Lajme

Sot zgjedhje në katër komunat e Veriut të Kosovës

Prishtina ka deklaruar se nuk i ka dhënë leje shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ndërsa në katër komuna në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur dhe se votimi po zhvillohet në rregull. Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.

Kryetarët e komunave veriore (të zgjedhur nga komuniteti serb) dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë