Në një deklaratë për shtyp zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka folur për procesin e Vettingut. Në fjalën e tij ai tha se procesi i Vettingut duhet të pastrojë deri në fund llumin e mbështjellë në togat e zeza dhe i kërkoi Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin e gjyqtares Herila Çela.
Sipas tij kjo e fundit ka liruar nga burgu një person, duke i dhënë kështu vendim të pamerituar.
“Herila Çela nuk e ka për herë të parë. Gjyqtarja e ka lënë në shtëpi të dënuarin, që nuk e ka për herë të parë. Sot Ministria e Drejtësisë i kërkon Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të merren masa deri në shkarkimin e gjyqtares. Raste të tilla nuk janë të reja”, u shpreh ai.
Më tej, ai tha se për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar do të nisë edhe faza e dytë ndëshkimore.
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk do t’ia hedhin me kaq. Nëse mendojnë se kanë shpëtuar se janë larguar nga sistemi e kanë gabim. Shumë shpejt do të nisë faza e dytë ndëshkimore. Siç mendohej se kupola në drejtësi nuk do të shembej kjo gjë po ndodh. Siç deklarova Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha vendimet për çdo vendim të marrë haptazi në kundërshtim me ligjin”, deklaroi zëvendësministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.