Futboll

Brazili zbulon Riçarlison, Nejmar kalon Pelenë

Brazil-El Salvador ishte një miqësore mes dy skuadrash me diferenca shumë të mëdha dhe rezultati e tregon qartë. 5-0, me gola të Nejmarit me penallti, Koutinjos, Riçarlison (2) dhe Markinjos. Një “shëtitje” për djemtë e Tites në stadiumin “FedEX Field”, në Merilend, përpara 27.511 spektatorësh, ku shumica ishin nga Salvadori.

Nga skuadra që pak ditë më parë mundi 2-0 Amerikën, trajneri Tite kishte bërë 6 ndryshime. Në portë ishte Neto, i cili debutoi me Brazilin pas 25 grumbullimesh. Eder Militao ishte një tjetër debutues në mbrojtje, ku Dede zuri vendin e Tiago Silvën, duke formuar dyshen e qendrës me Markinjos. Në të majtë Aleks Sandro në vend të Filipe Luis. Mesfusha përbëhej nga Kasemiro, Arthur (tjetër debutues) dhe Koutinjo. Treshja e sulmit ishte me Dugllas Kostën djathtas, Riçarlison në qendër dhe Nejmarin në të majtë. Ky i fundit ka regjistruar ndeshjen e 92-të me Brazilin, duke kaluar Pelenë me 91 ndeshje.

Nejmar shënon  me penallti

Ndeshja nisi me një penallti në favor të Brazilit, të fituar nga Riçarlison dhe të kthyer në gol nga Nejmar. Fitorja e Brazilit u thellua me golat e Riçarlison, autori i një dopiete, Koutinjos dhe në fund të Markinjos. Nejmar goditi traversën në këtë ndeshje, ndërkohë që është ndëshkuar edhe me karton të verdhë, pasi simuloi në zonë, duke kërkuar penallti. Ra në sy në këtë ndeshje paraqitja e mirë e Riçarlison, lojtarit të Uatfordit në kampionatin anglez, jo vetëm se shënoi dy gola, por duket se Brazili ka gjetur numrin 9.

Riçarlison, autor i dy golave për Brazilin

Interesant është fakti se Andreas Pereira, mesfushori belg i Mançester Junajtid, luajti për Brazilin, duke zëvendësuar Arthur. Zakonisht është Brazili që furnizon kombëtare të tjera me lojtarë, kurse tani, djali i një ish-futbollisti brazilian, që ka emigruar në Belgjikë, është grumbulluar me kombëtaren e vendit ku ka lindur. Ai është aktivizuara me kombëtaret e moshave të të dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë