Ka ndodhur

Zhdukja e biznesmenit, policia italiane javën e ardhshme në Shqipëri

Policia italiane pritet që javën e ardhshme të mbërrijë në Tiranë për një takim me kolegët shqiptarë.

Sipas mediave italiane, takimi pritet të ndodhë në një kohë kur duhet të dalin edhe rezultatet e ADN-së së kockave të gjetura brenda makinës Skoda Fabia, mjetit të marrë me qira nga biznesmeni italian Davide Pecorelli, që u gjet i djegur në malet e Pukës.

Fati i 45-vjeçarit që rezulton i zhdukur prej 6 janarit, mbetet ende i panjohur.

Brenda makinës së shkrumbuar u gjetën kocka njeriu dhe objekte personale të Davide Pecorellit.

Ndërkohë një mik i sipërmarrësit, për mediat italiane tregoi se ai kishte qëndruar gjatë gjithë muajit Dhjetor në Shqipëri, ndërsa nga mesi i po atij muaji i kishte shkruar:

“Kam hapur një show room në një qendër tregtare… Luftë deri më datë 6. Biletën e kthimit e kam më 10 janar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë