Politike

Zgjedhorja/ Vokshi përplaset me Gjiknurin: Mos më thuaj mua ‘e dashur’!

Nga Gazeta ‘Si’- Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, pasi deputetët opozitarë kërkuan që në diskutime të ishte i pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Përfaqësuesit e opozitës argumentuan se prania e kreut të Policisë do të ishte e nevojshme për të diskutuar çështje që lidhen me procesin zgjedhor dhe rolin e institucioneve ligjzbatuese.

Debati u tensionua gjatë diskutimit mes bashkëkryetarit të komisionit, Damian Gjiknuri, dhe deputetes demokrate Albana Vokshi.

Gjiknuri, gjatë përplasjes verbale, iu drejtua Vokshit me shprehjen “e dashur”, çka solli reagimin e menjëhershëm të deputetes së opozitës.

Pjesë nga debati:

Gjiknuri: “Duro, jeta nuk është bardh e zi, e dashur!”

Vokshi: “Mos më thuaj mua e dashur ti. Mos më thuaj mua ashtu, e dashur. Jam anëtare e komisionit.”

Gjiknuri: “Po çfarë të them? E nderuar, zonjë, për ta bërë jetën me ngjyra.”

Vokshi: “Mos u merr me jetën time personale.”

Gjiknuri: “S’po merrem me jetën personale. Janë batuta për ta shtensionuar situatën.”

Vokshi i cilësoi komentet e Gjiknurit si “batuta të kota”, ndërsa kërkoi që diskutimi të fokusohej te çështjet e komisionit.

Nga ana e tij, Gjiknuri tha se Policia e Shtetit është një institucion i centralizuar dhe se nuk kishte kuptim që në komision të thirreshin drejtues lokalë të policisë.

“Çfarë pune kam me drejtorët e rretheve? Policia është organ i centralizuar. E mira do të ishte që të ishte drejtori i policisë këtu. Mirë, dakord, të bëjmë kërkesë”, deklaroi Gjiknuri.

Debati u mbyll me dakordësimin për të shqyrtuar kërkesën për thirrjen e kreut të Policisë së Shtetit në komision, ndërsa përplasja mes deputetëve u bë pjesë e diskutimeve politike të ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë