Lajme

Zogu i Zi – A mundet një marrëdhënie pedofilie të jetë histori dashurie?

55-vjeçari Ray tronditet kur në zyrë i shfaqet një grua e re; 27-vjeçarja Una. Në petkat e së resë Una vjen aktorja Laura Nezha; e bukur, sensuale, e errët. Regjisori Kiço Londo ka vendosur t’i besojë sërish pas rolit në “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane”, në dramën që ngjitet së shpejti në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ray portretizohet nga 54 -vjeçare Alfred Trebicka; aktor karakteri, zë i pangatërrueshëm në teatër e kinema.

Ray e çon Una-n tek këndi i pushimit të zyrës, ku të dy përfshihen në një përballje të gjatë dhe të vështirë, ashtu si vështirësitë e  vazhdueshme të Una-s për të kuptuar dhe pranuar abuzimin dhe emocionet e saj thellësisht konfliktuese, që sillen mes zemërimit, kureshtjes, turbullirës dhe madje edhe një lloj atashimi ngulmues ndaj Ray-it, të cilin ajo e dashuronte dhe besonte se edhe ai e dashuronte. Plot frikë, Ray i cili vetë po përpiqet të harrojë të shkuarën dhe ndjenjat potenciale që kishte për Una-n, i dredhon pyetjeve të saj kërkuese dhe përshkrimeve të ndjenjave dhe përvojave të saj, i paqartë ndaj qëllimeve që ka ajo.

https://www.facebook.com/tkeksperimental/videos/2123358417963883/

Kujtimet erotike përzihen. Intensiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh.

Pak bashkime të këtij lloji janë të lumtur, por ky është veçanërisht i tensionuar. Kur ata nisin dhe e përfundojnë marrëdhënien e tyre seksuale, Una është 12 vjeç dhe Ray 40. Me copëza kujtimesh zbulohet edhe historia e shkruar nga dramaturgu skocez David Harrower.

Atëkohë qenë arratisur  bashkë dhe, kur  Ray kuptoi ç’kishte  bërë, e la të vetme në një dhomë moteli. Ajo u merakos dhe doli ta gjente, e ndërësa të dy kërkonin çmendurisht  njëri-tjetrit, vendasit në qytezën bregdetare, ku po qëndronin nisën të dyshojnë.

Një çift që po shëtisnin qenin e tyre, e morën Unan dhe njoftuan policinë pasi kishin mësuar se përse ajo gjendej atje. Ray më pas u arrestua dhe u burgos. Pasi doli nga burgu, ia doli të ngrinte një jetë të suksesshme nën një emër tjetër, por Una e kishte njohur nga fotografitë dhe u vu në ndjekje të tij.

Aktorja Laura Nezha

Vepra i vardiset rreziqeve etike, me guxim të tepruar për të karakterizuar lidhjen mes abuzuesit dhe të abuzuarës si një lloj historie dashurie perverse, megjithëse është pa dyshim mënyra sesi të mbijetuarit dhe agresorët do të zgjidhnin ta shihnin përvojën e tyre.

Zogu i Zi ka eshtra të mrekullueshme. Harrower ka rrëfyer se është frymëzuar nga lajmet e një ish-marinsi amerikan i cili ia mbathi në Paris me një vajzë angleze vetëm 12 vjeç, të cilën e kishte njohur në Internet. Histori të tilla kanë ushqyer foragjeret në kërkim të sensacioneve për seriale televizive si “Laë and Order: SVU.”

Aktori Alfred Trebicka

Material i ngjashëm ka frymëzuar vepra më të ndjeshme dhe lirike si ajo e Paula Vogel, me dramën që fitoi çmim Pulitzer “Si mësova të ngas makinën” dhe  Vladimir Nabokovin “Lolita”, sigurisht. Harrower qëndron diku i ndarë; mes një vëzhgimi të zhveshur nga pasioni dhe dhembshurisë.

Megjithëse është frymëzuar disi nga rasti i vërtetë, Harrower vendos ambivalencë trazuese në marrëdhënie: A është Una, gruaja e re e dramës, në ndjekje të hakmarrjes apo afërsisë, apo do ta rinisë? A është Ray, i cili është burgosur dhe (siç pretendon) po përpiqet të rindërtojë jetën, një agresor mashtrues apo po aq  viktimë sa edhe ajo?  

Jeff Daniels dhe Michelle Williams, në shfaqjen e Broadway "Blackbird"

Ashtu si edhe me pjesën më të madhe të veprës së Harroëer, pyetjet i tejkalojnë përgjigjet: ndikimi i Harold Pinterit është i dukshëm, por ka edhe jehona të dramaturgut norvegjez Jon Fosse – Harorëer ka përshtatur disa nga dramat e tij enigmatike dhe të kursyera: “Më pëlqen fakti që është e dykuptimtë”, përsiatet ai. “Gjithnjë mundesh të shohësh dy anë, ktheje gjithnjë faqen tjetër. Kurrë nuk kam dashur të shkruaj teatër, ku fraza mund të thuhet vetëm në një mënyrë. Duhet ta mbash gjënë të gjallë”, thotë dramaturgu.

E kanë akuzuar se i thur lavde abuzimit, ndërsa ai shton “por drama nuk është kjo, aspak. Është në fakt një dramë morali. Nuk ka një fund të lumtur. Nuk mundet ta ketë”. Në thelb Zogu i Zi, fton që shoqëria të hyjë në dialog me çështjet e  nxehta duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human, në botën moderne.


Rooney Mara  si Una dhe Ben Mendelsohn,  në rolin e Ray-it, në filmin "Una".

Zogu i Zi është një dramë e fuqishme dhe me tension, e cila përballet me problemin e pedofilisë me instensitetin dhe fuqinë që vetëm teatri mund ta sigurojë. Pjesa më e madhe e  dramës vjen nga mënyra sesi kjo histori i zbulohet dalëngadalë audiencës, por fuqia e saj e vërtetë vjen nga mënyra sesi na detyron të marrim saktësisht në konsideratë se ç’lloj marrëdhënie ka ekzistuar dhe ekziston ende, mes tyre.

Vepra është vënë në skenë në teatro të ndryshme dhe është përshtatur gjithashtu për kinema.  Në Broadëay aktorët Jeff Daniels dhe Michelle Williams janë vlerësuar për interpretimin e tyre të fuqishëm  të Ray-t dhe Una-s. Një përshtatje e dramës, e titulluar “Una” u shfaq në shtator të 2016-s me Rooney Mara  si Una dhe Ben Mendelsohn,  në rolin e Ray-it.

Ajo që “Zogu i Zi” bën është se na bind, përmes një rrymë të frikshme bindjeje se historia e e Rayt dhe Unas – që e çon burri në burg dhe vajzën në një shteg vetëshkatërrimi – është në të vërtetë një histori dashurie. Dhe kjo është tragjedia më e zymtë nga të gjithë, një që as nuk mund të përqafosh me dashje e as mund të gjesh fjalët për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë