Sport

Në Brazil fiton Hamilton, Verstapen sherr me Okon

Në çmimin e madh të Brazilit ka triumfuar piloti anglez, Luis Hamilton, i cili i ka dhuruar Mercedesit edhe titullin kampion për konstruktorët për të pestin vit radhazi. Vëmendjen në këtë garë e ka marrë spektakli që dha Maks Verstapen, që po dominonte deri në momentin që Okon i prishi festën. Ka zhgënjyer Ferrari, që e ka mbyllur në vend të tretë.

Hamilton nuke ka pasur aspak të lehtë, sepse për 44 xhiro në Brazil ishte protagonist Maks Verstapen i Red Bullit. Në garën e fundit të sezonit, Hamilton ishte perfekt në administrimin e garës, duke mos bërë gabime, por është favorizuar nga episodi, ku u përfshinë Verstapen dhe Okon. Ky i fundit bëri një tentativë të çmendur për t’i rezistuar parakalimit të Verstapen, i cili po dominonte garën. Incident i pakëndshëm, që e ka tërbuar holandezin dhe Hamilton ka përfituar. Verstapen, edhe me makinë të dëmtuar, në mënyrë të pabesueshme ka këmbëngulur për të arritur suksesin. Ishte një garë anonime për Ferrarin, që ka zhgënjyer totalisht.

Luis Hamilton feston fitoren

Në 5 xhirot e para, Verstapen kaloi dy makinat Ferrari, kurse në xhiron e 10-të holandezi bëri“mrekullinë”, duke kaluar edhe Botas. Të parat shkuan në “pit stop” dy makinat Mercedes, ndërsa Verstapen dhe dy Ferrarit vazhduan deri në xhirot 28 dhe 32. Strategjia e Red Bullit ka funksionuar. Falë një administrimi të gomave perfekt, Verstapen, i cili e nisi garën me goma super të buta, u fut në “pit stop” për të montuar gomat e buta në xhiron e 36-të. Në të 40-ën ai parakaloi Hamiltonin, por gjithçka u prish në xhiron e 44-t. Teksa po kalonte makinën Force India të Okonit, Verstapen është goditur dhe ka dalë jashtë piste, por nuk e ka humbur toruan dhe ka vazhduar garën, duke i treguar gishtin e mesit francezit. Por ka vazhduar me makinë të dëmtuar dhe pas Hamiltonit. I pashpjegueshëm gabimi i Okonit, qëpo kalohej për herë të dytë dhe duhej t’i linte rrugë të lirë Verstapenit. Penalizim prej 10 sekondash për të. Piloti holandez bëri gjithçka për të arritur dhe kaluar Hamiltonin, por nuk ia doli.

Sherri mes Verstapen dhe Okon

Maks Verstapen ka qenë i tërbuar dhe pas garës ka pasur edhe një konfrontim fizik me Okon, që i hoqi fitoren nga duart. Piloti holandez nuk e ka përmbajtur dot veten: “Isha në rregull dhe do të kisha fituar, nëse nuk do të ndodhte ai incident. Po bëja gjithçka mirë, por për faj të një idioti dola jashtë piste. Strategjia ishte perfekte dhe është mëkat që nuk fituam”, – tha Verstapen, kurse Okon u shpreh: “Isha në pjesën e jashtme dhe nuk bëra asgjë, kurse ai deshi të më godiste”. FIA e ka dënuar Verstapenin me dy ditë punë në të mirë të komunitetit, për shkak të sulmit fizik ndaj kolegut Okon.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë