Futboll

Të huaj rastësisht, kampionë kombëtar, të lindur gjetiu

Shumë futbollistëve të shquar u ka ndodhur të mos luajnë për kombëtaren e vendit ku kanë lindur. Për arsye dhe rrethana të ndryshme. Ata kanë zgjedhur origjinën dhe Xhofri Kondogbia është rasti i fundit. Mesfushori i Valencias vendosi të luajë për Republikën e Afrikës Qendrore, edhe pse ka lindur në Francë. Por janë shumë emra të njohur, madje edhe kampionë bote, që nuk kanë lindur në vendin që përfaqësojnë.

Xhofri Kondogbia

Mund të kesh lindur në një vend dhe mund të luash për një kombëtare tjetër. Nuk janë të paktë lojtarët me dy pasaporta dhe që kanë zgjedhur kombëtaren që kanë dëshiruar për të luajtur. Rasti i Kondogbias, francezit që zgjodhi Republikën e Afrikës Qendrore është i fundit i një liste të gjatë. Shumë lojtarë kanë zgjedhur të mbrojnë një flamur tjetër me atë të vendit ku kanë lindur.

Xhofri Kondogbia

Gonzalo Higuain

Sulmuesi i Milanit, Gonzalo Higuain, ka lindur në Francë dhe me shumë mundësi do të gjente hapësira te kombëtarja e kampionëve të botës, por zgjodhi Argjentinën, me të cilën ka luajtur dhe humbur 3 finale. “El Pipita” ka lindur në Brest, në të vetmen eksperiencë jashtë Argjentinës të babait të tij, i cili luajti një sezon në kampionatin francez.

Gonzalo Higuain

Ivan Rakitiç

Mesfushori protagonist i një Botërori të madh me Kroacinë mund të kishte zgjedhur Zvicrën, nëse donte, pasi ka lindur në këtë vend. Jo rastësisht hapat e parë si lojtar i ka hedhur në kampionatin zviceran me Bazelin. Por Rakitiç zgjodhi Kroacinë, vendin e origjinës së tij.

Ivan Rakitiç

Tiago Alkantara

Interesant është rasti i Tiago Alkantarës. Mesfushori ka lindur në San Pietro Vernotiko, një vend i vogël në provincën e Brindizit, sepse në atë kohë babai i tij, Mazinjo, ishte mesfushor i Leçes. Zgjedhja e tij, edhe pse është brazilian, ishte kombëtarja e Spanjës.

Tiago Alkantara

Xhuzepe Rosi

I lindur dhe i rritur në Nju Xhersi, Xhuzepe Rosi flet më mirë anglishten se italishten. Sulmuesi vendosi të luante në Itali dhe kaloi te Parma që në moshën 12-vjeçare për të realizuar një ëndërr, por karriera e tij u kushtëzua shumë nga dëmtimet në gju. Për shkak të këtyre dëmtimeve ka pasur një karrierë poshtë nivelit ku duhej të ishte realisht.

Xhuzepe Rosi

Klarens Sedorf

Ka lindur në Surinam, por ka luajtur 87 ndeshje me kombëtaren holandeze. Klarens Sedorf ka lindur në Paramaibo, por ka shfrytëzuar nënshtetësinë e dyfishtë për të luajtur me Holandën dhe për t’u evidentuar si një nga mesfushorët më të mirë të Europës në vitet 2000.

Klarens Sedorf

Rahim Stirling

Xhamajkian si Usain Bolt, por më shumë futbollist se sprintier se patrioti i tij, që duket se di t’i bëjë të dyja. Rahim Stirling, i cili është mjaft i zoti me topin, ka gjetur në Angli atdheun e tij të dytë. Pasi është grumbulluar me kombëtaren angleze, është një pikë kyçe e formacionit të trajnerit Southgejt.

Rahim Stirling

Simone Perrota

Kampion bote me Italinë, por i lindur në Angli. Simone Perrota, si Xhefri Hërst, është italian puro, por ka lindur në Ashton të Anglisë. Ndoqi ëndrrën e topit dhe e nisi karrierën te Rexhina e më pas të Bari. Kalimi te Juventusi e bëri të njohur në futbollin e madh europian dhe në vitin 2006 u kurorëzua kampin bote.

Simone Perrota

Klaudio Xhentile

U mbiquajt “Ghedafi” nga shokët e tij, pasi ka lindur në Tripoli, në Libi. Babai i tij e çoi në Itali në moshën 8-vjeçare, tamam në kohë për të hedhur hapat e parë në futboll. Klaudio Xhentile nisi kështu rrugëtimin e gjatë, për të fituar më pas gjithçka. Mbiemri i tij nuk është se lidhet shumë me atë që ai ishte në fushë, siç tregojnë lojtarët e gjeneratës së tij.

Klaudio Xhentile në një ndeshje ndaj Argjentinës

Patris Evra

Si shumë francezë, edhe Patris Evra ka lindur diku tjetër. Mbrojtësi i njohur ka lindur në Senegal dhe mbërriti në kryeqytetin francez në moshën 3-vjeçare, kur babai i tij, që ishte diplomat, u transferua në Paris. Një zgjedhje e lumtur për djaloshin, që do të përfaqësonte Francën si futbollist dhe si kapiten i saj.

Patris Evra

Roberto Di Mateo

Italian i lindur në Zvicër, ku prindërit e tij u transferuan për arsye pune. Roberto Di Mateo është rritur në kantonin e Sciaffusa, por origjina abruceze e ka lejuar të zgjedhë kombëtaren e Italisë. Gëzimet më të mëdha i ka përjetuar në fakt në Angli, ku ka veshur fanellën e Çelsit.

Roberto Di Mateo

Xhonatan De Guzman

Një kryqëzim i rrallë historish dhe fatesh. E ëma xhamajkiane, i ati filipinas, por De Guzman ishte shumë i fortë për të luajtur me këto dy kombëtare, kështu që zgjodhi Holandën, ndërsa opsion tjetër ishte edhe Kanadaja. Patjetër që ka bërë zgjedhjen e duhur, edhe pse Holanda nuk është ajo e viteve të mëparshme.

Xhonatan De Guzman

Edgar Davids

Binjaku i Sedorfit, me të cilin përbënin një dyshe fantastike në mesfushën e Holandës. Njëri me grintë dhe luftë në fushë, tjetri me personalitet. I mbiquajturi “Pitbulli”, për shkak të egërsisë me të cilën ua rrëmbente topin kundërshtarëve, ka lindur në Paramaribo, në Surinam. Është natyralizuar holandez dhe me fanellën e kombëtares së tulipanëve ka shkruar faqe të rëndësishme të historisë së saj, ashtu si dhe me Ajaksin.

Edgar Davids

Marsel Desai

Marsel Desai është një nga protagonistët e Botërorit të 1998-ës në Francë, por ai ka lindur shumë larg Parisit, saktësisht në Akra të Ganës. Familja e tij është spostuar në Francë për arsye diplomatike dhe kombëtarja e “gjelave” gjeti kështu një gjigant për mbrojtjen.

Marsel Desai

Miroslav Klose

Nga një kampion bote te tjetri. Mirosllav Klose jo vetëm që ka fituar titullin kampion bote me Gjermaninë, por është edhe lojtari që mban rekordin për numrin e golave të shënuar në fazën finale të një Botërori. Ai nuk ka lindur në Gjermani, por në Poloni, në Opole, ku jeton një minoritet gjerman. Miro vendosi të vishte fanellën e kombëtares gjermane.

Miroslav Klose

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë