Politike

Opozita e re mbledh firmat për të ndryshuar zgjedhjet

Përpjekjet për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor përpara dhënies së rekomandimit të Komisionit Europian kanë dështuar. Kriza politike ka ndikuar në mos plotësimin e këtij kushti që ishte vendosur nga BE-ja përpos realizimit të mëtejshme të reformës në drejtësi, që nënkuptonte krijimin e institucioneve të reja, SPAK dhe BKH dhe Gjykatën Speciale.
Socialistët kanë dështuar edhe në përpjekjet e tyre për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor nëpërmjet opozitës së re në Parlament, e cila tashmë i siguron mazhorancës krijimin e 84 votave për të kaluar ligjet me shumicë të cilësuar votash. Tashmë zgjedhjet e 30 Qershorit që janë në fuqi do të zhvillohen me Kodin aktual.
Pas ngritjes së komisionit të posaçëm të reformës të reformës zgjedhore, ku bashkëkryetare është demokratja Rudina Hajdari, ka vendosur në program të sajin që brenda datës 31 korrik të kenë përfunduar dhe miratuar ndryshimet të rekomandimeve bazë të OSBE-së dhe ODIHR-it.

Brenda 30 Shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit. Sipas kalendarit, deri në 31 Tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike. Ndërsa brenda 28 Nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor.
Opozita e re në Parlament sa i përket çështjes së Kodit Zgjedhor ka këmbëngulur që të realizohet si pikë e parë objektit të punës së komisionit çështja e sistemit zgjedhor. Të 38 deputetët e opozitës kanë firmosur kërkesën që të shqyrtohet si pikë e parë e punës që të jetë ndryshimi i sistemit.

Faksimile e firmave t¥ deputetëve që u depozitua si kërkesë për futjen si pikë të parë çështjen e sistemit


Deputeti Ralf Gjoni në një prononcim për Gazeta SI shprehet se kjo u paraqit në mbledhjen e komisionit të posaçëm, duke kondicionuar të vendosë në rendin e ditës ndryshimin e sistemit. Ka qenë pikërisht Gjoni që në seancat parlamentare të disa javëve më parë që i kushtëzoi mazhorancës vendosjen e ndryshimit të sistemit, duke shtuar diçka që nuk e parashikonin rekomandimet e OSBE-së dhe të ODIHR-it.
Brenda muajit Korrik të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar.
“Ne kemi tagrin brenda komisionit të reformës të diskutojmë për ndryshimin e sistemit dhe t’i kërkojmë llogari. Pikërisht kushti ynë i firmosur nga 38 deputetët na bëri që opozita të jetë pjesë e komisionit të posaçëm”, thekson Gjoni për Gazeta SI.

Komisioni i Posaçëm i Reformës


Ndërsa demokratja Rudina Hajdari në një postim në Facebook shkruan se Grupi Parlamentar Demokrat ka ndër objektivat e tij kryesore: "reformimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri" me synim forcimin e demokracisë, evropianizimin e procesit elektoral (në tërësinë e tij) rritjen e besimit publik në organet e zgjedhura, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve e të demokracisë aktive.
Ndërkaq të 38 firmat të iniciuara nga ana e deputetit Myslym Murrizi dhe deputetët e tjerë të opozitës kanë krijuar një sinjal edhe për një lëvizje tjetër të opozitës së re, pasi nëse nuk ka dakordësi në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, atëherë asaj i lind e drejta që të ndërmarrë edhe nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Për këtë mjaftojnë 38 firmat e deputetëve të opozitës së re, e cila duket se është e vendosur të ndryshojë sistemin politik në Shqipëri.

Një gjë të tillë duket se paralajmërohet edhe nga vetë deputeti Gjoni. Që nga viti 2008 është folur për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Aktualisht sistemit është proporcional rajonal, me lista të mbyllura, që miratohet nga kryetarët e partive. Pikërisht ky sistem ka qenë objekt i përplasjeve të forta politike, ku debati ka qenë përfshirja e personave me rekorde kriminale. Ndërsa mazhoranca nga ana e saj ka pranuar që të diskutojë për sistemin zgjedhor, por se ajo ka hedhur idenë që ndërhyrja mund të realizohet pa prekur Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë