Rend dhe Ligj

Zgjidhen anëtarët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë gati

Këshilli i Lartë të Prokurorisë u plotësua edhe me  të 11 anëtarë. Dy prokurorë Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi, janë zgjedhur automatikisht në këtë Këshill, pasi nuk kanë konkurrentë, ndërsa 5 anëtarë të tjerë të KLP-së janë zgjedhur nga Parlamenti.
Të 305 prokurorët morën pjesë për zgjedhjen e 4 anëtarëve nga kandidatët: Anila Leka, Antoneta Sevdari, Besnik Cani, Besnik Muçi, Dritan Prençi, Gentjan Osmani, Kostaq Beluri dhe Vate Staka.

Kostaq Beluri fitoi ndaj Anila Lekës. Ndërsa nga votimi u zgjodhën tre të parët sipas renditjes më poshtë:

Gentian Osamini           182     vota

Antoneta Sevdari          163     vota

Dritan Prenci                129     vota

Vate Staka                     86    vota

Besnik Muçi                   75   vota

Njëri prej kanditatëve për të zgjedhur antar në KLP, Besnik Muçi gjatë fjalës së tij para kolegëve ka parashtruar tre pikat në të cilat mbështetet platforma e tij.
“Do të punoj që KLP së bashku me Shkollën e Magjistraturës të ndërtojnë një sistem përzgjedhje transparent, meritokratik dhe objektiv për t’u dhënë atyre një mundësi të tillë. Lidhur me karrierën, promovimet dhe transferimet e prokurorëve, do të bëj çdo përpjekje që të ndërtohet një sistem profesional, plotësisht transparent dhe i ndershëm. Për këtë do të kërkoj që KLP në fillim të çdo viti të miratojë me vendim atë që unë do ta quaj “Lista e Karrierës së Prokurorëve”. Lidhur me procesin disiplinor të prokurorëve, do të kërkoj dhe këmbëngul që të jetë objektiv, transparent, i pandikuar. Ndërsa për masat ekstreme, do të përpiqem të garantoj procedura ekstra për të siguruar kryerjen e një hetimi,”- tha prokurori Muçi.
Ndërsa Vate Staka tha unë e kam kaluar vettingun dhe jam i pastër dhe ndaj nuk u apelua çështja ime, kurse Kosta Beluri kërkoi votën sepse siç u shpreh ai nuk i ka shërbyer politikës.
Dy prokurorë kanë votuar kundër draft-rregullores që parashikonte që në këtë proces nuk do të votojnë ata që janë shkarkuar nga procesi i Vettingut.
Anëtarët e KLP-së do të kenë një mandat 5-vjeçar. Gjashtë anëtarë janë nga korpusi i Prokurorisë dhe 5 janë zgjedhur nga shoqëria civile nga ana e Parlamentit.

Në këtë proces përzgjedhjeve që u mbajt në hotel privat, ministrja e Drejtësisë gjatë fjalës përshëndetëse deklaroi se do të jenë pikërisht anëtarët e zgjedhur të KLP ata që do të duhet të garantojnë zbatimin e drejtë e të ndershëm të rregullave që garantojnë karrierën dhe statusin e prokurorëve dhe të zgjedhin më të mirët dhe më të zotët në funksionet e reja drejtuese në të gjitha nivelet e prokurorisë si dhe të Prokurorisë së Posaçme.
“Është përgjegjësia juaj që përmes një procesi transparent dhe legjitim të zgjidhni anëtarët tuaj për KLP, duke treguar njëherësh edhe vendosmërinë tuaj në reformimin e mëtejshëm të sistemit. Anëtarët e zgjedhur të KLP-së, do të duhet të garantojnë zbatimin e drejtë e të ndershëm të rregullave që garantojnë karrierën dhe statusin e prokurorëve dhe të zgjedhin më të mirët dhe më të zotët në funksionet e reja drejtuese në të gjitha nivelet e prokurorisë si dhe të Prokurorisë së Posaçme, e cila, do të garantojë një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Gjonaj.

Ministrja Etilda Gjonaj duke folur sot para prokurorëve


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka bërë të ditur se Këshilli i Lartë i Prokurorisë, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor ka tashmë në dispozicion edhe godinën e re ku do të ushtrojnë aktivitetin këto institucione të reja.
Duke filluar nga muaji tjetër, hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimit financiar për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë kështu të paktën dyfishimin e pagave tuaja si dhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare”,- vijoi ministrja.
Pas prokurorëve, ditën e mërkurë është radha e gjyqtarëve të mblidhen për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Me ngritjen e këtyre institucioneve i hapet udhë ngritjes së SPAK, strukturës që do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar deri në nivelet e larta të politikës dhe administratës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjithashtu do të zgjedhë e prokurorin e ri të Përgjithshëm, pasi Arta Marku është përkohësisht në këtë detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë