Nga Gazeta ‘Si’- Debatet në Kuvend kanë nisur këtë të enjte me çështjen e protestave kundër projektit në Zvërnec.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj tha se të rinjtë shqiptarë sot po “luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar për një betejë që unë e kam nisur që me Butrintin“.
Ajo gjithashtu u ankua se përse projektligji që ajo ka çuar në Parlament për zonat e mbrojtura nuk është futur për diskutim: “Sot ua kërkon BE për ta miratuar. Jua kam sjellë ligjin që më 14 maj, pse nuk e keni sjellë në program?!”
Më pas, sa i takon teorive që qarkullojnë mbi protestuesit, Zhupa u shpreh se: “Janë protesues shqiptarë, jo grekë, jo rusë, jo agjentë, janë shqiptarë ata që u dhimbset Shqipëria!”
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ironizoi kur tha se qeveria, që iu referua si Sulltanati, i fryn zjarrit se protesta është nxitur nga faktorë të jashtëm.

“Rendin e ditës e kanë vendosur ata të rinj qqë kanë mbushur sheshet prej 4 ditësh. Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e një qeverie të krimbur nga krimi e të kalbur nga korrupsioni, kërkesa për shfuqizimin e ligjeve grabitqare për investitorët strategjikë, paketën e maleve dhe ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura. Mos e vazhdoni më këtë teatër patetik.
Nga njëra anë sulltanati që i lëshoi disa nga jeniçerët nëpër media për t’i fryrë zjarrit të komplotit kundër Perandorisë, nga ana tjetër kryegjyshata që ka lënë në gjumë të thellë letargjik, të paqtë dimëror siç i ka hije moshës së tretë. Shqipëria po e lë pas të shkuarën.
Në atë foltore duhet të ishte Rama dhe të jepte llogari për kërkesat e protestuesve. Ndaj të nderuar kolegë ju bëj thirrje që të kërkoni thellë brenda jush se ndoshta zbuloni indinjatën e fjetur dhë sot të flisni për kërkesat e protestuesve. Ka një të vërtetë gjigante në thirjet e protestuesve Rama në burg, Berisha në burg. Kjo e vërtetë do t’ju çlirojë edhe ju nga diktati i Sulltanatit dhe Kryegjyshatës.”, tha ai.
Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri është shprehur i revoltuar mbi zhvillimet e djeshme në protestën kundra projektit në Zvërnec, për shkak të përplasjeve të protestuesve me policinë. Por edhe me deklaratat e kryeministrit për një “luftë hibride”.
“Rama tha dje jemi në luftë hibride, dil jep llogari nga kush po sulmohemi meqë drejton anti-terrorin.
Në ’90 Rama e mbushi Tiranën me ‘Enver Hitler’ dhe ‘Ramiz Alia’ nuk bëri gjë. Dje sulmuat qytetarët me ujë me piper, nuk e mbajti dot gardhi protestën. Lejini dopio-standardet jep dorëheqjet nëse ke guxim!”, tha Kapri, i cili kërkoi me ngulm praninë e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme, pasi ky i fundit nuk është i pranishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje