Libra

Një shef kuzhine si Salvador Dali

Kur ishte 6 vjeç, artisti legjendar, i njohur për ekscentrizmin, do të shprehej se dëshironte të bëhej shef kuzhine. I botuar fillimisht, më 1973-shin, “Les Diners de Gala” ishte një ëndërr e çuditshme e bërë realitet – një libër gatim i mbushur me ilustrime surreale dhe receta të frymëzuara nga festat luksoze që Dali dhe gruaja e tij, Gala, kishin organizuar. Festat ishin legjendare për bollëkun e çmendur, ku të ftuarve u kërkohej shpesh të maskoheshin dhe kafshët e egra liheshin të bridhnin të lirë rreth tryezës.

Botuesi i njohur "Taschen" po riboton librin e gatimit, i cili u  botua fillimisht në vetëm 400  kopje. Libri, që përfshin 136 receta, në 12 kapituj, është i  ndarë në mësime dhe këshilla, përfshi një seksion të tërë mbi  afrodiziakët. Revista “Wired” e sheh si pornografia e ushqimit në shpërfaqjen më të epërme të grykësisë.

Përtej ilustrimeve, janë të përfshira në botim edhe meditimet e Dalisë, duke hedhur dritë në filozofinë e kënaqësisë së shijimit. “Ky libër është për hedonistët. I mbushur me ilustrimet e kushtueshme, shpesh fallike të Dalisë dhe fotografi ironike të piktorit mustaqelli në darkat më të famshme të shtruara prej tij, është krejt ndryshe nga çdo libër i këtij viti apo i çdo lloj viti, në këtë tematikë”, shkruan “The Times”, i Londrës.

Ashtu siç thotë artisti “nofulla është mjeti ynë më i mirë për të mbërthyer dijen filozofike”, ai ia del të  shfaqë aspektet e çuditshme dhe dekadente të kuzhinës. “Vezë mijëravjeçare”, “kotëleta viçi të mbushura me kërmij”, “Byreçka bretkosash dhe “sheqerka me boçe pishe”, janë të gjitha në meny, ndonjëherë të kombinuara me imazhet.

Në këtë vepër hasen shpesh edhe nuanca kanibalizmi – si përshembull një grua krahë këputur me një fund të formuar nga një karavidhe, qëndron në majë të një pirgu kufomash, shumë prej tyre me koka të gjymtuara. Metro.com e cilëson librin ekzotik të Dalisë si “të mbushur me ushqimet e ëndrrave tuaja, ose më mirë të themi të maktheve.”

Të interesuarit për të pranuar sfidën e gatimit me stil Dalije, duhet gjithashtu ta flakin dietën nga dritarja. Dali shkruan që në fillim, “Duhet të bëjmë të qartë se, duke nisur që me recetat e para Les Diners de Gala,  me këshillat dhe ilustrimet, i kushtohet vetëm kënaqësisë së Shijes. Mos kërkoni formula dietike këtu. Kemi për qëllim t’i shpërfillim ato tabela kimike, që duan të zënë vendin e gastronomisë. Nëse jeni dishepull i llogaritjes së kalorive, që e shndërrojnë kënaqësinë e të ngrënit në një formë ndëshkimi, mbylleni menjëherë këtë libër; është shumë i gjallë, shumë agresiv dhe shumë i paturp për ju” .

Revista britanike “GQ” do ta cilësonte si një libër gatimi pa të ngjashëm. Është një e vërtetë universale se arti i mirë, si edhe ushqimi i mirë, lartësojnë përvojën e përditshmërisë. Por më 1973-shin, Dali shkoi një hap më tej, me Les Dîners de Gala,  që ktheu përmbys të dyja disiplinat njëherazi në mbretërinë shtëpiake të ëndrrës...” Nëse e blini për  kuzhinën e artit, Les Diners de Gala  do të tregojë sesi Dalija, një artist shumë dimensional, kurrë nuk ia lejoi vetes të lidhej pas skajeve të kanavacës. Mendja e tij artistike nuk njihte kufij, duke lëvizur nga galeria tek kuzhine me lehtësi. Libri është njëherazi një vepër arti, një libër praktik gatimi dhe një kafshatë e kënaqësisë shumëshqisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë