Taksa

Në 10-mujor, buxheti rezultoi me 10 mld lekë suficit

Nga Gazeta 'SI' - Për 10 mujorin e vitit 2022, të ardhurat në buxhetin e shtetit rezultuan përsëri më të larta se shpenzimet, me një diferencë prej 10 mld lekësh.

Sipas të dhënave nga MFE, të ardhurat në 10 mujor arritën në 475 mld lekë, me një rritje prej 15% në raport vjetor. 423.3 mld lekë janë rezultat i mbledhjes së të ardhurave nga Drejtoria e Tatimeve dhe Doganave, 17% më shumë se një vit më parë.

Nga doganat janë arkëtuar 183.1 mld lekë, nga të cilat TVSH e importit pati pjesën më të madhe të të ardhurave, 128.9 mld. Akciza, 44 mld lekë, taksa doganore 7 mld lekë dhe nga renta minerare 3.5 mld lekë. Kjo e fundit ka pasur edhe rritjen më të madhe, me 76% në raport vjetor.

Të ardhurat nga tatimet kanë rezultuar 240.1 mld lekë, 16% më shumë se 10 mujori i vitit të kaluar. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 98.6 miliardë lekë. Tatimi mbi të ardhurat personale ka sjellë shifrën më të lartë, 37.7 mld lekë. Nga tatimi mbi fitimin, 36.7 mld lekë, taksat nacionale 35 mld lekë, TVSH-ja 32.2 mld lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 mujore të vitit 2022, arritën në 465 miliard lekë, rreth 3.1 % më lartë se një vit më parë. Shpenzimet korente për periudhën 10 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 385.4 miliard lekë dhe ato kapitale me 55.7 miliard lekë.

Niveli i suficitit për 10 muajt janar-tetor 2022, rezultoi 10 mld lekë, nga 42 mln që ishte parashikuar deficiti. Një vit më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë