Politike

‘Zvërneci’/ Rama: Luftë hibride, orkestrohen situata duke përdorur çështjet mjedisore!

Nga Gazeta ‘Si’- Luftë hibride, e quajti kryeministri Rama protestën kundër ndërtimeve në Zvërnec.

Në një dalje jo tipike pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama tha se sipas tij çështjet e ambientit shfrytëzohen për shkak të ndjeshmërisë së tyre për të nxitur qëndrime kundër zhvillimit.

Sipas kreut të qeverisë, vende dhe aktorë që kundërshtojnë zgjerimin dhe ndikimin e Bashkimit Europian organizojnë dhe nxisin situata të ngjashme në vende të ndryshme, duke përdorur veçanërisht çështjet mjedisore si pikë mbështetjeje për të ndikuar në opinionin publik.

“Dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe kemi një pasqyrë të plotë se nga vijnë e nga shkojnë, por ky është territor i terrorit kibernetik që ka ardhur edhe në vendin tonë. Janë të panumërta burimet që kanë nxjerrë studime se si vendet kundër BE organizojnë e nxisin situata të kësaj natyre, duke përdorur çështjet e ambientit që ka sensibilitet shumë të madh dhe bashkohen vëllezërit e Agimit të Artë dhe orkestrohen ustallarë si ata në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës që ndihen të lënduar”, tha ai.

Sipas tij, resortet luksoze janë domosdoshmëri për të rritur ekonominë dhe tha se nuk do t’ia heqë Shqipërisë qafe me vetëdije këtë projekt.

“Injoranca nuk është asnjëherë argument dhe duke qenë se i druhem shumë injorancës sime, i druhem për shumë fusha që s’kam si t’i njoh vetvetiu dhe t’i shkoj pas Berihait, lexoj shumë. Duhet të përballem me njerëz që thonë çfarë na duhen ne resortet luksoze? Resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhura më të larta nga turizmi. Mund të pyesni ChatGPT. Do të marrë përgjigjen që resorti luksoz prodhon të ardhura edhe për të. Nuk kam asnjë arsye që të mendoj se me vetëdijen time, Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë