Futboll

Bazeli feston 125-vjetorin, i trajton ekipin e femrave si kamariere

Duhej të ishte një festë e madhe për Bazelin, që feston 125-vjetorin e krijimit, por vëmendjen e ka marrë një akt i rëndë diskriminimi nga ky klub për ekipin e femrave. Vende të rezervuara në festë për meshkujt, ndërsa femrat janë lënë një dhomë më vete.

Shtypi zviceran dhe ai i huaj janë marrë më shumë me këtë çështje, duke e konsideruar një skandal, se me festën e Bazelit. Në festën e organizuar nga klubi i madh zviceran, përveç ekipit të parë të meshkujve, kanë marrë pjesë edhe shumë drejtues të klubit, të stafit teknik, ish-lojtarë, sponsorë dhe tifozë. Të gjithë kanë shijuar momente të bukura në këtë festë, përveç femrave. Skuadra e parë e femrave është lënë mënjanë dhe është trajtuar në një mënyrë shumë më ndryshe. “Ticinonline” raporton se femrave u është dhënë detyra të shisnin biletat e lotarisë në tavolina dhe më pas të konsumonin një panine të thjeshtë në një dhomë të veçuar, sepse nuk kishte një tavolinë të rezervuar për to.

Një episod i shëmtuar, një rast klasik i diskriminimit gjinor. Drejtuesit e Bazelit janë justifikuar me mungesën e hapësirës. Por salla ku është organizuar festa ishte 3300 metra katrorë dhe vështirë të besohet versioni i klubit zviceran, që në një farë mënyre është munduar të shfajësohet. Ngjarja në fjalë ka bërë xhiron e botës shumë shpejt. CNN, për shembull, shkruan: “Femrat hanë panine, ndërsa meshkujt dëfrehen”.Edhe këshilltarja kombëtare Elisabet Shneider-Shneiter ka mbetur e shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur në festën e Bazelit. Me indinjatë e ka trajtuar këtë lajm edhe“Stern.de”, që shkruan: “Menu me tre pjata vetëm për meshkujt. Bazeli i ushqen futbollistet e veta me panine”.

 

Më Shumë