Ngjarje

Lushnjë, 20 familje pa shtëpi pas zjarrit. Banorët e pallatit: Zjarrfikësit nuk kishin ujë!

Gazeta Si - Banorët që u janë dëmtuar banesat nga zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, do të akomodohen në konviktin e qytetit.

Kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa ka dhënë detaje në lidhje me flakët që përfshinë një ditë më parë Qendrën Tregtare, ku dëmet materiale janë të mëdha. Deri tani raportohet se janë 20 familje të prekura, të cilat kanë mbetur pa shtëpi.

Në një prononcim për mediat, Sefa theksoi se aktualisht nuk ka asnjë qytetar në spital, pasi ata janë larguar tek të afërmit pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Sa i takon akomodimit, Sefa tha se kanë bërë gati konviktin e shkollës mekanike dhe në rast se do të jetë e nevojshme do merren shtëpi me qira që do të paguhen nga bashkia.

Sipas saj, pas ekspertizës do të bëhet një vlerës i dëmit dhe të gjitha familjet do të kompensohen sipas ligjit.

“Të gjitha familjet që janë evakuuar dhe pasi morën shërbimin shëndetësor, janë larguar tek të afërmit. Stafi i bashkisë po kontakton me çdo familje që do kenë nevojë për akomodim. Kemi bërë gatim konviktin e shkollës mekanike. Në rast se do jetë e nevojshme do marrim shtëpi me qira që do të paguhet nga bashkia

Janë rreth 91 apartamente, por 20 janë banuese të tjerët janë emigrantë. Pasi të mbarojë ekspertiza bashkia ka detyrimin ligjor që banesave  ti bëhet një vlerësim dhe më pas të bëhet kompensimi sipas ligjit”, tha kryebashkiakja Sefa.

Zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës është shuar pas rreth 10 orësh, por banorët nuk dinë akoma se çfarë dëmi është shkaktuar në banesat e tyre.

Njëra nga banoret shprehet e revoltuar në një prononcim për mediat, duke thënë se zjarrfikëset e Lushnjës nuk kishin ujë, pasi në të kundërt situata nuk do të merrte të tilla përmasa.

Ajo shprehet se banorët akoma nuk janë lejuar të futen në banesat e tyre për të parë se çfarë dëmesh ka lënë pas zjarri që përfshiu ditën e djeshme qendrën tregtare në Lushnjë.

“Zjarrfikësja e Lushnjës, që i raftë plasja, nuk kishin ujë dhe prisnin ato të Fierit. Ishim në banesë. Kemi dalë nëpër shkallë. Çuni ka nxjerrë pleqtë në kurriz. Nëpër shkallë morëm çupën, nusen. E kaluam natën te çuni i madh, as nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Asnjë gjë nuk kishte aty, as sistem alarmi asgjë. Shtëpia nuk e kam idenë si është”, tha ajo e revoltuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë