Fatjon Rupi - Në kushte normale, Tirana-Kukësi do të ishte një ndeshje prestigji dhe spektakli, por 10 pikë diferencë në tabelën e renditjes vetëm pas 11 javësh kampionat, në favor të kuksianëve, e bëjnë këtë 90-minutësh jetik për bardheblutë. Këta të fundit nuk po arrijnë ta marrin veten edhe pas ndryshimit në stol. Që pas “paktit” të famshëm të dy sezoneve më parë, kur dukshëm i lanë Kukësit ndeshjen e kampionatit për Kupën e Shqipërisë , kanë parë vetëm ditë të zeza. Kostoja e atij “pakti” ishte e pallogaritshme për Tiranën, që e pa veten në Kategorinë e Parë dhe ende nuk është stabilizuar nga ajo “trullosje”. Në të njëjtin stadium, Tirana pret sot kundërshtarin që e frikëson me “hijen” e tij dhe për më tepër në kushte shumë më të këqija. Me presion shumë më të madh mbi vete.
Por Kukësi nuk i ka asnjë “borxh” kësaj Tirane, nuk ka arsye pse t’i vijë keq për të, ndaj dhe në “Selman Stërmasi” do të luftojë fort për ta zhytur edhe më keq, sepse lufton për titullin kampion dhe pas humbjes me Flamurtarin, do të ishte fatal një tjetër gabim. Logjikshëm, ndeshja në fjalë do të jetë e mbushur me tension për të dyja palët. Tirana nuk ka çfarë humb më, pasi ka prekur fundin. Edhe grupimin “Tirona Fanatics” nuk do ta ketë në stadium. Atë në fakt e ka humbur prej kohësh, por në këtë ndeshje e ka humbur edhe fizikisht, ngaqë Komisioni i Disiplinës e ka dënuar me dy ndeshje. Të gjithë faktorët i ka kundër, në javët e fundit edhe fatin. Një mësim i mirë që as mos t’i shkojë në mendje një tjetër “pakt” si ai dy sezoneve më parë.
Si Tirana, ashtu edhe Kukësi, kanë mungesa të rëndësishme. Bardheblutë janë penalizuar nga disa dëmtime në mbrojtje dhe në sulm, si Turtulli, Kërçiku dhe Bllazhevski, ndërsa Kukësi nuk ka gati kapitenin Ylli Shameti dhe mbrojtësin e majtë Simo Rrumbullaku. Gjithsesi, nuk ka asnjë justifikim për asnjë palë. Trajneri Mema është në kërkim të fitores së parë në stolin e Tiranës, kurse Cungu duhet të rikuperojë diferencën që Kukësi ka krijuar tashmë me dy rivalët për titull. Java e 12-të e Superiores nis me këtë “ndeshje me spec”, ku gabimi është i ndaluar, për të vazhduar të mërkurën me katër sfidat e tjera.
Partizani dhe Skënderbeu kanë një mundësi për t’u shkëputur edhe më shumë në krye të renditjes, Flamurtari ka shansin e konsolidimit si pretendent të paktën për një vend në Kupat e Europës dhe Kamza ka rastin të bëjë kthesën. Të kuqtë luajnë ndaj Kastriotit të vendit të fundit dhe teorikisht e kanë fitoren në “xhep”, korçarët mund të përfitojnë nga fakti që me Laçin ndeshen në fushë asnjanëse, ndërsa vlonjatët po kalojnë një moment të mirë dhe mund të “kafshojnë” edhe gjirokastritët. Një sfidë më e balancuar është ajo mes Kamzës dhe Teutës, ku skuadra e Klodian Duros nuk mund të pranojë asnjë rezultat tjetër veç fitores ndaj durrsakëve të Shkëmbit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.