Politike

KQZ rrëzon gjobën 1500 lekëshe: Deputetët të mos ftohen te legalizimet

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, një prej organeve të reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i dalë pas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar rrëzoi kërkesën për masë administrative ndaj deputetit socialist, Bujar Çela dhe hoqi gjobën prej 1500 lekësh të vendosur ndaj drejtorit të Kadastrës së Lushnjes, Arben Qalliu.

Vendimi është marrë me shumicë votash 3 me 2, ku ish-ministri i PD-së, Ilir Rusmajli ka bashkuar votën me emrat e propozuar nga PS në KAS për të rrëzuar vendimin e marrë nga Ilirjan Celibashi.

Po në këtë vendim, KAS ngarkon Ilirjan Celibashin që të informojë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i kërkojë që të ruhet neutraliteti i administratës publike duke mos ftuar deputetët në veprimtaritë e saj rutinë.

KAS-i u mblodh për të shqyrtuar dy kërkesa për ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi, që dënoi me gjobë prej 1500 lekësh kreun e Kadastrës së Lushnjes për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe ushtrimin e veprimtarive të ndaluara para zgjedhjeve.

Kërkesa e parë ishte e avokatit të Qalliut që kërkoi heqjen e kësaj mase. Avokati tha se për shkak të Covid, dega e Lushnjes e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka vendosur që të shpërndajë lejet e legalizimit nëpër banesa për qytetarët.

Avokati tha se nuk ka prova që lejet e legalizimit janë dhënë nga klienti i tij për deputetin socialist, Bujar Çela dhe më pas ky i fundit i ka shpërndarë për qëllime elektorale. Ai tha gjithashtu se në ankesën e LSI-së nuk provohet gjithashtu nëse shpërndarja e këtyre lejeve ka ndodhur pas 25 dhjetorit, datë kur ka hyrë në fuqi vendimi i Komisionit Rregullator ku përcaktohet se ndalohet promovimi i dhënies së lejeve të legalizimit për qytetarët.

Për këto arsye, avokati i Qalliut kërkoi rrëzimin e masës administrative, pasi sipas tij mund të shndërrohej në një precedent për të ndëshkuar të tjerë funksionarë shtetërorë që ushtrojnë detyrën e tyre ligjore pa pasur prova.

Kërkesa tjetër ishte e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përfaqësuesit e kësaj partie thanë se publikimi në Facebook nga deputeti Bujar Çela dhe vetë kreu i Kadastrës së Lushnjes, Arben Qalliu sugjeron se mes tyre ka pasur një bashkëpunim.

LSI, që më herët e ka konsideruar qesharak dhe legalizim të blerjes së votës masën e gjobës me 1500 lek ndaj Arben Qalliut kërkoi edhe ndëshkim administrativ ndaj deputetit Bujar Çella. Ajo thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me shpërdorim detyre dhe nga KAS-i kërkon që të vendosit ndëshkimi maksimal i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, që shkon deri në 90 mijë lek gjobë.

Edhe avokatët e LSI-së e mbështetën kërkesën e tyre me arsyetimin se duhet krijuar një shembull që të shmangen shpërdorimi i funksioneve shtetërore dhe parave të taksapaguesve në të ardhmen dhe për të treguar se organet e reja të KQZ-së kanë vullnetin për të garantuar një proces të drejtë zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë