Njerez

Gruaja e Pablo Escobar: Piktura që më shpëtoi jetën

E pikturuar për të zëvendësuar një version të mëhershëm, shkatërruar prej zjarrit, “Vallëzimi” i Salvador Dalí së, ka pasur një udhëtim të pagjasë pas krijimit të saj, më 1957-ën. Kredit: Salvador Dalí , Fundació Gala-Salvador Dalí, Shoqata e të Drejtave të Artistëve; Muzeu Morohashi i Artit Modern.

“Vallëzimi” nuk është piktura më e mirë e surrealistit spanjoll Salvador Dalí, por është me gjasë njëra me historinë më interesante. Një version i parë, i varur në Teatrin “Ziegfeld” të Nju Jorkut dhe që më pas u dogj në zjarrin që shkatërroi shtëpinë e pronarit të teatrit në Mount Kisco, sipërmarrësit të Broadway-it,  Billy Rose. Dalí  bëri një kopje të dytë për Rose, i cili më pas e shiti. Pas një tjetër pronari, përfundoi në shtëpinë e Pablo Escobar-it, lordit kolumbian të drogës, të cilin perandoria e kokainës e vendosi mes më të pasurve të botës e që,  fushatat e tij të tmerrit paralizuan krejt vendin.

logo hippo

Një pamje e plotë e asaj që i ndodhi më vonë pikturës, e njohur ndonjëherë edhe si “Rock ’n’ Roll,” rrëfehet në librin e ri,  botuar në gjuhën spanjolle nga bashkëshortja e Escobar-it, Victoria Eugenia Henao. Në librin, “Pablo Escobar: Jeta dhe burgu im”, ajo kujton ndjesinë kur kundroi për herë të parë veprën e Dalí-së.

Victoria Eugenia Henao ishte e martuar me Pablo Escobar për 17 vjet, e cila përfundoi me vdekjen e tij më 1993-shin. Kredit: Zipi/EPA, Shutterstock


 “Ishte e pabesueshme” shkruan ajo. “ U mbërtheva nga lëvizja e çiftit në një shkretëtirë të paanë, seksuale dhe ëndërrimtare”. Ajo që është më e rëndësishme, është se piktura u bë një talisman për anëtarët e familjes së Escobar-it, ndërsa ata i shpëtuan për fije një bombe në shtëpinë e tyre në Medellin, rrëfen ajo dhe më pas shërbeu si një lloj “dhurate”, që ajo beson se mund t’i ketë shpëtuar jetën, asaj dhe fëmijëve.

Nju Jork, 1944

Versioni origjinal i “Vallëzimi” dhe vepra të tjera që bënë serinë e “Arteve të Gjalla” u krijuan në studion e Dalí-së , lart në Teatrin Ziegfeld, në Nju Jork. Salvador Dalí, Fundació Gala-Salvador Dalí . Shoqata e të Drejtave të Artistëve, Nju Jork. Arkivat e Michael Ochs.


Kopja e parë e “Vallëzimi” njihej si “Arti i Boogie-Woogie” dhe ishte një seri e komisionar nga Rose, për të dekoruar teatrin “Ziegfeld” gjatë produksionit përurues, një muzikal i vitit 1944, i titulluar “Shtatë Artet e Gjalla”. Dalí krijoi piktura që pasqyronin pikëpamjet e tij për muzikën, teatrin dhe artet e tjera, në një dhomë të vogël në teatër e ku,  më vonë,  u varën në sallon. Versioni origjinal i pikturës, i njohur si “Arti i Boogie-Woogie” (1944), popullohej nga figura të ngjashme të zgjatura, por sfondi ishte i ndryshëm, një korridor dhe jo një shkretëtirë.

Salvador Dalí, Fundació Gala-Salvador Dalí, Shoqata e të Drejtave të Njeriut


Piktura origjinale kishte disa figura hollake, të gërshetuara, të mbyllura në atë që dukej më shumë një betejë sesa një festim,  ndërsa lëviznin brenda një korridori a tuneli. Një tubë në flakë shfaqet mes tyre dhe figura të mistershme hallaviten në sfond.

Mount  Kisco, Nju Jork, 1956

Vila në periferi prej 26 dhomash e Billy Rose-it, në Mount  Kisco, Nju Jork, u shkatërrua nga zjarri, më 1956-ën. Bashkë me të, u shkatërruan edhe pikturat e Dalí -së, që ai pat porositur, përfshi edhe atë që përshkruante vallëzimin. Kredit: Associated Press


Seria e pikturave origjinale të Dalí-së, më pas u shpërngulën nga vila e Rose në Mount Kisco, një fshat në periferi të Nju Jorkut. Por veprat u shkatërruan nga zjarri që përpiu krejt shtëpinë, më 1956-ën. Kur Dalí zbuloi se pikturat ishin shkatërruar, ai u ofrua t’i pikturonte sërish, me të njëjtin çmim si porosia e parë, në shenjë mirënjohjeje ndaj Rose-it, si përkrahës i artit të tij.

Port Lligat, Spanjë, 1957

Shtëpia e Dalí -së Port Lligat, një fshat peshkatarësh, tani muze. Kredit: Matias Costa për The New York Times


Dalí-ja  e pikturoi serinë zëvendësuese në Spanjë, në kohën kur jetonte në Port Lligat. Atë kohë, ishte bërë i njohur ndërkombëtarisht si piktor, i famshëm për paparashikueshmërinë e tij, guximin e tepruar dhe përzierjen e tij surreale,  mes brutales dhe hyjnores. Versioni i dytë ishte pakëz më ndryshe. Në pikturë shfaqen vetëm dy figura dhe tuba ishte zhdukur. Sfondi gjithaq ishte ndërruar. Dy valltarët shfaqen në një peizazh të shkretë, tipik Dalí-esk. Seria zëvendësuese u vendos më vonë në apartamentin e Rose-it.

Nju Jork, 1985

Versioni i dytë i “Vallëzimi” u shit përmes ankandit Sotheby në zyrat qendrore të tij, në Manhatan, më 1985-ën. Sara Krulwich/The New York Times


Njeriu që bleu Dalí-në nga Rose, e shiti në një ankand në Sotheby,  të Nju Jorkut, më 14 maj të vitit 1985. Znj. Henao nuk e bën të qartë në libër nëse ishte ajo blerësja që pagoi 209 mijë dollarë apo e bleu më pas. Por nga viti 1988, gjendej në Kolumbi, si pjesë e koleksionit që ajo po krijonte. Në librin e saj prej 512 faqesh, znj. Henao sugjeron se arti u bë një lloj strehe për të, një kërkim i butë në jetën, shpesh të rrethuar nga dhuna dhe frika. Ajo thotë se në pjesën më të madhe nuk ishte në dijeni të nivelit të krimeve të Escobar-it. Por nuk përpiqet t’i mohojë dhe në një intervistë, në nëntorin e 2018-ës, në një stacion radiofonik kolumbian, kërkoi ndjesë për dhimbjen, që ai kishte shkaktuar. Rreth artit që ajo koleksionoi, shkruan se Escobar nuk ishte shumë në dijeni. Ai ishte i interesuar vetëm në “antikuarë dhe makina të vjetra”. Znj.Henao koleksionoi vepra nga një gamë e gjerë artistësh, si  piktori Claudio Bravo, piktori dhe skulptori Fernando Botero dhe skulptori Édgard Negret.

Znj.Henao shkruante në librin e saj se i shoqi, i shfaqur këtu me të dhe të birin e tyre në një ndeshje futbolli, në Bogota, pak interesohej rreth artit që koleksiononte ajo. Kredit: El Tiempo, Associated Press

Blerja e një Dalí-je, ishte një moment i veçantë, shkruan ajo, duke pasur parasysh përmasat e tij në art. “Më dukej e pabesueshme”, shkruan ajo, “që në moshën 22-vjeçare, do të kisha një vepër të tillë arti në shtëpinë time.”

Medellín, Kolumbi, 1988

Piktura e Dalí-së u var në bibliotekë, në apartamentin e Escobar-it, në këtë ndërtesë në Medellin, ku lordi i drogës jetonte me familjen e tij. Ndërtesa do të shembet së shpejti, për t’i lënë hapësirën ndërtimit të një parku. Meridith Kohut për The New York Times

Apartamenti i Escobar-it gjendej në El Poblado, një lagje e Medellin-it. Znj.Henao thotë se e vari Dalí-në në atë që ajo e përshkruan si vend i privilegjuar, ku mund të kundrohej nga disa pika. Qëndroi e varur atje deri më 1988-ën, kur një bombë e vendosur në makinë, që kishte shënjestër Escobar-in dhe familjen e tij, tronditi ndërtesën. Escobar nuk ishte i pranishëm, por familjarët, ishin aty dhe u larguan menjëherë. Ditë pas sulmit, e motra e saj u kthye në ndërtesë, e gjeti pikturën të padëmtuar dhe e mori me vete, thotë ajo. Znj.Henao e zhvendosi pikturën në shtëpinë e së motrës, në një lagje tjetër në Medellin. Por ajo shtëpi u sulmua, shkruan znj.Henao, nga një grup keqbërësish “Los Pepes”, që urrenin burrin e saj. Shtëpisë iu vu zjarri më 1993-shin dhe, znj.Henao thotë se fillimisht mendoi se piktura ishte shkatërruar.

“E fundit gjë që mora vesh rreth “Vallëzimit Rock and Roll”, ishte se Carlos-i kishte thirrur një sërë agjentësh arti në Bogota dhe u kishte kërkuar ndihmë për t’ia shitur veprën një koleksionuesi ndërkombëtar”

Por, piromani ishte larguar me gjithë pikturën e Dalí-së, shkruan ajo, një fakt që e mësoi pas vdekjes së të shoqit, në dhjetor të atij viti. Fill më pas, thotë ajo, mori një mesazh nga një ndërmjetësues i Carlos Castaño Gil, që udhëhoqi “Los Pepes”, së bashku me të vëllanë e tij, Fidel. Ata ishin dakord t’ia kthenin pikturën znj.Henao, tanimë e mbetur vejushë, për ta ndihmuar atë, të paguante armiqtë e të shoqit. Por ajo refuzoi, rrëfen, sepse kujtonte diçka që i shoqi i kish thënë për të zbutur çdo lloj situate, potencialisht të rrezikshme. “Ditën që do kem vdekur”, kujton ajo t’i ketë thënë Escobar-i, “jepu ç’të ka mbetur, që të të mos vrasin ty dhe fëmijët tanë”. Ky gjest, thotë ajo, ishte një nga shumë që ajo bëri për t’i bindur armiqtë e dikurshëm të të shoqit, se nuk ishte kërcënim për ta dhe për t’i kompensuar ata për koston, që u kishte shkaktuar lufta ndaj Escobar-it. Rezultoi e suksesshme. Znj. Henao dhe familja e saj qenë në gjendje të largoheshin nga Kolumbia shëndoshë e mirë, duke u vendosur më pas në Argjentinë. “E fundit gjë që mora vesh rreth “Vallëzimit të Rock and Roll”, ishte se Carlos-i kishte thirrur një sërë agjentësh arti në Bogota dhe u kishte kërkuar ndihmë për t’ia shitur veprën një koleksionuesi ndërkombëtar”, shkruan ajo.

Fukushima, Japoni, 2018

Teizo Morohashi, një adhurues i Dalí-së, e bleu “Vallëzimin”, disa vite  përpara se të çelej muzeu në Fukushima, që i është kushtuar kryesisht veprave të artistit. Kredit: Muzeu Morohashi i Artit Modern.

Më 1994-ën, “Vallëzimi” doli në shitje në ankandin Christie’s, në Londër. Prejardhja në katalog përmend Billy Rose dhe një koleksionues tjetër, si pronarë të mëhershëm, por nuk përmend shitësin e as Escobar-in. Shtëpia e ankandit i dha një vlerësim prej 625 mijë e 195 dollarësh. Përfundoi e blerë, me çmimin që nuk dihet, nga një biznesmen japonez, i quajtur  Teizo Morohashi, themelues i korporatës XEBIO, një rrjet shitjesh me pakicë i artikujve sportivë.

Duke pasur parasysh prirjen e tij për humorin dhe bukurinë në një botë që shkon mbrapsht, ai me shumë gjasë do ta kishte pëlqyer edhe udhëtimin e çuditshëm që piktura e tij përshkoi,  për të mbërritur atje

Një koleksionues arti, veçanërisht i magjepsur pas Dalí-së, z.Morohashi bleu afro 330 piktura, skulptura, printime dhe vepra të tjera të artistit. Ai më pas i dhuroi ato, bashkë me 70 vepra nga artistë të tjerë, për të krijuar Muzeun Morohashi të Artit Modern, që u hap më 1999-ën, në një pronë të blerë prej tij, në rajonin e Fukushimës, dy orë me makinë nga bregu i Paqësorit. Sot muzeu mirëpret afro 50 mijë vizitorë në vit. Dalí do të kish qenë i lumtur që një tjetër muze nderon trashëgiminë e tij artistike. Duke pasur parasysh prirjen e tij për humorin dhe bukurinë në një botë që shkon mbrapsht, ai me shumë gjasë do ta kishte pëlqyer edhe udhëtimin e çuditshëm që piktura e tij përshkoi, për të mbërritur atje.

*Peter Libbey/ The New York Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë