Lajme

Zjarre masive në Gjirokastër dhe Lezhë, reagon Meta

Ditët e fundit, në territorin shqiptar ka pasur një përhapje masive të zjarreve, ndoshta si shkak edhe i temperaturave të larta. Zjarret janë shënuar kryesisht në qarqet e Gjirokastrës dhe Lezhës.
Mesditën e sotme u shënua një zjarr i madh në majën e Shën Dëllisë, në kufirin midis Bashkisë së Tepelenës dhe Bashkisë së Memaliajt. Terreni shumë i thyer dhe përhapja e flakëve shumë larg zonës së banuar (3-4 orë) ka bërë të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, zona është edhe shumë e rrezikshme për ndërhyrje, jo vetëm për shkak të largësisë, por edhe pranisë së predhave të mëdha të mbetura nga Lufta e dytë Botërore. Mësohet se deri tani kanë plasur disa prej tyre, duke bërë që zhurma e tyre të dëgjohet deri në Tepelenë.
Po ashtu zjarre janë shënuar edhe në Qarkun e Lezhës. Një zjarr masiv ka përfshirë malin me pisha në afërsi të portit të Shëngjinit. Zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të vështirë malor, edhe atje janë hasur probleme në izolimin e vatrës së zjarrit. Për këtë arsye, zjarrfikësve po u vijnë në ndihmë edhe forcat e ushtrisë.
Një situatë e tillë ka shqetësuar edhe presidentin e vendit, Ilir Meta.
Presidenti Meta u ka bërë thirrje Forcave të Armatosura, Ministrisë së Brendshme, Emergjencave Civile dhe drejtuesve të pushtetit vendor në këto qarqe të marrin menjëherë masa për të neutralizuar vatrat e zjarrit.
“Presidenti Meta inkurajon personelin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësitë e Emergjencave Civile, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor në këto qarqe, për marrjen e menjëhershme të të gjitha masave efektive të emergjencës, për të neutralizuar vatrat e zjarrit dhe për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të cilët mund të rrezikohen nga përhapja masive e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti Meta thekson ndër të tjera rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës dhe nxit autoritetet vendore për neutralizimin e situatës.
"Presidenti Meta duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, u bën thirrje dhe nxit institucionalisht autoritetet qendrore e vendore, për koordinimin në kohë, me qëllimin përballimin me efektivitet të situatës, për t’u ardhur në ndihmë zonave të prekura nga zjarret, veçanërisht për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve", përfundon njoftimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë