Futboll

Zyrtare/ Superiorja mbyll bojkotin, Rama e përshëndet: Tani flasim

Kampionati i Superiores do të nisë të mërkurën e ardhshme, më 4 nëntor. Tashmë ka marrë formë zyrtare, ndërsa të dielën do të luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. E ka konfirmuar presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas takimit të Ligës Profesioniste.

“Fillojmë të dielën me Kupën e Shqipërisë, ndërsa kampionati i Superiores do të fillojë të mërkurën. Jemi në rrugë të mbarë, në takim pati debate dhe diskutime, por e rëndësishme është që jemi në rrugën e zgjidhjes së problemeve, ndaj dhe kemi vendosur të nisim aktivitetet. Kemi pasur takime me përfaqësuesit e qeverisë dhe kemi një akord. Kemi ndryshuar mënyrën e të kërkuarit, por kërkesat janë po ato”, theksoi pas takimit presidenti i FSHF-së, Duka.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas takimit të Ligës. Gazeta Si, 29 tetor 2020

Liga Profesioniste i përshpejtoi hapat, duke i dhënë fund bojkotit. Mbledhjen e parashikuar për nesër me drejtuesit e klubeve ajo e zhvilloi sot në “Air Albania Stadium”, ku u vendos për fillimin e aktiviteteve kombëtare. Vendimi vjen një ditë pasi deputeti Fidel Ylli, i ngarkuari i qeverisë për negociatat me Ligën Profesioniste, bëri të ditur publikisht miratimin e kryeministrit Edi Rama për 4 kërkesat e famshme të futbollit.

“Ne kemi diskutuar dhe kemi marrë miratimin për plotësimin e kërkesave tona. Diskutimi kryesor ishte Ligji i Sponsorizimit, që tashmë është në proces dhe ne presim t’i japim zgjidhje”, - tha pas takimit presidenti i Ligës Profesioniste, Evdin Libohova. Nisjen e kampionatit e paralajmëroi presidenti Duka disa ditë më parë, pas një takimi me kreun e qeverisë, Edi Rama. Liga është “dorëzuar” tashmë, aktiviteti do të nisë, ndërsa 4 kërkesat janë në zgjidhje e sipër.

Superiorja duhej të kishte zhvilluar tani tetë javë kampionat, gati një fazë të tërë. Kampionati fillon me javën e parë, sipas kalendarit të hedhur kohë më parë.

Vendimi i Ligës është përshëndetur nga Kryeministri Edi Rama, që tha se tani mund të diskutohet me FSHF-në për kërkesat e tyre.

“E përshëndes fundin e bojkotit absurd të Ligës Profesioniste të Futbollit dhe rifillimin e kampionatit të dielën! Tani po, gati të flasim me Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur me mirëbesim e mirëkuptim hallet e Ligës! Uroj që naftëtarët të marrin shembull. Unë jam gati”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë