Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i opozitës, Sali Berisha në një bashkëbisedim virtual me qytetarët komentoi takimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama me banorët e zonës në Zvërnecit, në të cilën parashikohet që të ndërtohet një resort luksoz.
Berisha deklaroi se Rama sipas tij ka dhënë lejen e zhvillimit për këtë zonë, megjithëse ajo po hetohej prej një viti nga Prokuroria Speciale për korrupsion të lartë dhe krim të organizuar.
Sipas liderit të opozitës, ky veprim është një kurth i qëllimshëm i kryeministrit, i cili shpreson të përdorë autoritetin e investitorëve Jared Kushner dhe Ivanka Trump për të mbyllur dosjen investigative.
“Çfarë zbuloi dje takimi në Zvërnec? Zbuloi se Zvërneci po hetohej prej një viti nga ai organ që ka dy vepra penale në hetim, korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar. Pra, në një dosje ku prokuroria shqiptare kishte nisur hetimet për krim të organizuar ose korrupsion në nivelet më të larta, zotëria e tij jepte lejen e zhvillimit për kompaninë duke shpresuar se autoriteti i zotit Kushner dhe vajzës do të mjaftonin për të mbyllur çdo dosje.
A nuk është ky një kurth i shëmtuar i një të paburri që bën çdo lloj akti për te përlyer cilindo për përfitime të vetat? Si mundesh ti të japësh leje zhvillimi në një zonë, e cila e di mirë se po hetohej nga prokuroria speciale për krim të organizuar dhe korrupsion? Pra, a nuk është ky një kurth i yti për qëllimet e tua?”, tha Berisha.
Më tej, ai denoncoi sipas tij mungesën totale të transparencës në këtë aferë, duke sjellë në vëmendje përplasjet e fundit me banorët dhe pronarët lokalë të cilët u përballën me tela me gjemba.
Berisha gjithashtu kritikoi ashpër heqjen e Zvërnecit nga lista e zonave të mbrojtura, duke nënvizuar se ky vendim cenon habitatet ekologjike që mbrohen me ligj nga Bashkimi Europian.
“Se e kam thënë që në fillim, se në këtë aferë, ajo që të bën që në fillim një përshtypje tepër dërrmuese është mungesa totale e transparencës. Zero transparencë. Ne pamë telat me gjemba, pamë një njeri që zvarritej, pamë protestuesit dhe qeveria që fajësonte kompaninë se nuk ke zgjidhur problemet me pronarët, paçka se i kishte dhënë titullin e investitorit strategjik, paçka se i kishte dhënë lejen e zhvillimit.
Aty pra, ky i cili e mori Zvërnecin zonë të mbrojtur, e hoqi nga zona e mbrojtur, e heq ti, po nuk e heq Europa, sepse habitatet e mbrojtura nuk janë vetëm për vendin përkatës, por janë për të gjitha vendet anëtare të BE dhe për vendet që ndjekin procesin e integrimit në BE”, shtoi Berisha.
Berisha kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama, duke theksuar se kërkesat e protestuesve duhet të zbatohen pa vonesë.
Sipas tij, Rama duhet të largohet dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve, pasi sipas tij kërkesat e paraqitura nga protestuesit japin zgjidhje për krizën politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje