Futboll

Zyrtare/ Serxhio Ramos i jep lamtumirën Realit pas 16 vitesh

Pas 16 vitesh, Serxhio Ramos do të lërë Real Madridin. Lajmin e ka bërë të ditur klubi spanjoll formalisht, ndërsa të enjten kapiteni do të japë lamtumirën në një konferencë shtypi, ku do të jetë i shoqëruar nga presidenti Florentino Perez. Ramosit i është ofruar një kontratë prej 5 milionë eurosh, por bisedimet perënduan menjëherë.

Serxhio Ramos kaloi te Reali ditën e fundit të merkatos së verës 2005, duke lënë Seviljen, ku ishte rritur. Gjatë kësaj periudhe ai është bërë madridisti i katërt me më shumë ndeshje, 671, dhe i dyti sa u takon trofeve të fituar, 22, një më pak se Gento. Mes trofeve të fituar janë 4 Champions dhe 5 tituj kampion në Spanjë. Ramos ka shënuar 101 gola, ai është një legjendë e Realit dhe “gran capitan” në Madrid.

Ramos me një trofe të fituar me Realin. Gazeta Si, 16 qershor 2021

Ramos fitonte rreth 12 milionë euro dhe kjo është paga që i është ofruar David Alabës. Kapitenit iu ofruan 5 milionë euro, bisedimet u bllokuan menjëherë dhe nuk rifilluan më. Ndeshja e fundit e Ramosit me Realin e Madridit është ajo në “Stamford Bridge”, ku madrilenët u eliminuan nga Çelsi në Ligën e Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë