Lajme

Zihet me bashkëfshatarin dhe kërcënoi policinë me sëpatë, arrestohet 36-vjeçari

Policia e Korçës ka arritur të parandalojë përshkallëzimin mes dy shtetasve në Korçë.
Policia ka arrestuar në flagrancë njërin prej tyre, pasi kanosi me sëpatë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për të neutralizuar konfliktin midis tij dhe një bashkëfshatari.
Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet B. A., 36 vjeç, banues në fshatin Taç Lart, për motive të dobëta, ishte konfliktuar me bashkëfshatarin e tij shtetasin R. M., 66 vjeç, të cilit, i kishte dëmtuar me gurë xhamat e banesës dhe më pas ishte larguar me shpejtësi.
Siç njofton policia, në momentin që policia është drejtuar për te banesa e 36-vjeçarit, ky shtetas ka bërë rezistencë duke i kanosur efektivët me një sëpatë.
Policia ka neutralizuar autorin dhe ka vijuar me kontrollin në banesat në pronësi të B. A., dhe babait të tij shtetasit F. A., 64 vjeç, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një sasi prej 22 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 69 copë fishekë luftarakë, si dhe 1 sëpatë.
36-vjeçari (i dënuar më parë për “Dhunë në familje”) u arrestua në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës”, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj babait të tij shtetasit F. A, për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë