Lajme

Zyrtarët e PD në Prokurori: Thirren denoncuesit, jo i dyshuari për trafik droge

Tre zyrtarët e Partisë Demokratike, Enkeljed Alibeaj, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi pasi dhanë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me audio-përgjimin e publikuar një javë më parë nga selia blu, deklaruan se në vend të tyre duhet të ishin thirrur njerëz të tjerë duke iu referuar ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vëllait të tij, Agron Xhafaj dhe Kryeministrit Edi Rama.

Deputeti Alibeaj pas daljes nga Prokuroria deklaroi se në organin e akuzës duhet të vinin të dëshmonin të tjerë persona dhe njoftoi se ka dorëzuar kërkesë në Prokurori për të qenë përfaqësues i viktimave të trafikut të drogës, në mënyrë që procesi penal të mos mund të merret peng nga Rama e Xhafaj:

“Për interesin tuaj po ju them edhe dicka tjetër. Duke qenë se Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar parashikon mundësinë që edhe përfaqësues të viktimave kanë të drejtë të marrin një pozitë proceduriale brenda procedimit penal unë shfrytëzova këtë lloj mundësie qoftë edhe në statusin e deputetit, përfaqësues i publikut, viktima e madhe e fenomenit të trafikimit të narkotikëve kam bërë kërkesë përpara prokurorisë që që sot edhe në vazhdim të jem përfaqësuesi i viktimave të këtij fenomeni kriminal. Që do të thotë, në bazë të parashikimeve ligjore unë deputeti Enkelejd Alibeaj kam të drejtë të kërkoj thirrje dëshmitarësh, kqyrje, bërje aktesh, akte të tjera hetimore si një mundësi që procesi penal mos merret peng nga Rama dhe Xhafaj”- deklaroi Alibeaj.

Ndërsa deputeti Ervin Salianji, pas daljes nga Prokuroria deklaroi se PD ka një tjetër audio-përgjim, që implikon Agron Xhafajn në trafik droge

“Nuk mund të flasim për të gjitha deklarimet që kemi dhënë në prokurori sepse përbëjnë nxjerrje të sekretit hetimor. Ka një deklarim nga gazetari Jetmir Olldashi i cili më ka sjellë pjesën e audio-përgjimit, jo vetëm pjesën e parw, që është publikuar nga PD, por edhe një pjesë tjetër ku duket qartë që personat e lidhur me krimin dhe të lidhur me Fatmir dhe Agron Xhafajn trafikojnë kanabis.

Në përgjimin që unë kam parë dhe disponohen nga ana e PD që ka ardhur nga gazetari Jetimir Olldashi, wshtw zëri i gazetarit Olldashi, bashkëpunëtorit X, Albert Veliu dhe i trafikantit tjetër, i cili është bashkëpunëtor apo zari i Agron Xhafajt, ku flitet qartazi për "10 kile drogë mos më hajde, unë flas për 100 kile e sipër”- u shpreh Salianji.

Para se të futej në organin e akuzës, deputeti Salianji u drejtua nga mediat me një parrullë në dorë ku ,shkruhej "Unë nuk jam Ervin Salianji".

Këshilltari ligjor i PD, Gazmend Bardhi deklaroi për mediat se kishte dëshmuar dhe dorëzuar materialet për gjithcka që kishin publikuar gjatë ditëvë të fundit. “Kemi dhënë sqarime për materialet mbi faktet dhe provat, që kemi publikuar”- u shpreh Bardhi.

Këshilltari ligjor i PD u shpreh se si jurist që është do të bashkëpunojë me organet e prokurorisë sa herë që të thirrët, por ngriti disa shqetësime.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Shtetasi i dyshuar si përfshirë në trafik droge, që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje, por jemi marrë ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje akoma ministri i Brendshëm, që i lehtëson veprimtarinë kriminale të vëllait. Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri, që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt por ndërkohë nuk ju bën ju me dije, dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit dhe prokuroria duhej të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan Kryeministri, sepse është një e dhënë që ndihmon hetimet, por jemi marrë neë që denoncuam rastin. Prandaj thirrja ime publike ndaj Prokurorisë është të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji”- theksoi Bardhi.

Zyrtari i PD u shpreh se “jemi jemi përpara një rasti të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm”.

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po dëshmon edhe gazetari investigativ, Jetmir Olldashi, i cili realizoi intervistën me dëshmitarin X, Albert Veliu. Ai në konferencën për mediat tregoi si ishte lidhur me dëshmitarin X dhe si kishin realizuar audio-përgjimin, ku sipas tyre është vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj në një aferë trafiku droge.

Prokuroria kërkon pajisjen me të cilën është realizuar audio-përgjimi, por edhe materialet e tjera, për të cilat foli në konferencën për mediat edhe gazetari Olldashi.

Vetë Agron Xhafaj, në një letër të hapur për publikun, e cilësoi fals audio-përgjimin duke deklaruar se nuk merret me veprimtari të paligjshme dhe po vetëdorëzohej në organet italiane të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë