Para

Zhvlerësimi i euros në Shqipëri uli vlerën e parave cash në qarkullim

Nga Gazeta 'SI' - Paraja jashtë sistemit bankar ka pësuar rënie të lehtë në tetor, me 2.5 mld lekë. Banka e Shqipërisë raporton se në fund të tetorit 2023, 405.5 mld lekë qarkullonin jashtë bankave, ose rreth 4 mld euro.

Rënia mund të jetë rezultat i zhvlerësimit të euros gjatë tetorit, pas një stabilizimi të lehtë në shtator. Pjesa më e madhe e parasë cash që lëviz në Shqipëri është në euro, ndërsa raportimi bëhet në lekë.

Gjatë 2023-shit, fluksi i parave cash në vend ka qenë masiv dhe kryesisht në valutë, gjë që ndikoi fort dhe në zhvlerësimin e euros e dollarit përballë lekut.

Pak ditë më parë, Shoqata e Bankave në vend propozoi vendosjen e një tavani për pagesat në cash, deri në 750 euro ose sa paga mesatare kombëtare.

Sipas burimeve të Gazetasi.al nga sistemi bankar, fluksi i parave cash gjatë këtij viti, specifikisht sezonit veror ishte i frikshëm. Ata tregojnë se shifrat ishin dyfishuar nga një vit më parë dhe askush nuk mund ta arsyetonte.

Në gusht të këtij viti, Komisioni Europian i propozoi Shqipërisë vendosjen e një tavani për paratë e thata si një mekanizëm kundër pastrimit të parave dhe digjitalizimin e pagesave.

Komisioni Europian vlerësonte se vendi ynë nuk ka ende përputhje të plotë me kuadrin e BE-së mbi hetimin e pastrimit të parave.

Paraja e thatë në Shqipëri vazhdon të jetë dominuese si nga bizneset edhe nga konsumatorët. Për të reduktuar këtë më herët, ministria e Financave sugjeroi që të gjithë bizneseve t’u vendoset një tavan për sasinë e parave në arkë.

Pagesat me para cash ngelen dominuese në ekonominë shqiptare, megjithëse në vitet e fundit po vërehet një rritje e pagesave me instrumente alternative, kryesisht me karta bankare. Përdorimi i lartë i parasë fizike në transaksionet e ekonomike favorizon informalitetin dhe krimin financiar, përfshirë këtu pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë