Lajme

Reeker: Protestat të jenë paqësore. Luftoni krimin e organizuar

Philip Reeker, Këshilltar i Komandantit të Forcave ushtarake amerikane në Evropë, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën, duke u ndalur tek situata më e fundit në Shqipëri, tha se palët duhet të ushtrojnë të drejtën demokratike për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Opozita doli në rrugë dhe i dogji mandatet; duhet bërë shumë punë urgjente brenda proceseve demokratike. U kërkojmë të gjithë drejtuesve politikë që të shfaqin vullnet politik për t’u angazhuar në institucionet demokratike të Shqipërisë për t’i çuar reformat përpara. Dhe nëse palët ushtrojnë të drejtën demokratike për të protestuar, kjo duhet bërë në mënyrë paqësore”, tha Reeker në Shkup, sipas Zërit të Amerikës.

Ai shtoi se janë bërë shumë përpjekje në rrugën e reformave, por se duhet çrrënjosur korrupsioni, të ristrukturohen institucionet kyçe të sundimit të ligjit, të reformohet gjyqsori:

“Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin. Në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Philip Reeker është një diplomat dhe njohës i mirë i çështjeve në Ballkan. Ai është është projektuar nga administrata Trump në SHBA për të marrë detyrën e braktisur nga Wes Michel.

Reeker i cilësuar si “njeriu që kryen punë” nga mediat në SHBA, do të marrë përsipër detyrën e vështirë për të konkluduar një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë.

Reeker (54 vjeç) në vitin 1999 ishte përfaqësues për media i të dërguarit amerikan Kristofer Hill në bisedimet për Kosovën në Rambuje, nga viti 2008 deri në vitin 2011 ishte ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, ndërsa nga 2011 deri 2013 zëvendës ndihmës sekretar për Evropën dhe Euroazinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë