Politike

‘Zgjedhorja’ zhvillohet online, Shehi: Jam për proporcional kombëtar dhe lista të hapura (mungojnë Duka, Mediu dhe Dule)

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvilloi të mërkurën punimet online ndërsa në rend të ditës ishin dëgjesat me krerët e partive politike në vend.

Deputeti socialist dhe bashkëkryetari i komisionit Damian Gjiknuri konfirmoi se janë gjithsej nëntë parti, që kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në dëgjesën online dhe për të shprehur qëndrimet e tyre.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes nuk u paraqitën online kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kryetari i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

“Mediu, Duka dhe Dule janë anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mund të marrin pjesë kur të duan, pasi mund të ngrenë zërin dhe për ata që nuk janë pjesë”, tha Gjiknuri.

Dashamir Shehi, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, paraqiti katër kërkesa.

“Unë jam për katër pikat, i kam dorëzuar me shpresën se do të ndërtohet me referendum, nuk kam entuziazëm se do të hyhet kaq thellë. Mendimi im bazë është ky, që qytetarët shqiptarë duhet që të kenë një të drejtë proporcionale, jemi për proporcional kombëtar, ligji të punojë kudo edhe për qarqe të vogla, listat të hapen deri në fund”, tha Shehi.

“Edhe mund të ndodhin probleme, por me komisionerët na kanë ndodhur probleme, votimi të bëhet me elektronikë. Duhet me pas kurajë që kjo punë të bëhet, kanë shkuar para publike sa të duash, ia vlen të harxhohen ca, 2-3% të votave të numërohen edhe me mënyrë fizike, të bëhet elektronikë që të hiqet kjo zullumnaja e komisionarëve. Ne flasim për modernizim, por kur vjen puna tek vota është e dyshimtë. Jam për të votuar emigrantët, mund të votohet me postë elektronike, ka miliona në botë që e bëjnë, kurse ne s’paskemi?!”, u shpreh Shehi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë