Arsim

Zgjedhjet ndezin një sherr të ri brenda Universitetit të Tiranës

Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës kanë rindezur një tjetër debat brenda këtij institucioni. Rektori Mynyr Koni ka kundërshtuar një deklaratë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, duke deklaruar se anëtarëve të këtij Komisioni u ka përfunduar mandati dhe nuk mund të vendosin për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.

Koni thotë se është njohur në rrugë jozyrtare me një dokumentat që mbajnë vulën dhe firmën e anëtarëve të KIZ.

“Në lidhje me këto dokumenta, ju sqaroj se ish-anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve të UT, janë zgjedhur në këtë detyrë nga Senati Akademik me Vendimin tashmë të shfuqizuar. Së dyti, në zbatim të rregullores, në të cilën theksohet se mandati i anëtarëve të KIZ, është 4-vjeçar, ish-anëtarëve të KIZ u ka përfunduar mandati dhe tashmë ata janë vetëm ish-anëtarë të një prej komisioneve të shumta institucionale zgjedhore që ka patur në gjithë këto vite në Universitetin e Tiranës”, deklaroi përmes një reagimi Rektori Koni.

Rektori thotë se për zgjedhjet brenda Universitetit do të zbatohet rregullorja e miratuar më 10 shkurt 2020, që garanton një proces zgjedhor të ligjshëm. Koni mendon se vendimi i KIZ është përpjekje për të manipuluar procesin zgjedhor.

“Në këto kushte, të gjitha dokumentat e firmosura nga ish-anëtarët e KIZ janë nul, të paligjshme, pa asnjë vlerë ligjore dhe për më tepër, me qëllime të dukshme dhe të qarta tashmë nga të gjithë, për të penguar zhvillimin e një procesi zgjedhor të ligjshëm dhe për të zgjedhur ato autoritete drejtuese dhe anëtarë të Senatit Akademik të UT, që vërtet e meritojnë”, deklaron Koni.

Zgjedhjet për Universitetin e Tiranës parashikohet që të mbahen më 8 maj dhe për shkak të pandemisë së koronavirusit një prej opsioneve që po shqyrtohet është mbajtja e tyre pa studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë