dyfishtë, duke ndihmuar ku mundej, në fshehtësi. Nisi të bëhej i njohur për stilin e tij pastoral, aspak tradicional, duke udhëtuar me mjete transporti publik, duke jetuar thjeshtë, duke gatuar vetë. Ai ishte pranë të varfërve dhe të margjinalizuarve. Ai shihej të ulej në një stol duke këshilluar prostituta, në distriktin e dritave të kuqe, netëve. I pyetur për të përshkruar veten pasi u zgjodh Papë, ai tha: “Jam mëkatar.”

Falë vizioneve kundërshtuese të të dy Papëve, katolikët përballen me një zgjedhje mes kërkimit të një ortodoksie të zjarrtë, të llojit të avdokuar nga Benedikti, ose të pranimit të një version më të butë, më human të besimit të tyre, siç predikohet nga Françesku. Siç argumenton filozofi katolik, Charles Taylor, konservatorizmi fetar mbart prirjes e të gjithë fundamentalizmave: për të lënduar dhe vetë-dëmtuar. Liberalizmi fetar mbart rrezikun e relativizmit. Dallimi mes qasjeve shpirtërore të të dy Papëve tregohet nga ekzemplari i zgjedhur nga Benedikti, për ekselencën klerikale: Shën Jean Marie Vianney. Një prift i epokës së pas revolucionit francez, Vianney e fshikulloi veten një natë derisa gjaku u stërkal në mure. Ai fjeti me një shkëmb si jastëk dhe jetoi vetëm me patate të ziera. Ai e shndërroi famullinë e tij në një kamp stërvitjeje shpirtëror, duke ndaluar alkoolin dhe vallëzimin.

Shenjti i parapëlqyer i Françeskut është Shën Françesku i Asizit, me ngulmimin e tij në kujdesin për të varfrit dhe të jetuarit në harmoni me të gjithë krijesat e gjalla. Papa Françesku ka predikuar vazhdimisht kundër shkatërrimit të mjedisit. Ai ka respekt, jo thjesht tolerancë, për besimet e tjerë fetarë. Një ceremoninë e larjes së këmbëve të Meshën e parë të së Enjtes së Mirë, të papatit të tij, më 2013-ën, Françesku përfshiu dy myslimanë dhe dy gra, për tmerrin e kritikëve të tij.

Gjatë kohës së dorëheqjes së tij, më 2013-ën, Benedikti citoi fuqinë e tij që po shterej, por vijoi të mos tregonte asnjë shenjë paaftësie. Në fakt, në moshën 91-vjeçare, ai duket tejet i gjallë. Në Testamentin e Fundit, një libër i 2016-ës me gazetarin Peter Seewald, Benedict, tha se mjeku i tij e kishte paralajmëruar kundër udhëtimeve të gjata për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Rio, më 2013-ën – zor se ishte arsye për të marrë një hap të rëndësishëm historik sa dorëheqja e papatit.

Në tetor të 2017-ës, Kardinali Walter Brandmüller, një i besuar i afërt i Benediktit, tha në një intervistë se statusi “Papa Emeritus” ishte një shpikje pa precedentë. Në letërkëmbimin e nxjerrë së fundi, Benedikti u përgjigj prerë komenteve të Brandmüller –it, më 9 nëntor të 2017-ës, duke shkruar se Papët ishin dorëhequr edhe në të shkuarën, edhe pse rrallë: “Çfarë ishin ata më pas? Papa Emeritus? Apo çfarë tjetër? ... Nëse dini një mënyrë më të mirë dhe besoni se mund të gjykoni atë që kam zgjedhur, ju lutem, ma thoni.”

Papa Benedikti duke dalë nga makina. Foto nga Stefan Wermuth/Getty Images.


Në një tjetër letër për Brandmüller-in, që mban datën 23 nëntor të të njëjtit vit, Benedikti shkruan për “dhimbjen e thellë” që abdikimi u shkaktoi “shumë njerëzve” të cilëtai “i kuptonte fare mirë.” Por si mund të ndihet ai tani? Çfarë e sollidorëheqjen e Benediktit? Ç’po mendonte ai? E krahasoj me Thomasà Becket, Arqipeshkvi i shekullit të 12-të të Kantebërit, përshkruar në dramën “Vrasje në Katedrale” të T.S.Elliot, që has katër tundime për t’u bërë martir.

Ndoshta Benedikti u ndesh me katër tundimet për të dhënë dorëheqjen. I pari, tundimi për të shmangur vdekjen e beftë prej ngarkesës së punës dhe ankthit. I dyti, për të shijuar një periudhë të shkurtër të pensionit, të fituar në moshën 85-vjeçare, duke përkëdhelur macen e tij dhe duke luajtur në piano. I treti, për t’ia pasuar detyrën e të pastruarit të “pisllëkut” të Vatikanit, pasardhësit. I katërti dhe i fundit i tundimeve është ai i vetëkënaqjes sublime. Pararendësit e tij të fundit, burra të mëdhenj si Piu i XII, Joni XXIII, Pali VI dhe Gjon Pali i II, prehen në varret nën Shën Pjetrin. Asnjë prej tyre nuk jetoi për të parë pasuesin, ndërsa papatet e tyre kaluan përmes gjykimeve, nga brenda dhe jashtë,  më pas. A u tundua Benedikti të hiqte dorë nga kureshtja e madhe për të dëshmuar ç’do të ndodhte pasi të kishte lënë skenën?

Benedikti ka dëshmuar përpjekjen e Françeskut për të pastruar financat e Vatikanit, duke e bërë Bankën e Vatikanit dhe investimet e saj të besueshme. Ai ka parë Françeskun të vërë në jetë reforma në burokracinë e Vatikanit, duke mbyllur departamente të tërë. Ai mund të ketë lexuar fjalët e ashpra që,  Françesku përdori në Krishtlindjen e 2017-ës duke adresuar anëtarë të lartë të Vatikanit, duke i akuzuar për krijimin e “klikave dhe intrigave” që janë “të çekuilibruara dhe të degjeneruara” dhe se vuanin nga një “kancer që çon në një sjellje vetë-referuese.” Françesku tha se “reformimi i Romës ishte si të pastroje Sfinksin e Egjiptit me një furçë dhëmbësh.” Tani Benedikti e sheh izolimin në rritje të Françeskut nga Oborri Papal, ndërsa zbulime të reja të skandaleve me abuzimin seksual zgjerohen pa asnjë shenjë zvogëlimi. A mund të ketë menduar ai se sa më shumë të mos pajtohen me të, aq më shumë do të më duan mua?

“The Times” i Londrës kohët e fundit ka botuar një imazh të mjegullt të Françeskut që ecën vetëm në Vatikan, i pashoqëruar nga rojet e sigurisë apo shpura. Catherine Pepinster, ish-redaktore e së përjavshmes ndërkombëtare katolike “The Tablet” deklaroi për “The Guardian” se,  imazhi ishte simbol i izolimit të Françeskut: “Ja ku është një burrë që lufton për të gjetur aleatë apo mbështetje nga besnikët katolikë,  në përpjekjet e tij për të reformuar kishën dhe,  përpjekjet e dështuara për të minimizuar krizën e abuzimeve.” Shumë liberalë, tashmë të zhgënjyer me trajtimin e vakët të Françeskut ndaj priftërinjve shkelës, u zhgënjyen edhe më tej nga komentet e tij të fundit që krahasonte abortin me aktin  e “të pajtuarit një vrasës me pagesë.”

Pastaj është çështja e parave. Arqipeshkvi Paul Casimir Marcinkus, kreu kontrovers i Bankës së Vatikanit prej 18 vitesh, do të thoshte dikur “Nuk mund të drejtosh Kishën me Lavde Marisë”. Thesari katolik është i gjerë,  por i kërcënuar nga kriza të ardhshme potenciale. Sipas një investigimi nga Reporteri Kombëtar Katolik, Kisha Amerikane Katolike ka paguar afro 4 miliardë dollarë në kosto të lidhura me rastet e abuzimit seksual të klerit në 65 vitet e shkuara. Dhe si rezultat i skandaleve, anëtarësia e humbur dhe donacionet janë rritur në një shumë prej 2.3 miliardë dollarësh në 30 vitet e fundit. Duke kërkuar falje në emër të Kishës dhe haptazi duke pranuar përgjegjësinë për abuzimin, Françesku rrezikon të paditet së bashku me Vatikanin në një nivel ndërkombëtar. Mundimet e Françeskut janë mjaft të rrepta dhe disa uebsajte konservatore i janë bashkuar Arqipeshkvit Viganò për t’i bërë thirrje që të hiqet mënjanë. Si mund të përmbyset kjo?

Një taktikë do të ishte të argumentohej se Benediktit iu ushtrua presion për të dhënë dorëheqjen, që do ta bënte dorëheqjen e tij të pavlefshme me ligjin kanonik e që, do të nënkuptonte se ai është ende Papa dhe se Françesku është një kardinal i thjeshtë. Një tjetër mund të ishte të deklarohej Françesku një anti-Papë. Mes shekullit të 3-të dhe të 15-të, ka pasur afro 40 anti-Papë – rivalë për papatin, që tërhoqën ndjekës pa u njohur nga Roma.

Që kjo stratagjemë të përparojë, një grup konservator kardinalësh dhe peshkopësh do të duhet të thërrisnin një konklavë dhe të zgjidhnin një Papë të ri. Vetëm nëse Françesku dorëhiqet vullnetarisht, do të kishte dy Papë dhe nëse Benedikti do të ishte ende gjallë, tre. Përçarja do të ishte e paevitueshme. Skizma e shekullit të 21-të do të lëshonte kaosin: gjyqet dhe madje edhe dhuna mbi paratë dhe pronësinë, përfshi kisha, shkolla, seminare, madje dhe kolegje e universitete.

Njëherë me t’u çliruar nga shtrëngimet doktrinore, peshkopkët në një zonë liberale mund të shugurojnë gra, ndërsa priftërinj të tillë nuk do të njiheshin diku tjetër. Peshkopët disidentë mund të mohonin mësimet e Kishës mbi kontraceptimin, divorcin, abortin dhe autoritetin e epërm të Papës. Rendet e mëdha të Kishës – murgj, fretër dhe murgesha – mund të copëzoheshin. Aspekti më i trishtueshëmdhe frikësues i një skizme do të ishin pasoja për klerikët, urdhrin e motrave dhe besnikëve të zakonshëm. Është e lehtë të imagjinohen ndarjet brenda famullive dhe madje edhe familjeve mbi ndasinë konservatore-liberale: konfliktet mes priftërinjve të famullive dhe ndihmës famullitarëve, komuniteteve të ndara religjioze, prindërit dhe fëmijët që mbajnë anë, e gjitha e ndihur dhe e nxitur nga media.

Është tunduese për ta hedhur fajin e kësaj mbi Benediktin, moralisti i rreptë dhe avokati për një kishë më të vogël e më të pastër. Ai është i vetmi që dha dorëheqjen pa u larguar nga skena dhe është i vetmi, ekzistenca e të cilit minon autoritetin e Françeskut. Por ka një arsye për të besuar se Françesku ka arsyet e tij për të dashur të provokojë një krizë. Që nga ditët e para të papatit, Françesku ka folur në mënyra që sugjerojnë se ai po kërkon, po shtyn, madje dhe po nxit një ndryshim masiv brenda kishës autoritare, dogamtike, këmbëngulshëm të pandryshueshme që ka treguar se frutat e saj të hidhura në mijëra besimtarë të rinj të abuzuar nëpër botën katolike. Një spastrim drastik i të drejtave ngulmuese, sekretit, mungesës së përgjegjësisë, pasurisë, tradicionalizmit të vetëkënaqur, mund të ishin kushte të nevojshme për njëfillim të ri.

*Përktheu: Suadela Balliu/  Ky artikull është parashikuar të dalë në numrin e shtypur të dhjetorit 2018 në "Vanity Fair"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë