Ngjarje

Martesa midis dy grave / Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes: Respektimi i një komuniteti nuk çon në shkeljen e të drejtave të shumicës

Nga Gazeta Si- “Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes”, e përbërë nga Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Shoqata “Këshilli Shqiptar i Medias”, ka reaguar për gjuhën e përdorur prej të dielës, ku dy gra u martuan në tarracën e bashkosë Tiranë.

Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes, në monitorim të situatës ka vënë re se përdorimi i gjuhës së urrejtjes, ofendimet dhe deri në kërcënimet ndaj anëtarëve të komunitetit, nuk kanë qenë të lidhura vetëm me disa aktivitete të kryera nga organizata të shoqërisë civile në kuadër të fushatës IDAHOT 2024, por dhe me ngjarje që nuk kanë qenë të lidhura me to.

“Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes”, i sjell në vëmendje cilitdo, se si qytetarë/qytetare të këtij vendi janë të gjithë përgjegjës/e për zhvillimin e demokracisë dhe përparimin, dhe si të tillë duhet të tregojnë vlerat e vërteta të qytetarisë në përputhje me të drejtat e njeriut, duke bërë të papranueshme fenomene të tilla si bullizmi, fyerjet, stigmatizimi e diskriminimi për shkak të të qënit ndryshe, duke kuptuar se përdorimi i këtyre formave, çon në dhunë dhe krime urrejtjeje jo vetëm ndaj individit por grupeve të ndryshme dhe në mënyrë indirekte godet vetë shoqërinë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Aleancës.

Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes thekson se respektimi i të drejtave të një komuniteti të caktuar, nuk çon pashmangshmërisht në shkeljen e të drejtave të shumicës ose të një komuniteti tjetër.

Aleanca gjithashtu i kërkon institucioneve përgjegjëse “të marrin të gjitha masat ndaj personave të cilët nxisin gjuhë urrejtje, duke patur parasysh se shpesh duke qenë personazhe publike apo të veshur me pushtet, kjo sjell një dëm të pariparueshëm në të kuptuarit e pasojave të dëmshme që sjellin tek një masë e madhe popullsisë”.

“Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes, i kërkon të gjithë aktorëve shtetërorë, politikanëve/politikaneve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë sidomos të rinjve/të rejave të jenë së bashku për avancimin në përmbushjen e objektivave të Axhendës 2030 dhe plotësimit të angazhimeve për t’u bërë pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë