Futboll

Prioritetet e Guardiolës, do një kombëtare për të luajtur…golf

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, ka zbuluar kartat dhe ka pranuar se në të ardhmen i pëlqen të drejtojë një kombëtare, sepse dëshiron që të ketë më shumë kohë në dispozicion për pasionet dhe hobin e tij. E ka pohuar gjatë një konference në Universitetin e Liverpulit. Spanjolli nuk kënaqet asnjëherë më atë që ka dhe gjithmonë mendon për të ardhmen. Përveç dëshirës për të shkruar historinë me “qytetarët”, ai e ka fiksuar edhe etapën e re të karrierës së tij: do të stërvitë një kombëtare. Pse? Sepse i duhet më shumë kohë, që të përmirësohet si lojtar golfi.

Dikush mund ta marrë si batutë këtë historinë e golit, por Guardiola është nga ata persona që duhen marrë gjithmonë seriozisht. Ai është një i pasionuar i madh i golfit dhe do ta luajë sa më mirë këtë sport. Duke stërvitur një kombëtare, do të ketë më shumë kohë për t’u trajnuar: “Do të më pëlqente të përfshihesha më shumë në këtë lojë dhe me më shumë qetësi. Tani nuk kam kohë të luaj golf, duke pasur çdo tri ditë ndeshje futbolli”, – tha Guardiola.

Pep Guardiola, duke luajtur golf

Një tjetër motiv që e shtyn trajnerin e suksesshëm për të stërvitur një kombëtare, natyrisht katë bëjë me stimuj të rinj dhe aventura të reja për të jetuar prej tij. “Adhuroj të udhëtoj. E kam bërë deri në fund të karrierës sime si futbollist, e bëj edhe tani si trajner, është e mrekullueshme”, – u shpreh Guardiola, që para se të varte “këpucët në gozhdë”, ka jetuar në Meksikë dhe në Katar. “Si trajner kam jetuar në Gjermani dhe tani në Angli. Kam mësuar gjermanishten, që më parë më dukej e pamundur ta kuptoja. Familja ime nuk dinte asnjë fjalë anglisht, tani e flasin të gjithë në mënyrë perfekte. “Të udhëtosh është diçka e mahnitshme dhe i inkurajoj njerëzit ta bëjnë. Duhet të jesh kurioz, sepse karriera e një futbollisti është e shkurtër”, – shtoi trajneri spanjoll.

 

Më Shumë