Futboll

Zirkze voton Milanin, ‘Djalli’ përgatit ofertën 50 milionë euro plus Saelemaekers

Gazeta Si – Sulmuesi holandez preferon të qëndrojë në Serinë A. Bolonja e vlerëson më shumë se 70 milionë euro, por çdo gjë mund të ndodhë.

Joshua Zirkze është një nga emrat më të lakuar në prag të merkatos së verës. Për momentin nuk mund të thuhet se ku do të luajë sezonin e ri, në Itali, sërish te Bolonja, apo në një kampionat tjetër. E qartë është dëshira e vetë sulmuesit: të qëndrojë në Serinë A dhe me Milanin një destinacion të preferuar.

Milani dhe Zirkze për momentin shihen në distancë. Kuqezinjtë e kanë këtë lojtar në krye të listës së dëshirave, Piolit i pëlqen. Holandezi ka luajtur në ‘San Siro’, ku ka treguar se nuk ka frikë nga presioni, si ndaj Interit, ashtu edhe ndaj Milanit. Ai preferon Milanin më shumë se Bajernin, që ka një opsion 40 milionë euro për në fund të sezonit.

Zirkze te Bajerni ishte dhe aventura nuk shkoi aq mirë: një vit e gjysmë në Bundesligë dhe 12 ndeshje, vetëm 4 si titullar. Nuk ka interes të kthehet, pasi aty luan Herri Kejn dhe Bajerni mbetet në plan të dytë. Milani është më përpara.

Holandezi te Milani do të ishte numri 9 klasik, si një tjetër holandez më parë, Marko Van Basten. Klubi kuqezi ka nisur punën për një tratativë që do të jetë komplekse. Bolonja e vlerëson më shumë se 70 milionë euro, një shifër që Milani nuk e përballon dot, por mund të gjejë një zgjidhje, duke parë vullnetin e Zirkze.

Milani mund të afrohet te 50 milionë euro dhe të shfrytëzojë kartën Aleksis Saelemaekers, që Bolonja mund ta mbajë, sepse vlerësohet nga trajneri Mota.

Kush mund t’i ndryshojë kartat në tavolinë? Klubet angleze, sigurisht. Mançester Junajtid ka lëvizur për Zirkze dhe nëse këmbëngul, ka shanse të mëdha. E njëjta gjë vlen edhe për rastin e Arsenalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë