Njerez

Mbërriti si turiste, por u bë murgesha e vetme e ishullit

Motër Irini ecën në çatinë e shtëpisë së saj, manastiri Agios Georgios Valsamitis, Shën Gjergj Valsamitis, në ishullin e Amorgos, Foto: Chiara Goia.

Terri Steel / National Geographic – Është ora tre e gjysmë e mëngjesit, kur zbarkoj nga trageti, në ekstazë pas dhjetë orësh lundrimi, nga Athina. Ajri është i butë dhe i ngrohtë në Amorgos, një ishull i virgjër në bregdetin grek. Varka të drunjta peshkimi, përplasen në mole, fshatrat e ndezur pikëzojnë kodrat e larta dhe një aromë e ëmbël sherbele, valëvitet në ajrin mëngjesor. Me të nisur dita, merr jetë edhe arsyeja pse jam këtu: të kërkoj Motër Irinin.

Shtatë vjet më parë, Motër  Irini nisi ta shndërrojë manastirin e braktisur prej kohës në një oaz. Vizitorët vinin gjatë gjithë vitit për të shëtitur në kopshtin e harlisur, zbukuruar me afreske bizantine, për të dëgjuar historinë e saj dhe për të blerë pikturat e ikonave fetare, pikturuar nga vetë ajo.

Tridhjetë e pesë vjet të shkuar, erdhi këtu për herë të parë si nënë e re dhe bashkëshorte; pasi i vdiq i shoqi, zgjodhi një shteg të ri. Emri i saj është motër Irini dhe është e vetmja murgeshë e Amorgosit. E veshur me një rrobë të zezë, më mirëpret për një shëtitje rreth shtëpisë së saj, duke shprehur dashurinë për besimin, kopshtin dhe jetën si murgeshë. Kur  e pyes për emrin dhe jetën e  mëparshme, ajo ndalet. “Mbiemrat nuk ekzistojnë për një murgeshë”, bën një pauzë të gjatë motër Irini. “M’u desh të ndahesha nga vëllezërit dhe motrat e mia. Prita derisa fëmijët e mi u bënë të pavarur.”

Në të majtë:  Në kopshtin e manastirit, motër Irini luan me macen Omorfoula (“bukuroshja e vogël” Djathtas: Motër Irini kujdeset për bimët në manastir, të cilat i ripërtëriu e vetme.

Motër Irini u shpërngul në Amorgos dhe bëri betimin si murgeshë Ortodokse e ritit grek, më 2011-ën. Ajo i kalon ditët  duke u marrë me kopshtari, pikturë dhe lutje, por gjithmonë i mirëpret vizitorët në manastirin e saj, Agios Georgios Valsamitis. “Ishte i zbrazët dhe i vetmuar. M’u desh të punoja fort, ta ktheja në parajsë”, thotë ajo. “Është vërtet parajsë.” Valsamitis të duket si një Eden pas një ngjitjeje rraskapitëse në rrugët me pluhur, në përpjekje për t’iu shmangur dhive të pabindura e bredharake. Hija e gjelbëruar është një dhuratë në diellin e pasdites dhe një peizazh i freskët: një mrekulli e vogël.

Manastiri qëndron mbi një mur të lashtë, më parë një orakull, ku lexuesit e ujit në shekullin e 17-të, parashikonin të ardhmen e besimtarëve përmes bekimeve të Shën Gjergjit. Kisha është kundër nocioneve të tilla, kështu peshkopi e çimentoi pusin, më 1967-ën. Pasi i shoqi u nda nga jeta  dhe fëmijët u rritën, Motër Irini për shumë vite kthehej vazhdimisht në ishull. Herën e parë që erdha këtu, vetëm aroma, malet, bluja e detit… Ndjeva se ishte diçka që doja ta shihja sërish”, thotë ajo.  Tridhjetë pemët frutore që Motër Irini i mbolli me dashuri vazhdojnë të thithin ujë nga burimi. Ndërsa eci nën gjethet e portokajve, limonëve, kajsive, pjeshkave dhe ullinjve, macet shtriqen mes shtretërve të luleve, pa e çarë kokën rreth botës. “Macet ishin sëmurë”, thotë Motër Irini, “por solla mjekë këtu dhe tani janë të lumtura”.

Jeta në Amorgos

Nuk është e vështirë të shohësh se çfarë e ka tërhequr drejt jetës këtu në Amorgos; Është një strehë nga bota e jashtme. Imagjinoni të lini gjithçka për një vend,  ku dielli ndez detin me shkëlqim diamantesh gjatë ditës dhe varkat tringëllijnë nën qiellin e ndezur prej yjesh, gjatë natës.

Nxënësit në Kora marshojnë për të kremtuar Ditën Ohi (Dita Jo).
 

Me vetëm dy ATM,  mbeten shpesh ngushtë me paratë,  por ata njëmijë banorë të ishullit janë mësuar të marrin e japin mes njëri-tjetrit. Ushqim i freskët i bërë në shtëpi serviret në ajër të freskët dhe përgatitet në vend, me nge. Gjithçka në Amorgos lëviz ngadalë, por ia vlen pritja. Kafja e mirë zien në enë bakri në rërë të nxehtë. Shporta të nxehta me sardele serviren me djathë feta – të  thekura, të kriposura apo pikante – mes domateve të këputura në mëngjes dhe ullinjve, dhe me bukë të sapo pjekur. Ushqimi ka shijen e detit. Ndryshe nga manastiri i Motër Irinit, pjesa më e madhe e ishullit është i thatë dhe i thepisur.

Ngjitem dy orë në shtigjet tradicionale, rrethuar me mure të lashta prej guri në fshatrat e Tholarisë, Lankadasë dhe Egialit, për të vizituar manastire të tjerë në ishull – një xhiro që të tjerët e bëjnë në anë të kundër çdo javë, për të vizituar motër Irinin e Korës. “Çdo të shtunë priftërinjtë vijnë dhe ndajnë vezë, përqafohemi dhe bisedojmë”, thotë Motër Irini. “Është një nga të parapëlqyerat e mia”. Priftërinjtë banojnë në manastirin më të njohur të ishullit.  I themeluar nga perandori Bizantin Aleks Komneni, në fund të shekullit të 11-të, Hozoviotisa qëndron lart, mbi një majë shkëmbi. Ka zëra se Luvri është përpjekur ta blejë, prej vitesh. Stoli, gurë të çmuar dhe ar zbukurojnë altarin: orë Rolex, smeralde dhe diamante rrëzëllejnë në rafte të mbyllura xhami, dhurata të lëna nga turistë të frymëzuar shpirtërisht,  nga e gjithë bota.

Atë  Georgios gjatë meshës, në  Amorgos, Greqi. Manastiri Hozioviotisa.
Shtegu drejt Manastirit Hozioviotisa,  gjarpëron në shkëmb, qindra metra mbi nivelin e detit.

Shumë manastiret e Amorgosit, mes më të vjetërve në botë, tërheqin me mijëra turistë, kryesisht nga Franca, Italia dhe Greqia

Sado madhështore sa mund të duken këto dhurata luksoze, bekimi më i madh i këtij manastiri mund të jenë pamjet e pashoqe të gjirit blu të Aghia Anna. Pas një ecjeje të ngeshme teposhtë kodrës, kaloj nëpër ujërat e cekëta drejt një guve të freskët, duke e lënë detin e kripur të pastrojë të nxehtit e ditës. Në një peizazh kaq parajsor, është e lehtë të kuptosh zgjedhjen e Motër Irinit për t’ia kushtuar veten një jetë të thjeshtë e të shenjtë. “Qetësinë, lindjen e diellit, perëndimin – gjithçka”, thotë ajo. “Dua gjithçka.”

 

Më Shumë