Ngjarje

Zjarri në Lushnjë, mungesa e autoshkallëve rrezikoi jetën e 10 personave, miliona lekë dëme në biznese

Nga Gazeta Si - Prej vitit 2007, qendra tregtare ‘Metropol’ e ngritur në mes të qytetit të Lushnjes nuk kishte pësuar dëm më të madh se pasditja e djeshme ku rreth orës 14:40 zjarri përfshiu fillimisht katin e tretë të qendrës e më pas u përhap në katet e mëposhtme.

Për Gazetasi.al, deputeti demokrat i qytetit të Lushnjes, Saimir Koreshi ka shpjeguar se çfarë ndodhi ditën e djeshme, që përkonte me një ditë feste si Krishtlindja dhe ku jeta e qindra qytetarëve u vu në rrezik.

“Fillimisht zjarri mendohet se ka ardhur nga një dyqan këpucësh në katin e tretë të qendrës tregtare. E më pas është shpërndarë dhe në katet më poshtë. Unë kam qenë që në fillim në vendngjarje dhe kam parë nga afër punën e zjarrfikëses. Dua të them se zjarrfikësja e qytetit tonë nuk ka mjetet e duhura, si autoshkallë për t’u ngjitur në ambientet e larta të qendrës. U desh të flisja personalisht me ministrin e brendshëm për të angazhuar forcat RENEA dhe shërbimin zjarrfikës nga Tirana, por kur erdhën ata ishte tepër vonë”, thotë deputeti Koreshi.

Mungesën e mjeteve për shuarjen e zjarrit siç janë autobotet dhe autoshkallët e pohoi dhe vetë drejtori i shërbimit të zjarrfikëses së Lushnjes, Xhezmi Metushi. Ai deklaroi për mediat se operacioni i djeshëm ishte shumë i vështirë dhe 10 persona rrezikuan jetën nga flakët, mes tyre dhe 3 punonjës të shërbimit të zjarrfikëses Lushnje.

“Ne nuk kemi shkallë për kate të larta dhe uji që u përdor hidhej nga kati i parë. Përveç kësaj, në ndihmë tonë erdhën dhe shërbime zjarrfikëse nga qytetet përreth”, tha Metushi.

Drejtori i shërbimit të zjarrfikëses së Lushnjes, Xhezmi Metushi.

Por deputeti Koreshi këmbëngul që puna operacionale në terren dështoi të shuante komplet vatrat e zjarrit, çka bëri që rreth orës 19.30 zjarri të riaktivizohej në barin e tarracës së qendrës tregtare.

“Gabimi më i madh ishte largimi i zjarrfikëseve dhe urgjencës nga qendra tregtare. Pasi evakuuan dhe ata pak banorë që kishin mbetur pa dalë nga apartamentet që ndodhen në të dyja anët e qendrës, të gjithë u larguan por zjarri u riaktivizua dhe ishte më i fuqishëm. Dëmet pastaj mendojini vetë”, thotë Koreshi.

Të pyetur nga mediat, qytetarët thonë se kanë kaluar natën jashtë ndonëse nga një verifikim i dëmit, nuk kanë pësuar dëm nga zjarri. Dëmi më i madh ka prekur bizneset e katit të dytë dhe të tretë të qendrës, ku nga disa deklarata shuma përllogaritet të jetë mbi 50 mln lekë për një biznes.

Sipas informacioneve në terren, qytetarët janë ankuar se në momentin e parë të rënies së zjarrit, vetë shërbimet e brendshme të qendrës nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin me hidrantët sepse ato nuk kanë funksionuar. Ndërsa operacioni u fokusua në shpëtimin e banorëve të asfiksuar në hyrjet e apartamenteve, zjarri u përhap me shpejtësi duke rritur dëmin.

Aktualisht, qendra tregtare është e rrethuar me perimetrin e sigurisë dhe në terren ndodhen grupe të policisë që po kryejnë hetime dhe po verifikojnë shkaqet e rënies së zjarrit.

Ndërsa qytetarët presin me ankth të futen në hyrjet e tyre për të parë realisht sa janë dëmtuar. Kurse më fatkeqit duket se janë bizneset që në këto ditë të fundit të vitit, humbën gjithë furnizimin e tyre, shuma të mëdha parash dhe më e keqja, asnjë prej tyre duket se nuk e ka siguruar biznesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë