Drejtësia

Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, Prokuroria e Fierit nis hetimet për zbulimin e shkakut

Gazeta Si - Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për shkatërrim të pronës me zjarr në lidhje me djegien e qendrës tregtare “Metropol Center” në Lushnjë.

Nëpërmjet hetimeve që drejtohen nga ekspertë të fushave të ndryshme, do të arrihet në përfundimin për shkaqet e rënies së zjarrit.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregtare “Metropol Center”, lagjia “Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria thotë se po kryhen hetimet në bashkëpunim të plotë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit.

“Me administrimin e akteve procedurale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare. Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve”, vijon prokuroria.

Flakët u shuan pas 10 orësh nga zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë, por ndërsa ka nisur verifikimi i dëmeve, është ende i paqartë shkaku i rënies së zjarrit.

Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen fillimisht në një njësi tregtare në katin e tretë të qendrës e më pas edhe në katin e katërt. Përmes tubave të aspirimit flakët u përhapën në të gjithë objektin.

42 persona mes tyre edhe punonjës të zjarrëfikses përfunduan në spital me probleme në frymëmarrje për shkak të tymit. Të gjithë lanë ambientet spitalore pas mesnatës dhe shkuan te të afërmit e tyre.

Dy kate të qendrës tregtare janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa fatmirësisht nuk pati asnjë jetë të humbur. Të gjithë personat u evakuuan në kohë ndërsa brenda objektit ndërhynë edhe forcat RENEA. Ishin këta të fundit të cilët shpëtuan në kohë qytetarët që ishin brenda qendrës dhe apartamenteve.

Kur u mendua se zjarri ishte shuar në orët e darkës, vatrat e zjarrit u riaktivizuan, pasi djegia brenda ndërtesës vazhdonte. Kjo solli përkeqësim të situatës, por pak orë më pas gjithçka u vendos nën kontroll.

Apartamentet që ndodhen në të dyja kullat janë të pabanueshme. Nga 91 apartamente jetojnë vetëm 20 familje, të cilat e kaluan natën te të afërmit e tyre.

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa tha se të gjitha familjet do të strehohen në konviktet e shkollës profesionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë