Arsim

Përplasje “ligjore” brenda UT, Koni shkarkoi pedagogët, por a mund ta bënte?

Përplasjet mes Ministrisë së Arsimit dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni duket se po reflektohen më fort edhe brenda vetë këtij institucioni të arsimit të lartë. Mediat publikuan të mërkurën një vendim të Rektorit Koni, sipas të cilit shkarkoheshin nga detyra pedagogët anëtarë dhe kryetarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve.

Të shkarkuarit janë Majlinda Keta, kryetare e këtij Komisioni dhe anëtarët Bernard Dosti, Ardian Doka, Orjona Muçollari dhe Eglantina Gishti. Koni akuzon pedagogët në fjalë se kanë shpërfilluar urdhrat e tij dhe në mënyrë të paligjshme pretendojnë që të zhvillojnë procese zgjedhore në UT.

Rektori Koni bazohet në tre vendime. Së pari tek neni 39 pika 5 e ligjit për arsimin e lartë, që thotë tekstualisht që “Rektori nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë”.

Pika e dytë është neni 34 pika 1/b e statutit të Universitetit të Tiranës, ku përforcohet parashikimi i ligjit për arsimin e lartë. Pika e fundit që citon Mynyr Koni është rregullorja e brendshme e funksionimit të Universitetit të Tiranës. Në pikën 3 të nenit 30 të kësaj rregulloreje thuhet tekstualisht se “Rektori ka të drejtë të japë të gjitha masat disiplinore, si vërejtje, pezullim dhe deri në largim nga puna”.

Por, pedagogia Majlinda Keta akuzon Rektorin Koni se ka shkelur ligjin për arsimin e lartë, përkatësisht pikën 2 të nenit 68 të këtij ligji. Në këtë pikë përcaktohet tekstualisht se “largimi nga detyra e personelit akademik të Institucionit të Arsimit të Lartë bëhet nga rektori i institucionit me propozim të drejtuesit të njësisë bazë (dekani), ku personeli akademik zhvillon veprimtarinë e tij dhe pas miratimit të komisionit ad hoc të ngritur nga Senati Akademik në rastet e shkeljeve të rënda dhe të përsëritura të ligjit, sipas përcaktimeve në statut dhe në aktet e tjera të IAL-së.

Veç ligjit për arsimin e lartë, Keta thotë se me këtë vendim Mynyr Koni ka shkelur edhe nenin 70 të statutit të Universitetit të Tiranës. Ky nen përcakton hollësisht procedimin disiplinor të personelit akademik. Në këtë nen shkeljet ndahen në dy grupe, në shkelje të lehta dhe shkelje të rënda.

Për rastet e shkeljeve të lehta sanksionohet ngritja e një komisioni disiplinor nga dekanati dhe ndëshkimi mund të jetë deri në tërheqje vërejtjeje, ndërsa për shkeljet e rënda procedura ndryshon dhe dekanati duhet t’i drejtohet Senatit Akademik me një relacion shpjegues dhe materiale provuese.

Pas kësaj, Senati ngre një komision disiplinor të posaçëm me pesë anëtar që zgjidhen nga radhët e anëtarëve të vetë Senatit. Komisioni Disiplinor ad hoc i Senatit Akademik ka të drejtë që të marrë kmasa disiplinore vërejtje me paralajmërim për largim, pezullim nga detyra për 3 muaj dhe në rastet e shkeljeve të rënda dhe të përsëritura i kërkon Rektorit zgjidhjen e kontratës. Në pikën 8 të nenit 70 të statutit të UT përcaktohet gjithashtu se Rektori është i detyruar që të zgjidhë kontratën e punës nëse kjo është kërkesa e Komisionit ad-hoc të Senatit Akademik.

Në të gjitha rastet Rektori nuk mund të shkarkojë pedagogët dhe anëtarët e tjerë të stafit akademik, ashtu siç duket është bërë edhe në këtë rast me pedagogen Majlinda Keta dhe anëtarët e tjerë të Komisionit Institucional Zgjedhor. Për këtë arsye, Keta akuzon Rektorin Koni se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë