Futboll

Zyrtarizohet largimi i Zekiç për tek Osijeku, Partizani në kërkim të trajnerit të ri

Gazeta Si – Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar pak minuta më parë lajmin që priste vetëm konfirmimin. Trajneri Zoran Zekiç ka mbyllur bashkëpunimin me këtë klub për të kaluar tek Osijeku në Kroaci. Në njoftimin zyrtar flitet për dakordësi mes dy klubeve, por nuk përmendet shifra e 100 mijë eurove, që thuhet se ka shkuar në arkën e Partizanit.

“Klubi i Partizanit njofton arritjen e marëveshjes me NK Osijek për transferimin e trajnerit Zoran Zekiç. Tekniku kroat, për shkak të arsyeve familjare, ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij dhe Partizani, pas dakordësisë me klubin kroat, lejoi transferimin e Zekiç te NK Osijek.

Falenderojmë trajnerin Zoran Zekiç për kontributin e tij në stolin e kuq dhe i urojmë suksese në karrierë. Në drejtimin e skuadrës do të vazhdojë stafi teknik, i kryesuar nga drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, mbështetur nga Mario Kuiç, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijeviç”, - shkruan klubi kryeqytetas në njoftimin zyrtare.

Drejtuesit e Partizanit janë tashmë në kërkim të trajnerit të ri, por po marrin kohë për përzgjedhjen e tij. Orges Shehi mbetet kandidati kryesor aktualisht. Në ndeshjen e radhës ekipi mund të drejtohet nga Reinaldo Kalari, nëse nuk do të jetë gjetur ende ‘timonieri’ i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë