Ka ndodhur

Mbi 200 kg kokainë me destinacion Shqipërinë kapen në Greqi, ishte fshehur mes arkave me karkaleca (Video)

Gazeta Si - Dy shqiptarë dhe një grek janë arrestuar në Portin e Pireut në Greqi, pasi dyshohet se janë kapur duke transportuar më shumë se 200 kg kokainë të fshehura mes karkalecave të ngrirë, të nisur nga Amerika Latine, me destinacion final Shqipërinë.

Sipas mediave fqinje, lënda narkotike ndodhej brenda 2 kontejerëve që ishin nisur nga Panamaja dhe dyshohet se oficerët e DEA-s amerikane kanë pasur informacion për ngarkesën, e cila dyshohet të përfundonte në territorin shqiptar.

Të arrestuarit janë: Jasona Mërkuri 54 vjeç, Marsel Stafaj 36 vjeç dhe greku Ioannis Biglakis 64 vjeç. Autoritetet kanë publikuar detaje nga operacioni, duke bërë me dije se vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet se do t'i kalonte 5 milionë euro.

Siç rezulton nga hetimet, organizatori i rrjetit është një 54-vjeçari shqiptar Mërkuri, i cili kujdesej për gjetjen e drogës në burim, financimin e blerjes dhe transportit drejt Greqisë, duke e fshehur në kontejnerë e më pas organizimin e shpërndarjes së drogës që vjen nga Panamaja drejt vendeve europiane.

Partneri i drejtpërdrejtë i 54-vjeçarit është një bashkëkombës i tij 36-vjeçar, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për të siguruar kalimin e drogës në portin e Pireut.

Mësohet se të arrestuarit e kishin tërhequr kontejnerin me drogë të fshehur në karkaleca dhe janë kapur nga policia greke në zonën e Aspropirgos.

Burime policore thonë se hetimet dhe operacioni po vijon, pasi dyshohet se ka edhe kilogramë të tjerë kokaine të fshehur.

Autoritetet greke ishin njoftuar prej shërbimeve amerikane për sasinë kokainës në kontejner. Shqiptari, Jasona Mërkuri, rezulton i shpallur në kërkim nga policia greke prej marsit 2017, si financues dhe organizator i një laboratori të drogave sintetike Captagon, ku gjatë operacionit të policisë u sekuestruan 634 mije e 246 tableta dhe u arrestuan disa persona mes të cilëve kunati i tij.

Mërkuri ka përdorur dhe identitetet Andrea Mërkuri dhe Azdren Muharremi dhe dyshohet se ka posedonte më parë një pasaportë serbe.

Ai është biznesmen që zotëron dyqan me veshje në Shqipëri dhe autobus turistik në Greqi. Në vitin 2008 me automjetin e tij është arrestuar nga policia turke kunati i tij, në tentativë për të trafikuar 22 kg heroinë nga Turqia në Greqi. Kunati është arrestuar më pas edhe gjatë operacionit të vitit 2017.

Ndërsa shtetasi grek, Ioannis Biglakis rezulton i arrestuar në vitin 2012 në Kosta Rika për transport armësh.

Ai u ekstradua në SHBA kur kërkohej për bashkëpunim me organizatën kriminale FARC të Kolumbisë, ku dyshohej se do të shkëmbente armët me kokainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë