Politike

Zgjedhjet, PS bën gati koalicionin me 25 parti

Partia Socialiste, pavarësisht vendimit të opozitës për të hyrë në zgjedhje lokale ose jo, po synon të dalë më 30 qershor në një koalicion politik me 25 parti. Sot, PS-ja ka organizuar një tryezë me përfaqësues të këtyre partive, që edhe më parë ka qenë në koalicion politik në zgjedhjet e mëparshme.

Tryeza është drejtuar nga ana e sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla dhe ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë miratuar një deklaratë në të cilën theksohet se “ Angazhohemi për të ndërtuar një platformë të përbashkët për një koalicion funksional dhe fitues të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Largimi i LSI-së dhe i PDIU-së nga koalicioni i majtë, bashkimi i tyre me opozitën ka detyruar PS-në që të ndryshojë strategji, duke synuar që të mbledhë sa më shumë parti politike në koalicionin politik. Kjo për faktin se në disa bashki, LSI-ja apo PDIU-ja kanë pasur shumë ndikim në rezultatet e votave, çka ka ndikuar në jo pak rast që fitorja të anojë te e majta në zgjedhjet e shkuara për pushtetin vendor. Qytete të tilla si Durrësi, Elbasani, Fieri, Berati, Gjirokastra kanë një peshë elektorale me mjaft ndikim.

Në deklaratën e përbashkët dënohet bojkotimi dhe dorëzimi i mandateve të PD-së dhe LSI-së. “Braktisja nga një grup deputetësh të PD dhe LSI të Kuvendit, të tempullit të demokracisë institucionale, synon të dëmtojë rëndë interesat tona kombëtare dhe strategjike në favor të interesave të ngushta të karrierës personale dhe llogarive partiake. Retorika dhe përdorimi i dhunës prej PD dhe LSI për qëllime politike tenton destabilizimin e vendit dhe kaosin shoqëror, duke na kthyer shumë vjet mbrapa, në të kaluarën me ngjarje të rënda të viteve ‘97 e ’98”, theksohet në këtë deklaratë.

Gjithashtu këto parti mbajnë të njëjtin qëndrim sa i përket nevojës së ndryshimit të ligjit zgjedhor, paketë që gjendet gati në Kuvend, por që është kundërshtuar nga ana e opozitës.

“Mbështesim ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor dhe thellimin e këtyre ndryshimeve për të garantuar depolitizim të plotë të të gjithë Administratës Zgjedhore, pjesëmarrjen e emigrantëve në proceset zgjedhore dhe përdorimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave në një projekt pilot qysh në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit”, thekson deklarata.

Ndërsa opozita nuk ka marrë vendim ende për zgjedhjet lokale, pavarësisht se PD e LSI janë shprehur se do të konkurrojnë më 30 qershor, partitë politike të grupimit të majtë i kanë bërë thirrje subjekteve politike në vend të respektojnë afatet e regjistrimit në KQZ sipas Kodit Zgjedhor.


Lista e partive që mund të futen në koalicionin e majtë
Partia Socialiste
Partia Social Demokrate
Partia Demokracia Sociale
Aleanca Popullore
Partia Socialiste e Moderuar
Aleanca Demokratike
Partia e Gjelbër
Partia e Unitetit Kombëtar
Partia G99
Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Ardhmëria Shqiptare
Partia Për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Partia Socialpunëtore e Shqipërisë
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
Partia e të Drejtave të Mohuara
Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane
Partia e Punës së Shqipërisë
Partia Komuniste e Shqipërisë – 8 Nëntori
Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet
Partia Kristiandemokrate
Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia e Çështjeve Shqiptare
Partia Demokracia e Re Europiane
Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve
Partia Fronti i Majtë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë