Libra

“Zonja asnjeri dhe zoti askurkush”, një gjendje nokturne paidentifikimi

Luljeta Nelallari - "Nëse jemi shuma e sprovave tona, atëherë të dështuar paskemi qenë!" Nën këto vargje ku dominon lirika filozofike, shkrimtari Agron Tufa sjell vëllimin më të ri poetik “Zonja asnjeri dhe zoti askurkush”, botim i Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Agron Tufa është një autor prodhimtar në shumë vepra dhe zhanre dhe ashtu si çdo vepër, edhe në vëllimin me poezi ka ditur të vendosë mjeshtërisht përvojën personale, identitetin, shenjat e traditës, kujtesën, dilemat e sotme dhe të nesërme, gjë që e bëjnë të spikasë si një prej autorëve më të zëshëm të bashkëkohësisë shqiptare.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, shkrimtari Tufa jep detaje rreth daljes në dritë të këtij vëllimi, vëllimi i tetë i tij. Tufa sqaron se titulli goditës i këtij vëllimi vjen si rrjedhojë e raportit mes përvojës dhe identitetit dhe anasjellas. “Zonja asnjeri dhe zoti askurkush”, që vjen me një ndërthurje poezish ndër vite të çon drejt shpartallimit të identitetit apo siç e quan vetë shkrimtari “Një komedi ekzistence”.

“Zonja asnjeri dhe zoti askurkush”, është vëllimi juaj poetik i radhës. Pse vendosët pikërisht këtë titull?
"Po, është vëllimi i tetë. Titujt, dihet, janë tregues implicitë e metaforikë të lëndës, në rastin konkret, të imazheve mendore e filozofike që dominojnë vëllimin. Dhe, përderisa unë i përkas asaj natyre poetësh që priren nga lirika filozofike dhe diskursiviteti filozofik, atëherë dhe titulli të orienton në një sferë të tillë filozofike të raportit midis përvojës dhe identitetit. Dhe anasjelltas. Në këtë rast kundrohet një refleks ekzistencial i tillë: përderisa përvoja prodhon një identitet të caktuar, atëherë shuma e përvojave tona, përcakton personalitetin e këtij identiteti. E kundërta të çon në rrafshimin, nivelimin dhe shfytyrimin e kontureve të identiteteve, pa pretenduar më për asfarë personaliteti. Kështu në pjesën më të madhe të këtij vëllimi, kemi të ashtuquajturin “decentralizim të subjektit”, spostimin e “egos” së heroit lirik nga “uni” i vetës së parë, në një “ne” pavetore, që merret si shumë pavetore përvojash njëherësh edhe e “unëve” edhe e “neve”. Alienimi dhe refuzimi (kolektiv) nga përvojat tona, në një kuptim thelbësor të përjetimit dhe reflektimit, na shpie si vetëdije shoqërore nga rrafshi individual tek ai kolektiv drejt shpartallimit të çdo identiteti, siç kam dhe shqetësimin tim këtu për këtë temë. Po nëse rrafshimi i këtyre kontureve identitare (që çon pashmangshëm në pamundësinë e rritjes së personalitetit), i cili është pasojë e refuzimit të përjetimit të përvojës, atëherë kjo na bën të jemi “të vdekur të pakallur”, zero absolute, apo varre ajrore shëtitës, të patrajtë, si në poezinë që i jep emër vëllimit:

Nokturn X

Nëse jemi shuma e sprovave tona,
atëherë të dështuar paskemi qenë!
Atëherë në ne është përsëritë jehona
e shuar në zbrazëti. Sepse kjo enë

e mishtë, që na përfaqëson, po prore
e zbrazët është. Me asgjë s’u mbush.
Ja, si endemi tash - qimitere ajrore:
zonja Asnjeri dhe zoti Askurrkush...

Vëllimi me poezi

Kjo gjendje nokturne paidentifikimi prodhon jo thjesht “komedinë e ekzistencës”, por dhe premisën e një metamorfoze të rrezikshme, kur këto “enë të mishta”, të patrajta, këto zonja “asnjeri” dhe zotërinj “askurrkushë”, ashtu, pa vetëdije rezistence identitare, pa “personalitet” të tyre, të bëhen befas nesër gjahu më i lehtë i turmave demagogjike dhe liderëve të tyre. Shkurt, ato përbëjnë, në njëfarë kuptimi, truallin e gatshëm për manipulimet e ardhshme. Mund të jenë të parat folje ndihmëse ose gjysmëndihmëse të pushteteve autoritare, totalitare, diktatoriale etj. Dhe tashmë me këtë perspektivë të zymtë hapet dhe dimensioni etik i idesë së poezisë.   

Ky libër vjen me poezi ndër vite, çfarë i bashkon këto poezi?

Ky vëllim vjen pas librit tim poetik “Kafsha apo fantazma” (“Onufri”, 2016), i shpallur fitues i Panairit Kombëtar të Librit, po atë vit. Pjesën më të madhe e zënë poezitë e shkruara pas këtij viti, pra, të një harku kohor trevjeçar. Por ka një masë të konsiderueshme në këtë vëllim poezi të shkruara përgjatë viteve të ndryshme, të cilat nuk e kanë gjetur veten në kompozimin (arkitekturën) e vëllimeve të mëparshme. Ka dhe disa të tjera, që janë shkruara fort herët, që në fazën e parë të krijimtarisë, ku kufirin më të poshtëm kronologjik e kap një poezi e shkruar në vitin 1990. Të tilla lirika të hershme gjenden në të gjitha vëllimet, kryesisht të shkruara në Peshkopi dhe Shkodër. Ka gjithashtu edhe disa pak poezi nga vëllime të tjera, për “rimarrje” motivesh, të cilat janë strukturuar në katër ciklet që konfigurojnë vëllimin. Disa poezi të tilla janë sjellë edhe për shkak se, të botuara në vëllimin “Fragmentet e Gjësë” (“OM”, Prishtinë 2012), ato thuajse nuk e bënë “jetën e lexuesit”, për sa libri, me një përjashtim të rrallë, nuk u shpërnda në libraritë e Tiranës.
Poezitë e vëllimit “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” mendoj (apo më pëlqen të mendoj), se i përmban një kyç meditativ: “kërcënimi i thelbit human të njeriut bashkëkohor përballë pushteteve tjetërsuese postmoderniste, reale e virtuale”. Prandaj dominon në vëllim lirika filozofike/meditative (nokturnet), që janë peizazhe metafizike mendore. Stilistikisht vijon po ajo klaviaturë temash e variacionesh, e ngjashme me librat e mëparshëm, sikundërse eksperimentimi i formave klasike/neoklasike me përmbajtje joklasike, me mjetet e latuara e sa më të kursyera të shprehjes. Linja e hershme e vargut të lirë (verliber), dominon kryesisht peizazhet mendore emocionale. Mendoj se është një libër që shpreh rrugëtimin tim të natyrshëm poetik. Dhe këtë e bën në mënyrë më spontane e më të shtendosur se vëllimet e mëparshme.

A janë poezitë e shkruara në këtë libër të bazuara në ndonjë rrethanë të caktuar apo janë fiction?

Mund të ketë (dhe pa dyshim që ka), por unë nuk jam tipi i poetit që shkruaj poezi rrethanash, poezi të shkëputura, pa një klimë specifike mendore, dmth., pa një sistemësi. Përdryshe, strumbullari ideor rreth të cilit do të përbashkoheshin organikisht poezitë, do t’i linte jashtë ato. Ndërsa po, e them me siguri, që të gjitha poezitë e mia janë prodhime të imagjinatës, pra, fiction. Poezinë nuk e shkruaj as me rrethanë, as me ide, as me gjuhë. Sepse është e pamundur. Poezinë e shkruaj me imazh. Në fillim spikat një imazh mendor, i ndjeshëm, goditës e mbizotërues. Ai godet njëfarë “antene” të padukshme përbrenda, kërkon të kjartësojë tiparet e marrta, derisa gjuha e saktë e zbardh, në një proces të pavetëdijshëm, instinktiv.

A keni ndonjë poezi të hershme që nuk e keni botuar kurrë?

Po, ka plot. Janë problematike krijimet e hershme, sepse ato kanë marrë trajtën e njëfarë supersticioni plazmik të kohës dhe gjendjes mendore e emocionale kur janë shkruar. Unë ndonëse i mbaj mend fort mirë rrethanat, nuk mund të ndërhyj shumë në këtë “plazëm” organike të një vetje tjetër, të dikurshme. Është, pak a shumë, si me një album nostalgjik fotografish, që e shfleton pas 25-30 vjetësh. Por ne e dimë, se si shndërrohemi pa vënë re në kohë, si ndryshojmë, si hedh shtat në ne një tjetër konstrukt, pa e harruar atë më të hershmin, në zanafillë. Ndryshojnë nivelet tona me kohën; nivelet fizike, mendore, astrologjike etj., sepse vërtet, lotët e tu të djeshëm, përjetimet dhe mprehtësia depërtuese e tyre e djeshme, betimet dhe përgjërimet e hershme, nuk e kanë nivelin dramatik e utilitar të së sotmes, e cila ushtron një tjetër presion, me të tjera ëndrra, të tjera pushtete, të tjera fantazma. Pra, është diç e ngjashme jeta jonë me shtjellën e vorbullën e kohës që na përpin, ashtu si në romanet e Prustit.

Për t’ju lexuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por edhe të psikoanalizës, historisë, të letërsisë dhe të gjuhësisë…?

Pa dyshim, por jo doemos. Disa koncepte edhe lexuesi mesatarisht i formuar i kupton. Në një formë a në një tjetër është njohur me domethënien e tyre, sepse t’i mëkon përvoja informuese e virtuale. Nga ana tjetër është e qartë, që unë nuk jam (e nuk kam synuar) të jem i kuptueshëm për masat e turmat. Poezia e njëmendët, si art elitar, e ka përcaktuar auditorin e saj, i cili ka ardhur duke u diferencuar ndjeshëm. Duke u elitarizuar. Kështu ajo nuk mëton populizëm dhe nuk i bie më qafë atij që nuk është i papërgatitur për të.

Te shumë autorë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” në lidhje me librat e tyre, si ndiheni ju në lidhje me librin tuaj më të ri?

Unë nuk kam, e nuk kam patur asnjëherë problem me “krizën” në kuptimin e slang-ut të krijimit. Unë kam problem me kohën. Pra, po përpiqem tash sa e sa vjet ta kaloj “krizën” e mungesës dramatike të kohës, duke i hyrë në hak gjumit, apo duke e shfrytëzuar atë si një koprrac i pashoq. Habitem kur e dëgjoj tek ndonjë koleg ankesën për “bllokim”, “krizë” etj. Jo se nuk e kuptoj, por unë nuk e kam atë luks. Kështu që është festë kur ia dal ta përmbyll një libër. Dhe libri duhet përmbyllur pa pezmatime e pendesa, sepse justifikimet jashtëletrare pas botimit, nuk kanë më vlerë.
Unë ndihem i “çliruar” nga libri im më i ri. I lehtësuar. Nuk duhet të mendoj më për të. Thjesht më ka gëlltitur tashmë orbita e librit tjetër.

Nëse ju mund të jepni këshilla për autorët e rinj, cilat do të ishin?

Këshillat janë gjëra të pacipa. Edhe kur i jep për mirë, të acarojnë. Po për ata që nuk acarohen, për ata rishtarë të pasionuar që do të donin të më dëgjonin çiltërsisht, nuk kam ndonjë gjë të madhe për t’u thënë: thjesht duhet të lexojnë letërsi të zgjedhur, me aq pasion e përgjegjësi, të ndihen sikur e kanë shkruar vetë. Qortimet dhe ngazëllimet duhet t’i marrin përsipër sikur të ishin ata vetë në vend të autorit që po lexon. Pse e them këtë? Sepse e di që funksionon. Të ngre nivelin e dëshirës për të shkruar ti vargjet apo faqet e tua. Aq më mirë nëse mendon ndonjë ditë: “po unë mund të shkruaj edhe më mirë se ky!...”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë